Për HEJZA-n flet Blerina Rogova Gaxha, poete
Blerina Rogova Gaxha (1982) është poete, eseiste, gazetare dhe hulumtuese e letërsisë. Ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës dhe ka PhD në shkencat letrare. Ka botuar librat me poezi: Gorgonë (2009), Kate (2013), Ajo vjen nga Lindja (2016), Thasë (2020), si dhe studimin Format e prozës së Kadaresë (2015). Laureate e Çmimit ndërkombëtar për letërsinë “Crystal Vilenica Award 2015” në Slloveni, dhe e Çmimit kombëtar të Poezisë për librin më të mirë të vitit 2010. Libri i fundit “Thasë” është shpërblyer me Çmimin Kombëtar letrar për librin më të mirë me poezi të vitit 2020, ndarë nga Ministria e Kulturës e Kosovës. Ka qenë shkrimtare mysafire në rezidencat ndërkombëtare të shkrimtarëve në Vjenë (Kultur Kontakt Austria), në Split (U druga Kurs) dhe në Novo Mesto të Sllovenisë (Goga Publishing House). Autorja ka pasur prezantime të shumta në panairet e librit dhe festivalet e letërsisë në Evropë, ndërkaq poezitë dhe esetë i janë botuar në antologji dhe revista me renome në gjuhën gjermane, angleze, frënge, sllovene, kroate, greke, rumune, turke etj. Është anëtare e PEN Qendrës së Kosovës.
HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?
BLERINA ROGOVA GAXHA: Të gjithë ata që shkruajnë letrat e bukura përpiqen të japin diçka nga ekzistenca e tyre, nga trupi e shpirti i tyre, nga përvoja personale krejt e papërsëritshme. Të gjithë ata përpiqen t’i japin zë përvojës humane, t’i japin zë njerëzve dhe jetëve të shkrira brenda nesh – disa ia dalin mrekullueshëm, disa më dobët, të tjerët thjesht nuk i mbijetojnë përpjekjes për të rrëfyer jetën. Sigurisht që bëhet. Poezia e jetës gjithnjë është me ne, ndaj dhe letërsia është përherë. Dhe pavarësisht, pse jemi një vend i vogël dhe sillemi në një rreth kulture të vogël e grindavece, kemi letërsi shumë të bukur. Autorë të jashtëzakonshëm, autorë mesatar dhe autorë të dobët.
HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?
BLERINA ROGOVA GAXHA: Zanafilla është e njëjtë. Letërsinë e bëjnë autorët e veçantë. Por, shoqëritë shqiptare kanë kaluar kohë të gjatë nëpër kaos. Kryqëzimi i madh i kohërave: lufta, paqja, politika në fillim të viteve 1990 e deri sot në Kosovë; rënia e diktaturës në fillim të 90’tave dhe ndërrimi i sistemeve politike e ideologjike në Shqipëri, tranzicioni që akoma s’ka përfunduar, ka prodhuar një sërë fenomenesh socio-kulturore. Kryqëzimet e bartën efektin e vet edhe në letërsi. Shkrimtarët e ndjejnë pulsin e kohës, të ndryshimit apo të mosndryshimit, të asaj çfarë solli jeta apo të asaj çfarë i mungon kësaj jete. Pavarësisht kompleksitetit të pyetjes suaj dhe pavarësisht pëlqimit ose jo të konceptit të “brezave letrar”, ka dhe mund të ketë autorë që kanë shije të përafërta dhe topika të ngjashme. Dekadave të fundit kemi hasur një letërsi shqipe të ngarkuar me veprimin e traumës historike, siç është topika e post-diktaturës në Shqipëri dhe topika e pasluftës apo lufta dhe trauma e saj në letërsinë shqipe që shkruhet në Kosovë. Madje, kemi shkrimtarë, kryesisht poetë, që erdhën pas këtyre kryqëzimeve në shoqëritë shqiptare, në veprën e të cilëve hasim elemente shumë të ngjajshme me të ashtuquajturën gjeneratë e humbur, asaj gjenerate që ëndërroi shumë për lirinë individuale dhe lirinë nacionale, për ta pranuar më pas drejtpërdrejtë disfatën dhe naivitetin e aspiratës së vet si aspiratë e një gjenerate.
HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?
BLERINA ROGOVA GAXHA: Në kohët moderne, kritika letrare ka nxjerrë statusin e saj si misionare, si një guidë e domosdoshme për letërsinë. Një mision i tillë, duke dashur të përhapë të vërtetën për letërsinë, shpesh e godet mendimin letrar dhe i bën shërbim të keq letërsisë. Prandaj, do të më pëlqente të kishte një qasje të kritikës letrare si provokuese e mendimit dhe e bashkëbisedimit letrar, dhe kuptohet, një kritikë e nivelit profesionist, e shkruar me njerëzillëk e ndershmëri dhe jo një kritikë që shkruhet sipas interesave individuale.
HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare?
BLERINA ROGOVA GAXHA: Ideja juaj që krijuesit të jenë në redaksitë e portaleve për art e kulturë, apo qoftë në cilësinë e bashkëpunëtorëve a këshilluesve, është e mirë. Por, kjo punë kërkon qasje me seriozitet dhe kuptohet, do investim. Jemi në dijeni se në ç’situatë janë mediat tona dhe cili është interesimi i tyre për artin e kulturën. Dhe supozojmë që kjo të ndodhë, atëherë nënkuptohet se kërkon një pavarësi të plotë, pa përkujdesje institucionale dhe pavarësi të plot materiale.
HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces të cilin, detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergamenteve, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshës, në shpat mali, në shpella!
BLERINA ROGOVA GAXHA: I takoj gjeneratës që ka përjetuar kapërcimin nga njëra ‘epokë’ në tjetrën. Rritur me njërën, pjekur me tjetrën, dhe mendoj se të dyja plotësohen ndërmjet vete. Në këtë kohë ngjan në naivitet pretendimi i refuzimit të epokës në të cilën ka hedhur këmbët njerëzimi, dhe libri kurrë nuk ka qenë më afër lexuesit. Megjithatë, ka një debat që vazhdon. Në anën tjetër, poezia ka gjetur një tjetër formë të depërtimit te lexuesi. Janë të shumtë sot “poetët e instagramit’, të cilët qoftë me vargje poetike e qoftë me fjalë që shërbejnë si “terapi shpirtërore”, po arrijnë të mbledhin rreth vetes adhurues, të cilëve ose u pëlqen leximi i shpejtë e i shkurtër ose u pëlqen qasja direkte te autori. Vdekjen e librit ndërkaq mund ta sjellë vetëm ajo çfarë thotë ose nuk e thotë libri, pavarësisht prekjes së tij me dorë apo shfletimit në ‘touch screen’.
HEJZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm?
BLERINA ROGOVA GAXHA: Sigurisht që po. Aq më shumë atë lexim ‘kritik’ që është serioz, i mëvetësishëm e nuk rezulton bosh, leximin e profesionistëve të fushës së letërsisë. Po, nuk është se mungojnë, ka disa faqe elektronike që i kushtohen plotësisht letërsisë. Them se edhe vetë botuesit e teksteve letrare janë në një proces të adaptimit me dimensionin e ri të librit dhe lexuesit.