Brezat e krijuesve letrar shënojnë produktivitetin dhe, pa dyshim, kualitetin letrar të krijuesve të shprehur përgjatë një periudhë kohore. Me këtë nuk synohet të emërohet etapa historike e letërsisë, e as letërsia sipas stileve estetike, por thjesht, një brez i tërë krijuesish që përfaqëson një periudhë të caktuar! A kanë shqiptarët breza krijuesish? Pa dyshim që po! Sidomos krijuesit shqiptarë të Kosovës
Brezi krijues i periudhës së Rilindjes Kombëtare, nisur prej De Radës, Gavrill Darës, Çajupit, Serembes, Naim Frashërit, Migjeni e deri te Gjergj Fisha e për ta përmbyllur me Esad Mekulin, është brez që i ka vënë bazat e krijimtarisë letrare shqiptare. Periudha e kësaj krijimtarie letrare deskriptive ndjehet edhe më vonë, duke ua ofruar mundësitë e etablimit letrar krijuesve që do të shquhen si individë. Do të jetë letërsia e partizanëve, socrealiste, letërsi që do të shkruhet sipas shablloneve të sistemit totalitar dhe, si rrjedhojë, do të kemi një duzinë shkrimtarësh që do ta madhërojnë sistemin. Kjo krijimtari e ideologjizuar do të vërehet sidomos në Shqipëri, ku do t’ia arrijnë të lundrojnë në krijimtarinë letrare vetëm ata individë që do ta kenë mirë me pushtetin, mirë me sistemin, mirë me “popullin e ri”. Në Kosovë (përfshirë këtu edhe Maqedoninë e Veriut si dhe viset e tjera etnike shqiptare) kjo letërsi do të kultivohet vetëm nga ata që individualitetin krijues e mbështesnin në “kopjimin” e Kadaresë, Agollit, Poradecit, Xhevahir Spahiut etj.
Brezi i viteve shtatëdhjetë i shkrimtarëve të Kosovës do të bëjë një prerje të “padhembshme” të etapës krijuese, duke u shkëputur nga krijimtaria deskriptive dhe duke hedhur hapa gjigantë drejt krijimtarisë refleksive. Me këtë qëndrim nisin përpjekjet e deideologjizimit të krijimtarisë letrare shqiptare në shenjë revolte jo aq kundër “enverizmit” sa kundër sistemit jugosllav që po mundohej të imponojë “vlera” edhe në botën dhe jetën e shqiptarëve të ngelur jasht shtetit amë. Ky brez do të fillojë me Anton Pashkun, me Ali Podrimjen, më Beqir Musliun, Rexhep Qosjen, Ramiz Kelmendi, Abdylaziz Islamin, Murat Isakun, Adem Gajanin, Resul Shabanin, Musa Ramadanin, Teki Dërvishin, Jusuf Buxhovin, Mehmet Krajë, Azem Shkrelin, Sabri Hamitin, Mirko Gashin, Rrahman Dedën, Nazmi Rrahmanin, Zejnullah Rrahmanin Xhabir Ahmtin, Resul Shabanin, Agim Vincën, Edi Shukriun, Dau Demaku, Jonuz Fetahaj, Iljaz Prokshi, Rushit Ramabaja etj.! Për shembull, në Shqipëri, mund të numërohen në gishta ata që kanë dëgjuar (dhe jo që e kanë lexuar) Ymer Shkrelin!
Brezi i viteve tetëdhjeta i shkrimtarëve të Kosovës do të bartë vulën e etapës krijuese që do të shquhet për nga krijimtaria letrare urbane, protestuese, rok-krijimtari, tendencë për përmbytjen e të gjitha ndikimeve socrealiste që vinin aty-këtu nga mentaliteti i “krijuesve gjithpopullor”! Krijuesit e vjetër, ata që e llogarisin veten si baballarë të letërsisë shqiptare, kurse aq më pak krijuesit e rinj, sidomos nga diaspora, as që kanë dëgjuar për krijuesit e këtij brezi, më në krye Agim Malën, pastaj Shaip Beqirin, Milazim Krasniqin, Qerim Arifin, Ramadan Musliun, Sali Bashotën, Basri Çapriqin, Tahir Deskun, Faruk Tashollin, Liri Loshin, Feime Selimin, Qibrie Demirin, Puntorie Ziba-Muça, Nehas Sopaj, Adem Gashin etj.
Brezi i viteve nëntëdhjeta i shkrimtarëve të Kosovës është po ai brez i rritur dhe i frymëzuar denjësisht nga dy brezat paraprakë të krijuesve letrarë, duke i hapur portat e prurjeve të reja në krijimtarinë bashkëkohore shqiptare. Janë ata krijues të cilët po e ndjenin në palcë nevojën për t’u çliruar përfundimisht nga prangat e censurës ku sistemi ideologjik e okupues po tentonte që të rrisë një biçim të ri të krijuesit – krijuesin e disiplinuar nën regjimin e “policin kujdestar” në tru – autocensurës! Nën këtë presion-eksperiment ideologjik, do të shpërthejë ky brez në krye me Ragip Sylën, Lulzim Azirin, Shkëlzen Halimin, Osman Gashi, Fakete Rexhën, Naime Beqirajn, Halil Matoshin, Haqif Mulliqin, Avni Halimin, Veli Karahodën, Fehmi Ajvazin, Salajdin Saliun si dhe një duzinë shkrimtarësh të rinj të periudhës së pas Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Çdo brez krijues këtu shënon “revolucion letrar” që ka pasur impakt edhe në revolucionaritetin e përgjithshëm të shpirtit të shqiptarëve jashtë kufijve administrativ të shtetit amë.
Historia e Letërsisë, pa përfshirjen dhe pa studimin e këtyre krijuesve të shfaqur ndër breza, do të ishte e mangët dhe aspak reale. Kritika letrare e ka dhënë mendimin e vet shkencor mbi krijimtarinë e secilit prej krijuesve të sipërpërmendur (dhe shumë të tjerëve që u kërkojmë ndjesë që nuk janë përmendur për shkak harrese). Të gjithë ata që mundohen të shesin dushk për gogla e që nuk kanë lexuar asgjë nga këta shkrimtarë, të mos pretendojnë se e njohin letërsinë shqiptare, ndryshe do të vlerësoheshin vetëm si mediokër, si demagogë!
Nëse krijuesit klasikë, sidomos ata të Rilindjes Kombëtare ishin themeli i krijimtarisë sonë letrare, krijuesit individualë paraqesin “katet e pallatit”, kurse këta breza paraqesin pllakën e fundit, mbi të cilën do të duhej të ngrihej çatia e krijimtarisë sonë letrare, “çati” kjo që do një punë deri në përjetësi! /HEJZA/