Dikur të frikësuar, sot të zhgënjyer

Midis nesh

Për shumë çështje polarizimi i shoqërisë shqiptare është evident. Natyrisht, këtij polarizimi nuk mund t’i shmanget edhe kultura, zhvillimi i së cilës për disa është në rrugë të drejtë e për disa se ka marrë kahe në një rrugë qorre.
Jemi në stadin kur gënjeshtra e regjimeve (në shtetet shqiptare dhe shtetet ku jetojnë shqiptarët) jo vetëm që imponohet si e vërtetë, por mbi të e kanë edhe monopolin, duke e trajtuar si të qëndrueshme, mbase edhe absolute.
Ata “artistë” që i qëndrojnë besnik partisë në pushtet gjithsesi se janë të mikluar përmes projekteve të ndryshme, ndërkaq ata tjerët, që e kanë të vërtetën e tyre, janë të zhgënjyer. Diku veprat e socializmit, përkatësisht të komunizmit, që duheshin të jenë të mëdha, për të mos thënë gjigante, me qëllim që popullit të përkulej jo për të ndjerë kënaqësi, por të frikësohej. Sot, është ndryshe, nuk ka kënaqësi e frikë, por vetëm interes, intriga dhe ç’është me e keqja, askush nuk skuqet nga gjithë ajo që ndodh përreth nesh.
Nëse qëllimi kryesor, për të mos thënë absolut i regjimeve komuniste, përfshi edhe regjimin e komunistëve shqiptarë, ishte kontrollimi i lirisë, sot, për shkak të interesit, “artistët” vetë e kontrollojnë lirinë e tyre, duke pasur kujdes maksimal që të mos dalin nga korniza partiake, e cila kornizë në fakt është vendi ku ruhen votat dhe të cilat aktivizohen me një të shtypur të butonit në kohën e zgjedhjeve. Ky është tagri i interesit të “artistëve” të pushtetit.
Ata që në kohën e komunizmit menduan ndryshe, e pësuan tragjikisht, kurse ata që menduan sipas terkut të regjimit, arritën të mbijetojnë. Kurse sot, ata që mendojnë ndryshe, thjeshtë mbeten pa shteg dhe të izoluar, kurse ata që mendojnë sipas terkut të partisë në pushtet, mbijetojnë të ekzaltuar me kocka nga pushteti i buxhetit, të cilin buxhet pushteti e trajton si pronë ekskluzivisht të vetin, sepse këtë ia mundëson keqpërdorimi i demokracisë, duke e bërë shpërndarjen e këtyre mjeteve (edhe për kulturë) përmes njerëzve të instaluar të partisë nëpër komisione e borde të ndryshme, por edhe në institucione kulturore. Pra, formula është e thjeshtë: nga partia, përmes partisë, për partinë…
Dallimi midis regjimit të dikurshëm komunist dhe regjimit të tanishëm demokratik (postkomunist), është i hollë sa një fije floku. Atëbotë kishte artistë të frikësuar, tani të zhgënjyer…
/HEJZA/

Leave a Reply