Kryeministri në Detyrë, Ramush Haradinaj e konsideron një veprim të duhur marrëveshjen mes Lëvizjes Vetëvedosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për bashkëqeverisje.
Haradinaj shkruan në “Facebook” se tashmë është e domosdoshme të krijohet sa më shpejt qeveria e re.
“Lajmi që i gjithë procesi negociues është përmbyllur me dakordim nga LVV dhe LDK është veprim i duhur dhe konkretizimi i mirë, që respekton rezultatin zgjedhor.”
Mirëpo, Ramush Haradinaj nuk hezitoi të thumbojë edhe kreun e VV-së, Albin Kurti, teksa shkruan se “qëndron i bindur se agonia e tejzgjatjes për ndarje të posteve është shpërfaqja e parë e mashtrimit të madh me të cilin do të identifikohet Kurti si kryeministër”.
Ndër të tjera, kryeministri në detyrë shtoi se Kosovën e presin punë të mëdha dhe procese të rëndësishme, për të cilat duhet lidership, qëndrime konsistente dhe institucione kredibile dhe të qëndrueshme.