Letër nga Prishtina
Pas Konferencës jubilare në 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, edhe në Prishtinë do të mbahet Konferenca Studimore Gjuhësore për Drejtshkrimin, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës. Mbase akademikët në mes vete debatuan, por a mori vesh gjë opinioni i gjerë lidhur me ndonjë konkluzioni, me ndonjë vendim apo me ndonjë qëndrim të dalë nga këto Konferenca?! Fatkeqësisht, opinioni u informua lidhur me një qëndrim të gjuhëtarëve të Kosovës, të cilët, sipas krijueses dhe studiueses nga më të mirat sot, Ledi Shamku, asaj i paskan dalë në “mbrojtje”!
Albanistja dhe sociolinguistja, zonja Shamku, përmes një postimi rrëfen se si në Prishtinë, nga kolegët e vet, gjuhëtarët e Kosovës, është befasuar kur ka kuptuar se kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë pjesëmarrjen e “gjuhëtarëve të vet” në Konferencën e Prishtinës e ka kushtëzuar me dëbimin nga Konferenca të Ledi Shamku! “PO ERDHI LEDI SHAMKU, NEVE NUK VIJMË. PËRJASHTONI ATË QË TË VIJME NE”, paska kërkuar në mënyrë ultimative Skënder Gjinushi, kryetari i ASHSH-së! Pas kësaj kërkese, gjuhëtarët e Akademisë së Kosovës paskan debatuar mbi dy orë në një mbledhje ku unanimisht kanë kushtëzuar: nëse “dëbohet” albanistja Ledi Shamku, ne, gjuhëtarët e Akademisë, do të japim dorëheqje!
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë akademikët e Kosovës edhe një herë kanë vërtetuar se janë anti-paternalistë dhe se shkenca, përfshirë edhe gjuhësinë, nuk bëhet me inate. Akademia e Kosovës përmes një reagimi “as mish e as peshk” është munduar që ta demantojë një pohim të këtillë, por nga ana tjetër, zonja Shamku thotë: “I kam shkresat që ke dërguar në Prishtinë”! Një është e sigurt: Ledi Shamkku ka marrë pjesë në Konferencë, ka lexuar kumtesën e vet dhe te gjuhëtarët dhe akademikët më tepër kënaqësi ka shkaktuar prezenca e kësaj albaniste, se sa prezenca e kryetarit Gjinushi! Sepse, mendimi akademik i Shamkut, si gjuhëtare e sociolinguiste mund të haset të paktën një herë në muaj nëpër faqe të ndryshme të mediave kombëtare e ndërkombëtare, krijimet e saj llogariten si ndër më të bukurat nga krijuesit e sotëm gjithëkombëtar. Asaj titullin shkencëtare ia jep kontributi i saj, angazhimi i saj i gjerë në sferën e gjuhësisë, mendimi i saj kritik e shkencor, dhjetëra e dhjetëra punime shkencore që e bëjnë atë të respektuar edhe ndër qendrat universitare botërore.
Përkundrejt këtij fakti, kemi përpjekje “autoritare” për ta mbrojtur “autoritetin” e kryeparëve të Akademisë!
Sado që dikush mundohet ta minimizojë reagimin domethënës të gjuhëtarëve të Akademisë së Kosovës, mbi të gjitha, nga frika se mund të organizohen edhe për hapa dhe më të rëndësishëm, ata megjithatë e shprehën solidaritetin dhe ia dolën që ta mbrojnë paprekshmërinë e autoritetit të një shkencëtare, qoftë kjo edhe nga një ish-politikan me mentalitet totalitarist. Por, cili ishte reagimi i gjuhëtarëve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë? Emërtimi “politik” i Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shqipërisë, nuk është se i gëzoi akademikët. Nuk ka akademikë të mirëfilltë që nuk është i fyer e i zhgënjyer nga ky emërtim. Por, të gjithë heshtin! Nuk heshti asnjëherë vetëm Ledi Shamku, e cila, duke e përjetuar gjestin e kolegëve nga Kosova, është ndjerë jashtëzakonisht e nderuar! Natyrisht, zonja Shamku do të jetë ndjerë shumë keq kur ka kuptuar se çfarë intrige është luajtur nga Akademia Shqiptare vetëm që të fyhet e të thyhet albanistja e pathyeshme!
Por, çka bënë gjuhëtarët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë? Si u ndjenë ata kur mësuan kërkesën shumë të ulët të kryetarit të tyre! Të paktën ta kishin bërë një protestë me shkrim e të dilnin në mbrojtje të koleges së tyre shkencëtare. Të kushtëzonin: ose të largohet kryetari i instaluar ose të gjithë gjuhëtarët do të japin dorëheqje nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Jo për Ledi Shamkun, por për shkencën, për të moralshmen, për integritetin e shkencëtarit.
Krejt në fund: që Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës të mos bie në nivel të “mentalitetit” të kuazi-shkencëtarit të Akademisë Shqiptare, do të bënte mirë që t’i kërkonte publikisht Ledi Shamkut që ta publikojë atë shkresë që e paska ajo, të cilën Skënder Gjnushi ia paska dërguar Akademisë së Kosovës! Vetëm një këmbëngulje e vendosur e Akademisë do të mund ta nxirrte si “humoriste” zonjën Shamku! Po çka nëse ajo me të vërtetë e ka një shkresurinë të tillë të krye-akademikut shqiptar me të cilën kërkon që të dëbohet nga Konferenca albanistja! Publikimi i kësaj kërkese do ta shpërfaqte në “humorist” tërë Akademinë e Kosovës. Do t’i vije keq zonjës Shamku, sepse ajo reagimin e vet e përfundon me “Kosovë, t’kam nanë n’shpirt”! Dhe, nëna, kurrë nuk ka ndodhur që t’i dëbojë fëmijët e vet! /HEJZA/