Ish-Kryeministri Sali Berisha ka folur për herë të parë pas shumë kohësh për ish-aleatin e tij në qeverisje Ilir Meta duke e vlerësuar lart angazhimin e tij për zgjidhjen e krizës.
“Përpjekjet e Ilir Metës për tu vlerësuar. Një njeri që thotë se mandatet e mia janë në favor të zgjidhjes së krizës, unë mendoj se ai ka bërë detyrën e tij me përgjegjësi. Çdo politikan që ka nuhatje politike e sheh që vendi është zgrip”, ka komentuar ish kryeministri Berisha gjatë intervistës së tij në Tonight Ilva Tare.
Por i pyetur se kush mund të jetë një njeri që mund ta zgjidhë krizën në këtë pikë Berisha ka sqaruar se: “Asnjë negociatë nuk mund të ketë sukses në rast se Rama për karrigen e tij dhe lidhjet me krimin, qëndron në këtë pozicion unë nuk shoh dritë të mundshme. Kryeministri mund të ketë shumë lloj profilesh negative por 1 tipar i tij bëhet i rrezikshëm nëse ai nuk pranon votën. Në këtë moment ai bëhet armik i lirive të çdo shqiptari”.