HEJZA me SARË GJERGJIN, poet
Sarë Gjergji, i lindur në Stubëll, është autor i një sërë veprash letrare, të mirëpritura nga lexuesi dhe kritika letrare. Ai, gjithashtu, ka publikuar dhe shumë punime dhe artikuj mbi Platonin, Horacin, Buzukun, Kadarenë, De Radën, Konicën, Migjenin, Nolin, Seremben, për ndikimin e Biblës në letërsinë shqipe dhe atë evropiane etj. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë përfshirë në shumë antologji. Është dhe fitues i shumë çmimeve letrare. Si krijues e studiues u përfshi edhe në: Fjalori Enciklopedik i Kosovës, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovë, 2018; Leksikon Enciklopedik i Akademisë Shqiptare Amerikane, Prishtinë, 2020; Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001, Prishtinë, 2003 etj. Sarë Gjergji, pret mbrojtjen e temës së doktoratës në Universitetin “Shën Kirili e Metodi” në Shkup.
HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?
S. GJERGJI: Të shkruash shumë dhe të bësh letërsi janë dy gjëra. Koncepti i letërsisë është shumë më i thellë, shumë më kompleks dhe nuk lidhet me sasinë, me numrin e atyre që shkruajnë. Për fat të keq, sistemi i vlerave ka degraduar shumë, prandaj dikush që merr mundin të botojë ndonjë vepër, është mirë që paraprakisht të lexojë ndonjë rresht nga Aristoteli, Platoni, Horaci,Dante, Shakespeare, Milton, Blek, J. Austen,Orwell, Tolstoy, Joyce, Kafka, Eliot, Camus, Borges, Maqrues, Llosa, Eco, Goethe, Brecht, Hugo. Konica…Them se krijuesit e mëdhenj të të gjitha epokave na shërbejnë për një edukim dhe formim të mirë estetik-letrar.
HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?
S. GJERGJI: Historia e letërsisë shqiptare, që nga Shën Jeronimi (shek.. IV), dëshmon për figura të ndritura krijuesish brenda dhe jashtë atdheut. Në rrethana të caktuara historike ata ishin institucione drite më vete, ishin “çetë profetësh”. Sot, ka një tjetër ambient (kulturor), edhe mënyrat e komunikimit krijues-kritikë letrare-lexues kanë ndryshuar. Në ditët e sotme, jo rrallë, arti i mirë bëhet “pre klanesh” në vend se të ofrohet shujtë e përditshme shpirtërore. Megjithatë, një gjuhë dhe letërsi që në gjenezë ka vulën e hyjnores (Formulën e pagëzimit…), them se do gjejë rrugën e duhur, ndonëse edhe sot kemi krijues të shkëlqyer.
Një çështje tjetër mbetet rileximi dhe rivlerësimi i letërsisë shqiptare. Kjo do shtronte edhe nevojën e riperiodizimit të saj, të riemërtimeve të epokave letrare (bazuar në prurjet dhe rrymat letrare), si dhe shtrirjen e kufirit të kësaj letërsie deri në shek. IV.
HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?
S. GJERGJI: Pikërisht, amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”, kërkon një kritikë të fortë dhe parimore letrare. Është kritika që mund të ndihmojë në përmirësimin dhe korrigjimin e gjerave, por kur ajo i “nënshtrohet” dëshirës për lek, gjërat përkeqësohen edhe më shumë. Sa herë na ndodh të lexojmë vlerësime vërtet të mira për vepra që lënë shumë për të dëshiruar!
HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesjen institucionale të shteteve tona shqiptare?
S. GJERGJI: Portalet e ndryshme elektronike janë një mundësi e mirë për të ndihmuar në këtë drejtim, sikur të udhëhiqeshin nga njerëz profesionistë dhe me një shije të lartë letrare. Po edhe portalet, primare e kanë biznesin.
Përkujdesja institucionale shtetërore? Keni dëgjuar tek thonë se posti i ministrit (të kulturës…) është post politik dhe nuk është më rëndësi përgatitja profesionale e tij?!
HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces të cilin, detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergamenave, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshës, në shpat mali, në shpella!
S. GJERGJI: Tjetër ndjesi të sjell libri i shtypur e tjetër ai elektronik. Kur ke në dorë librin, ke në dorë një realitet konkret, një botë më vete. Mund të përkëdhelësh atë, ta përqafosh, ta shtrëngosh shumë e ta puthësh. A nuk na dëshmon këtë historia e rrugëtimit dhe gjallimit të librit ndër mijëvjeçarë? Një gjetje, zbulim i një libri të shtypur në të kaluarën, qoftë në pergamena, qoftë në rrasa argjile përjetohet ndryshe dhe është gjithmonë unik.
Libri të digjitalizohet, gjithashtu, por të shtypet gjithsesi…
HEJZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm.
S. GJERGJI:Kurrë nuk janë shumë gazetat dhe revistat kulturore-letrare. Gjithnjë janë e bëhen më të domosdoshme. Kemi nevojë për më shumë sosh, siç po e dëshmon edhe “Hejza”, për më shumë investime dhe mbështetje edhe nga ana institucionale. Një kritikë e mirëfilltë dhe konstruktive letrare, e ndihmon të bërit letërsi, ndërkaq një kritik i mirë gjen gjithmonë rrugën dhe hapësirën e duhur për komunikim.