“Kafsha shtëpiake” e pushtetit

U publikua një apel i Shaqir Fetait dhe pasuan mijëra reagime të popullatës myslimane në vend. Tashmë Shaqir Fetai konsiderohet si ato “kafshët shtëpiake” pas të cilave qyetarët “avangardë” lënë mendtë. Më mirë t’ia vrasësh pjesëtarin e familjes se sa t’ia shqelmoshë, bie fjala, një këlysh

Shaqir Fetai paska lëshuar një apel që ishte në të njëjtën valë me apelin e pushtetarëve maqedonasë. Ruajeni distancën, vëni maskat dhe kujdes me dezinfektantët! Do me thënë se, myslimanët e vendit janë popull i prapambetur të cilit duhet t’ia përkujtojë Shaqir Fetai sa herë që t’i thotë pushteti. Sepse, pushteti e di që myslimanëve të vendit, pra, shqiptarëve, nuk u ha palla për apelet e shtetit, e ndërsejnë Shaqir Fetain, duke harruar se, popullata jonë, duke e konsideruar edhe Shaqir Fetain si të pushtetit maqedonas, as që dëshirojnë ta dëgjojnë. Çdo apel i tij ka kundërefektin e vet!

Ja, pra, lojaliteti i Shaqir Fetait me pushtetin, fërkimi i tij për pushtetin, si qeni i zgjebosur për shtyllat prej betoni, rezultoi me mundësinë që, të paktën, myslimanët e vendit një ditë ta falim teravinë në xhami! Dhe, apelet gjithandej, propaganda gebelsiane e Shaqir Fetait po vlon, myslimanë, sot mund ta falni teravninë në xhami! Po nesër? Nesër siç do të thotë pushteti!

Pushteti, ngjashëm si familjet bashkëkohore, i kanë kafshët e veta shtëpiake, “omiljenikat”, për të cilët lënë mendtë. Askush nuk guxon t’i prekë e t’ua prishë. Kafsha shtëpiake ka të drejta më shumë se një anëtarë familje, mund të bëjë gjithçka, madje edhe të të kafshojë, ndërsa t’i ke të drejtën vetëm t’i përgëdhelësh dhe asgjë më shumë!

Shaqir Fetai apelon tash e një vit, ashtu siç e porositë pushteti, të kemi kujdes mos të rrimë të tufë, të mbajmë distancë, mos të falemi, mos të ushqehemi në tufë, të mos ketë iftare të organizuara e të përbashkëta, mos të rrimë në një ambient të mbyllur me më shumë persona, të mbajmë maska, të dezinfektohemi etj. etj.

Ndërsa faktet flasin se ai është shkelësi më i madh i këtyre rregullave qeveritare, të kërkuara edhe nga OBSH-ja! Janë publikuar me dhjetra fotografi nga “eventet” e ndryshme ku, Shaqir Fetai duket si ogiçi në krye të dhenve!

E fundit, para dy-tre ditëve: Shaqir Fetai, në Kërçovë, me rastin e “Akademisë solemne kushtuar Luftës së Bedrit”, lejon të organizohet një iftar në natyrë. Gjithandej ku policia sheh se po rrinë më shumë se katër persona, i gjobitë për thyerje të rregullave! Ndërsa fotografitë e publikuara nga vetë Shaqir Fetai e flasin të kundërtën, madje nga gjashtë persona në një tavolin, gjatë tërë kohës pa maska, dhe, ulen të hanë pa i dezinfektuar duart, ndërsa përshëndetet me “ua marrsha të keqen” me dhjetra myslimanë, ndërkohë që mund të jetë bartës i virusit që mund t’i infektojë të gjithë.

Hipokrizia e ka emrin Shaqir Fetai! Para tre ditëve organizoi vatrën potenciale të përhapjes së virusit, kurse sot, si “melaqja e Stançiqit”, apelon për kujdes!

“Mos bëni çka bëj unë, bëni siç ju them unë”, porosit hipoktiti, që bën jetë të “omiljenikut”, Shaqir Fetai. Turp të ketë. Turp që pranon t’ua prishë disponmin qindra mijëra myslimanëve të vendit, duke pranuar që të shpërfaqet në vegël sa herë që t’ia kërkojë pushteti maqedonas!

Leave a Reply