Në Kosovë është shënuar dita e personave të pagjetur. Me këtë rast është mbajtur seancë plenare në Kuvendin e Kosovës, në të cilën morën pjesë edhe deputetët serbë, për herë të parë pas shkarkimit të ministrit të tyre.
Deputetëve, familjarëve e udhëheqësve të institucioneve u është drejtuar përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve, Bajram Qerkini. Ai tha se liria për familjet personave të pagjetur nuk është kuptimplotë, pasi ata vazhdojnë të jetojnë me dhimbje e pritje dhe kjo duhet të jetë udhërrëfyes për të gjithë drejtuesit e institucioneve.
Ndërsa në oborrin e Kuvendit të Kosovës është zbuluar obelisku në nder të të pagjeturve nga Kryeministri Isa Mustafa, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe familjarët e të pagjeturve. Kryeministri Mustafa tha se qeveria është e përkushtuar të punojë që të gjithë të pagjeturit të kthehen në vendlindje, ndërsa premtoi se kjo çështje do të diskutohet edhe në Bruksel.
“Do ta bëjmë këtë jo vetëm çështje të Kosovës, por do ta bëjmë edhe çështje ndërkombëtare, sepse do të insistojmë me çdo kusht që për këtë të diskutohet edhe në institucionet më të larta ndërkombëtare, përfshirë edhe Brukselin, që të bëhet presion ndaj Serbisë në mënyrë që të kthehen familjarët tuaj dhe tanë këtu”, tha Mustafa.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se duke e ngritur këtë përmendore, përçohet një mesazh për të gjithë ata që ende mbajnë shpresa që trupat e të pagjeturve të kthehen te familjarët e tyre: “Si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, dëshirojmë të përçojmë edhe mesazhin politik, i cili është përkushtim i Republikës së Kosovës për fqinjësi të mirë për partneritet, por ajo mund të arrihet vetëm në atë moment kur shpirti i këtyre familjarëve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës do të jetë i qetë, kur këta njerëz që ende janë të pagjetur, të prehen të qetë në tokën e vet”.
Aktivitete për nder të të pagjeturve gjatë ditës ka pasur në vende të ndryshme të Kosovës, ku ende nuk dihet për fatin e viktimave të luftës.