Midis nesh
Pse sot kemi aq shumë nevojë për kritikën, për kritikën si studim shkencor mbi krijimtarinë dhe artin! Natyrisht, për ta herrë farën e keqe, barojën, nga vlera e mirëfilltë. Veç kësaj, kritika dhe kritikët sot janë më se të nevojshme edhe për verifikimin e krijuesve, për nxjerrjen në pah të vlerave të një krijuesi të mirëfilltë! A kemi sot nga gjeneratat e reja krijuese talent (për të mos thënë gjeni), të cilët duhet të nxirren dhe të mbahen në sipërfaqe si vlerë kombëtare! Kemi aq shumë muzikë, ndërsa kemi gjithnjë e më pak kompozitorë! Kemi aq shumë teatër e film, ndërsa nuk kemi një aktor apo aktore rrugës për ta siguruar një ditë respektin dhe dashurinë e popullit. Kemi aq shumë poezi, ndërsa askush nuk flet për një poet siç flitet në të njëjtën moshë për Agollin, për Podrimjen, për Shkrelin, për Spahiun, për Musliun, për Konushevcin, për Çapriqin, për Ahmetin, Lleshanakun etj.
Piktorët e mrekullueshëm po plaken ndërsa nuk po arrijnë ta shijojnë famën që e meritojnë, sepse kush të flasë për ata e për krijimtarinë e tyre? Pa dyshim, recensionet (qofshin ata edhe gazetaresk) do të ishin të mirëseardhur si lëndë e parë për ta ndarë shapin nga sheqeri, vlerën nga antivlera, librin nga antilibri…
Në arat me bimë grunore, sado të bereqetshme që mund të jenë, nëse lejojmë që të shtrihet baroja, do të kemi hambar të zbrazët! Sot, mjerisht, në çdo segment të krijimtarisë dhe artit po ndjejmë se si po na topiten shijet estetike, si të mjerë po konsumojmë shund, tallava-“art”! Konsumuesit e artit, debatuesit mbi artin, i kemi të nivelit që me kompetenca flasin për serialet turke, që muret e dhomave i kanë plotë me “piktura” të stampuara në miliona kopje, që nuk kanë këllçe të flasin për prozën e Pashkut, të Dërvishit, të Musliut, të Çelës, të Stanit, të Gashit, të Rrustemit…
Rreth librit shqip, në hapësirat shqiptare, diku po përkujdeset Shtëpi e Librit, e diku akoma Ministria e Kulturës! Libraritë shqiptare po gogësijnë nga librat privat, të paverifikuar, të paredaktuar e të palekturuar. Ministria për Kulturë e RMV-së, kohëve të fundit sikur ka marrë masa më shtrënguese për sa i përket librave që i sponsoron ajo! Nuk mund të botohet libër pa të paktën dy recensione. Botuesi, qoftë ai si subjekt juridik apo fizik, obligohet që bashkë me aplikimin të dorëzojë edhe recensione, nga emra të njohur të krijimtarisë letrare, ndërsa botuesi është i obliguar që t’i paguaj recensentët në shumën sa është përcaktuar nga vetë Ministria, madje, në fund kërkohet edhe dokument bankar që vërteton se shuma e caktuar i është lëshuar recensentit!
Ekziston njësi e veçantë e cila i përcjell të gjitha librat e botuar në gjuhën maqedonase nëse kanë emra të lektorëve, të cilët duhet të jenë ekskluzivisht të listës që janë të licencuar! Po ashtu, edhe emrat e recensentëve duet të jenë nga taborri i krijuesve me taban e me vlera! Institucioneve nacionale që përkujdesen për botimin e librit duhet të ngrenë edhe njësi inspektorësh që tërë kohës do të ishin në terren, për të inspektuar se çfarë lloj libri po nxirret në treg! Bibliotekat që nëpër rafte të tyre vënë libra me autorë për të cilët kritika letrare, qoftë edhe në nivel të recensionit, nuk e ka thënë asnjë fjalë, libra të rinj pa emra redaktorësh të spikatur, pa emra lektorësh të licencuar – duhet të ndëshkohen! Askush nuk ka të drejtë të përzihet në raftet private, shtëpiake, ku mund të radhiten turlifarë libri, por ama, përfundimisht, librit shqip i duhen ca rregulla; libri shqip duhet të lartësohet me emra krijuesish të mirëfilltë, e jo me “krijues” të cilët assesi nuk ia dalin ta kalojnë pragun e entuziastit, i cili ia del ta mbledhë farën e vet dhe të ekzaltohen nëpër “ndeja letrare” duke folur mbi personalitetin e “krijuesit”, ndërsa janë tubuar për “vlera estetike”!
Dikush duhet ta lexojë veprën para se të dalë në dritë, para se të ndihmohet nga buxheti popullor, para se të mbajë vulë emrin e autorit të mirëfilltë! Kush mund të jetë ky “dikushi” nëse jo recensenti, kritiku, i cili, me vlerësimin e tij do të shpaloste vlerat estetike të një krijimtarie, të një muzike, të një pikture, të një loje aktoreske! Recensenti, kritiku, pa dyshim që e ka rolin e ndjellësit për të joshur sa më shumë artdashës në shijimin dhe kultivimin e vlerave artistike. Kritika është reklama më profesionale që i bëhet një vepre artistike. Arti ynë, krijimtaria jonë artistike, mjerisht, po ndjehet “e përjashtuar” nga kjo shkencë! Fatkeqësisht, ndërsa sikur po na vie mirë teksa po fundosemi ditë e më shumë në shund e në “vlera” të diskutueshme. /HEJZA/