Kur do të “përfundojë” letërsia bashkëkohore!

Në fokus

Në mungesë të kritikës letrare, në mungesë të seriozitetit dhe angazhimit profesional të instituteve gjegjëse (të albanologjisë), por edhe i akademive tona të arteve, në mungesë të “instrumenteve” që do të përcillnin rrjedhat e krijimtarisë bashkëkohore, sot nxënësit dhe studentët tanë mësojnë “letërsinë bashkëkohore shqiptare”, e cila më tepër shpreh vazhdimësinë e një ideologjie të mbrapshtë të veshur me petkun e “qasjes bashkëkohore”, se sa me ndonjë angazhim profesional e kombëtar për të qenë dhe për ta mbajtur opinionin në rrjedha bashkëkohore të krijimtarisë sonë letrare.
Tekstet shkollore ku mësohet letërsia jonë bashkëkohore nuk shprehin kurrfarë unifikimi si të krijimtarisë ashtu edhe të shkrimtarëve kombëtarë. Akoma nuk kemi të unifikuar një libër të letërsisë bashkëkohore shqiptare siç më në fund e kemi një abetare. Nxënësit dhe studentët e Shqipërisë mësojnë letërsinë bashkëkohore që nis me Migjenin e përfundon diku me Xhevahir Spahiun apo me Moikom Zeqon! Ata të Kosovës mësojnë letërsinë bashkëkohore që nis me Migjenin e Esad Mekulin, që vazhdon me Anton Pashkun e Fatos Arapin, me Ismail Kadarenë e Dritëro Agollin, me Rrahman Dedën e Enver Gjerqekun, me Beqir Musliun e Musa Ramadanin, me Azem Shkrelin, Ali Podrimjen e Xhevahir Saphiun, me Ymer Shkrelin e me Sabri Hamitin etj. Ata nga Maqedonia e Veriut mësojnë edhe për shkrimtarët bashkëkohorë të Shqipërisë, Kosovës dhe, për nja dy-tre shkrimtarë shqiptarë të vendit! Nxënësit dhe studentët shqiptar të Shqipërisë, madje edhe “lexuesit bashkëkohorë” nuk dinë asgjë për letërsinë e shkrimtarëve të Kosovës, të cilët, llogariteshin si “disedentë” që i bënin karshëllëk sistemit komunist jugosllav; nuk dinë sepse sistemi komunist shqiptar jo vetëm që i anatemoi, por u përkujdes që të harrohen me nam e nishan! Janë të paktë ata lexues shqiptarë të Shqipërisë që dinë gjë për Teki Dërvishin, për Jusuf Gërvallën, për Beqir Musliun!
Shtrohet pyetja se, cili ishte kriteri që e patën parasysh autorët gjatë përpilimit të teksteve shkollore mbi lëndën e letërsisë bashkëkohore shqiptare? Nëse, bie fjala, i fundit shkrimtar që përfshihet nëpër tekste të tilla si përfaqësues i letërsisë bashkëkohore shqiptare është Xhevahir Spahiu, apo Moikom Zeqo, ose Sabri Hamiti e Agim Vinca, apo edhe Murat Isaku e Abdyalzis Islami, janë edhe një duzinë shkrimtarësh të tjerë bashkëkohorë të cilët, pa kurrfarë mëdyshje duhet të mësohen e të studiohen, të përfshihen nëpër tekste shkollore e akademike! Nuk mundet që krijimtaria e shkrimtarëve që me të drejtë llogariten bartës të letërsisë bashkëkohore, të cilët sot, në këtë bashkëkohësi nuk krijojnë më, sepse nuk jetojnë, ndërsa shkrimtarë të mrekullueshëm bashkëkohore të mos njihen, të mos studiohen, të mos përfshihen si njësi mësimore nëpër lëndët përkatëse. Apo, më të lehtë e kanë institutet, akademia si dhe kritikët letrarë që mos të hapërdahen në “hulumtime” të reja dhe të mjaftohen me atë punë që është bërë para 40-50-60 viteve, të shekullit të kaluar! Kur do të mësohet për Ridvan Dibën e Lazër Stanin si dy nga prozatorët më të mirë shqiptar! Kur do të mësohet për Lulejta Lleshanakun e Mimoza Ahmetin, kur do të mësohet për Besnik Mustafën e disa të tjerë, apo këta janë akoma të rinj dhe nuk e kanë dhënë maksimumin! Shkrimtarët pararendës janë përfshirë në moshë edhe më të re në të ashtuquajturën “letërsi bashkëkohore”! Në cilin tekst shkollor të niveleve të ndryshëm mësohet Agim Mala, Abdullah Konushevci, Tahir Desku, Ramadan Musliu, Qerim Arifi, Ragip Sylaj, Halil Matoshi e Haqif Mulliqi etj. etj.! Apo këta si dhe një duzinë krijuesish të tjerë të kësaj gjenerate, anëkend viseve etnike si dhe në diasporë, nuk i përkasin “letërsisë bashkëkohore”, nuk mund të përfshihen në këtë periudhë krijuese, sepse janë “të tjera periudhave dhe të tjera emërtimeve” të letërsisë! Cilën letërsi duhet ta përfaqësojnë Nehas Sopaj, Xhabir Ahmeti, Resul Shabani, Shkëlzen Halimi, Lulzim Haziri, Selajdin Salihu, nëse jo letërsinë bashkëkohore! Institucionet tona shkollore dhe akademike akoma nuk e kanë krijuar një bazë dhe një tavan, të vlerave estetike letrare, për t’i kategorizuar pastaj në nivele, të dihet se çfarë do të mësohet e studiohet në vitin e parë, çka në të dytin, në të tretin, çka në të katërtin!
Letërsisë sonë bashkëkohore i mungon karakteri i një “abetareje të unifikuar”, por jo të stisur ekskluzivisht në “36 shkrimtarë” aq sa i kemi shkronjat, por nëse nuk mund të studiohen të gjithë shkrimtarët dhe krijimtaria e tyre letrare, të paktën të përmenden me emër e mbiemër, të nënvizohen veprat e tyre, të cilat shprehin vlerat e krijimtarisë bashkëkohore shqiptare! “Bashkëkohore”, “e sotme”, “moderne” nënkupton krijimtarinë që zhvillohet sot, dhe jo atë që është krijuar para 30-40-50 viteve e më shumë! Krijimtaria e këtyre viteve apo edhe më të vonshme mund të llogariten si kthesë e fuqishme drejt krijimtarisë moderne, bashkëkohore, të sotme, por, jo edhe si fundi i kësaj “letërsie bashkëkohore”, sepse i bie pastaj që shkrimtarët e sodit të jenë “qoftexhinjë”, qenie neveritëse për kritikën letrare bashkëkohore, e cila, me gjasë po na mungon ose nuk është e aftë për ta përcjellë trendin dhe nivelin e krijimtarisë së mirëfilltë bashkëkohore.
/HEJZA/

Leave a Reply