Ka përfunduar takimi i dytë mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit Aleksandar Vuçiç për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Mësohet se në takimin që u zhvillua në Bruksel, Kurti i ka propozuar sërish Vuçiçit që të nënshkruhet një Deklaratë e Paqes mes dy vendeve. Megjithatë kjo është refuzuar nga presidenti serb pa u lexuar fare.
“Unë sot propozova fillimisht një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene, ose Deklaratë të Paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që u refuzua. Atë çfarë kisha kërkuar herën e kaluar e kam përgatitur në mënyrë të balancuar me një tekst me gjashtë nene, mirëpo u refuzua ende pa u lexuar. Kjo tregonte mosgatishmërinë për marrëveshje pasi u refuzua pa u lexuar fare”, tha Kurti për mediat.
Kryeministri i Kosovës u shpreh se ka kërkuar heqjen e 11 barrierave që Serbia i ka vendosur Kosovës. Po ashtu sipas Kurtit nuk ka pasur asnjë dakordësi për një deklaratë të përbashkët. Albin Kurti thotë se pala serbe ka kundërshtuar ashpër përfshirjen e togfjalëshit “ballafaqimi me të kaluarën” në deklaratë.
“Kur ishte dakordimi për një deklaratë të përbashkët ne ishim dakord për pikën që në fund të muajit Gusht të takohen udhëheqësit e delegacioneve tona dhe që gjithashtu të ketë një takim tjetër në muajin shtator midis krerëve të dy vendeve tona dhe insistuam që aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit të futet edhe togfjalëshi ‘ballafaqimi me të kaluarën’ dhe kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga ndërmjetësi Josep Borrell, mirëpo u refuzua nga presidenti i Serbisë që nuk pranoi assesi të futet togfjalëshi ‘ballafaqimi me të kaluarën’. Nuk e kuptoj pse duhet t’i frikësohemi kaq shumë ballafaqimit me të kaluarën kur e dimë se problemet i kemi nga e kaluara dhe me vetë faktin që merremi me çështjen e të pagjeturve që janë zhdukur në mënyrë të dhunshme ne po merremi me të kaluarën. Është për të ardhur keq që sot s’e patëm një dakordim për një deklaratë të përbashkët me ç’rast do ta kishim edhe togfjalëshin ‘ballafaqimi me të kaluarën’ të cilin e pranoi ndërmjetësi Borrell, por nuk u pranua nga pala serbe e cila e kundërshtoi shumë ashpër”, u shpreh Kurti.
Ndërkohë, presidenti serb, Vuçiç ka thënë pas takimit se delegacioni kosovar ka kushtëzuar disa kritere të reja politike. Ai u shpreh se pala serbe ka pranuar disa pika që janë pajtuar për t’u rënë dakord nga negociatorët kryesorë, por “shqiptarët nuk donin të pranonin asgjë”.
“Herën e fundit që ishim në Bruksel, mendova se ishte e pamundur të bëhej një takim më i keq, sot isha i bindur se është e mundur. Ne morëm propozimet e BE që ishin rënë dakord me negociatorët tanë kryesorë dhe Serbia u pajtua plotësisht. Këto ishin tre pika, për të intensifikuar përpjekjet e përbashkëta për të identifikuar mbetjet e të zhdukurve, për t’u përmbajtur nga veprimet që mund të destabilizojnë situatën në terren dhe për negociatorët kryesorë takohen një herë në muaj. Ne nuk mund të pajtoheshim për këto tre pika, Serbia i pranoi plotësisht ato, shqiptarët nuk donin të pranonin asgjë”, tha Vuçiç.
Një tjetër pikë e diskutuar mes palëve ka qenë edhe ajo për të zhdukurit. Kurti ka thënë pas takimit se nuk mund të zgjidhet kjo çështje, kur udhëheqës i delegacionit të Serbisë është Velko Odalloviç që sipas kryeministrit kosovar, ka qenë pjesë e okupimit dhe një nga njerëzit e Millosheviçit. Kurti u shpreh se Kosova ka caktuar një udhëheqës të ri të delegacionit që është Andin Hhoti, djali i Ukshin Hotit.
“Ne e kemi caktuar në Kosovë një udhëheqës të ri te delegacionit. Është Andin Hoti, djali i profesorit Ukshin Hoti. Nuk mendoj se mund ta zgjedhim çështjen e të pagjeturve nëse Odalloviç kryeson delegacionin. Ai ka qenë pjesë e okupimit të Kosovës. Ka qenë një nga njerëzit e Sllobodan Millosheviçit”.
Sipas Kurtit Serbia çdo herë po i shmanget thelbit të temës së për çfarë zhvillohet dialogu.
“Unë gjithmonë e ritheksoi çështjen e “elefantit në dhomë”. Kjo për shkak të mosnjohjes. Serbia çdo herë e anashkalon thelbin. Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe Kosova duhet ta njohë Serbinë. Por nëse anashkalohet elefanti në dhomë, atëherë mbetet pak hapësirë brenda dhomës”.
Pritet që në fund të muajit Gusht të takohen kryesuesit e delegacioneve.