Ajo që është më me rëndësi, duket se ky zhvillim shënon fillimin e ndryshimeve të paralajmëruara që Ballkani Juglindor të mos rrëshqasë në kaos, apo në rreshtime të tjera gjeopolitike.
Nga Dush Gashi
Duhet ta pranojmë se të gjithë jemi kapur në befasi. Nuk është edhe e çuditshme, sepse të gjithë kemi menduar sipas modeleve të të menduarit, të cilat kanë zënë vend për një kohë të gjatë në këto hapësira.
Ata që i kanë duartrokitur arrestimit të një zyrtarit të lartë serb, të kënaqur se ja, më në fund, njëherë po tregojmë dinjitet para serbëve, bile edhe duke e tepruar pak, madje qoftë edhe mashtrueshëm, vetëm për disa çaste, pa e bërë hesap llogarinë, e cila do të vijë më vonë – edhe nuk janë për t’u marrë seriozisht.
Për të tjerët, të cilët ishin skeptikë (përfshirë edhe mua), duke menduar po ashtu sipas modelit tashmë të njohur – se Hashim Thaçit, në zor për ta shpëtuar lëkurën e tij, nuk i dihet, sepse ka kohë që të gjitha veprimet i bën me egoizëm të pashembullt e në dëm të Kosovës – megjithatë ishte befasues jo aq arrestimi i Marko Gjuriqit, sa veprimet tepër spektakulare me këtë rast.
Depërtimi i njësisë speciale, duke hedhur shok bomba në masën e njerëzve, pastaj në sallën e tubimit, të tëra para kamerës së RTS-së së njohur për t’u gjetur në situata të tilla, të cilën nuk po e largonte askush, pastaj sjellja gati mesjetare e poshtërimit publik, duke e tërhequr pothuajse zvarrë rrugëve të Prishtinës, po ashtu para kamerave televizive – ishte shenjë e mirë për të dyshuar se dikë nuk e kanë lënë krejtësisht mendtë!
Mendimi «normal» dukej kështu: Thaçit, të cilit më shumë i përshtatet kaosi se sa gjendja normale, e po ashtu edhe Vuçiqit, cili nuk është i gatshëm për vendime të mëdha, do t’u konvenojë situata e re e krijuar.
Lista serbe, pos se do të dalë nga Qeveria e Kosovës, për çka kishte dhënë shenja, paralajmëroi se do të veprojë në përshkallëzimin e mëtejmë të situatës – duke formuar njëanshëm Asociacionin e Komunave Serbe.
Sigurisht, ky entitet i ri, i synuar sipas modelit të Republikës Serbe të Bosnjës ndoshta edhe nuk do t’u pranohej, por ata me këtë do të arrinin që, në rast të vazhdimit të bisedimeve, ta shtonin pazarin rreth kompetencave të Asociacionit, madje gjërat mund të shkonin edhe më keq, në drejtimi të vazhdimit në kohë të pacaktuar të konfliktit të ngrirë.
Por, tërë këtij mozaiku i mungonte një gur i rëndësishëm për të qenë komplet – si u zunë në befasi edhe ndërkombëtarët?
Në të vërtetë, pati një shenjë se ndërkombëtarët, ndonëse u dukën të heshtur atë ditë, është larg asaj të jenë kapur në gjumë.
«The Guardian» ka dhënë deklaratën e një diplomati anonim, i cili e miratonte veprimin e pushtetit të Kosovës, duke përkujtuar se se «ka procedura të qarta që vendosin për hyrjen e ministrave serbë në Kosovë».
Po ashtu, shenjat e qetësisë, të cilat po lexohen tek zyrtarët kosovarë, tregojnë se ata nuk janë vetëm. Gurët e mozaikut janë vënë të gjithë në vend!
Sigurisht, me tërë këtë ngjarje dikujt po i dërgohej një porosi dhe ai më së paku ishte Aleksandar Vuçiqi! Të mos harrojmë, «darka e fshehtë» e Thaçit e Vuçiqit nuk është mbajtur në një kafene provinciale ballkanike, por mu në qendrën e fuqisë botërore!
Edhe ngjarjet në veri tash, sado dramatike të duken, besoj se megjithatë nuk do të shkojnë më larg se promovimi i fillimit të themelimit të këtij Asociacioni, po jo më me shumë kompetenca se sa mund t’i ketë me ligjet e Kosovës. Opozitari Boris Tadiq sigurisht se është kah e di se çka po flet!
Rasti i arrestimit zyrtarit të lartë serb, pra, ndoshta ishte aktrim, madje jo edhe aq i bindshëm, por duhet pranuar – i efektshëm.
Ajo që është më me rëndësi, duket se ky zhvillim shënon fillimin e ndryshimeve të paralajmëruara për 2018-ën, që Ballkani Juglindor të mos rrëshqasë në kaos, apo në rreshtime të tjera gjeopolitike!
Tash mbase edhe mund të kuptohen shkaqet e prishjes së Vetëvendosjes. Po ashtu, është interesante të vëzhgohet se kush, pos atyre më pak të informuarve, po ngulmon se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk duhet të hyjë në Qeveri!
Sigurisht, do të ketë edhe zhvillime të tjera, të cilat do të bëjnë që ky vit të jetë më së paku monoton!
Të shpresojmë edhe se, pas kaq shumë vitesh vendnumërimi në raport me Serbinë, por edhe në zhvillimet e brendshme, të jetë edhe viti i kthesës për së mbari!