Letër nga burgu – Komandant Lushnja: Në Kumanovë ranë dy dëshmorë, tjerët u vranë në tradhti

Vëllezër e motra shqiptarë ne deri në fund të luftimeve kishim dy dëshmorë ndërsa në fund të luftimeve policia sllavo-maqedonase jepte deklarata kontraverse duke lajmëruar herë 14-te të vrarë e herë 12-të e në fund 10-të. A thua se ne ishim në “xhungël” dhe ishim  me mijëra, e policia nuk na numëronte dot? Jo vëllezër policia priste urdhër për ekzekutim nga lartë. Djemtë tanë u tradhtuan dhe u vranë nga ata që na thirrën, nga politikanët tanë. Nga politikanët që iu kanë dhënë besën Gruevskit për Maqedoninë unitare dhe zhdukjen e burgosjen e shqiptarëve

Shkup, 3 shkurt – “Lajm” në vazhdim ju sjell ekskluzivisht një letër nga burgu, dërguar nga Genc Sefa-Komandant Lushnja, njëri prej pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës, i vetmi nga Shqipëria  i cili është në mesin e të arrestuarve. Njëjtë si Muhamet Krasniqi-Malisheva, ai thotë se para ngjarjeve në Kumanovë kanë pasur kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e BDI-së, të cilët u kanë thënë të presin deri më 12 maj, por pastaj  janë sulmuar në befasi. Letrën e plotë mund ta lexoni në vijim:

Këtë letër po e nisi me një thënie : “Zoti e ruajt kombin shqiptarë nga politikanët e vetë”.

Duke marrë shkas nga dezinformatat dhe spekulimet që po bëhen në emër të grupit tonë, nga makineria sllavo-maqedone dhe nga postierët e tyre pseudo-analistë mediokër dhe politikan pseudo-patriotë, të cilët me kohë e kanë shitur shpirtin tek shërbimet sekrete maqedonase, të cilët ia kanë zënë bishtin me derë këtyre politikanëve shqiptarë në pushtet, vendosa të publikoj këtë letër të hapur për ngjarjet e 9-të dhe 10-të majit në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë.

Që në fillim të kësaj letre dua ti garantoj popullit shqiptarë, se ne djemtë e UÇK-Së që luftuam për jetë a vdekje në emër të lirisë në “Lagjen e Trimave” që kur na ka lindë nëna shqiptare, për idealet kombëtare as jemi shitur e as jemi blerë me pare. Ne jemi djem që nga lufta e Kosovës, Luginës se Preshevës dhe Maqedonisë, iu përgjigjëm thirrjes me armë në dorë.

Që nga përfundimi I luftës më 2001 ne kemi përcjellë me vëmendje çdo segment të jetës së popullit tone në Maqedoni dhe zbatimin e marrëveshjeve të dala nga marrëveshja e Ohrit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Duke pare se si 15 vite pas luftës së armatosur të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni jo vetëm që nuk u avancuan, por bënë hapa mbrapa më zi se para luftës. Ndryshimet kushtetuese nuk u bënë kurrë, shqiptarët edhe më tej trajtohen si pakicë kombëtare, dhe jo si shtetformues në trojet e tyre etnike.

Vrasjet enigmatike të luftëtarëve më të shquar të UÇK-së pas luftës.

Burgosja e shqiptarëve me inskenime të ndryshme si Rasti i Sopotit, Brodecit, rasti i ashtuquajtur Monstra etj. Në të vërtetë lufta e 2001-shit u përdor vetëm si trampolinë për rrugën drejt konsolidimit të pushtetit të përfaqësuesit politik të UÇK-së Ali Ahmetit dhe klanit të tij familjar. Për këtë arsye ne vendosëm që të kapim përsëri armët.

Ne para se të dilnim në terren të uniformuar dhe të armatosur, gjatë gjithë kohës jemi konsultuar me ish funksionarë të lartë të UÇK-së, sot funksionarë të BDI-së, dhe me disa diplomat perëndimorë të cilëve ju a kemi paraqitur kërkesat tona.

Funksionarë të lartë të BDI-së jo vetëm që janë njoftuar por edhe na kanë premtuar ndihma në njerëz e logjistikë. Disa pseudo-analistë na kanë quajtur mysafirë të paftuar, mercenar, apo edhe eksportues të patriotizmit etj. Por jo i nderuar populli ynë, ne ishim të ftuar dhe dakorduar me ish udhëheqësit e luftës e që sot janë në pushtet. Por në të vërtetë këto politikan nuk kishin në mendje lirinë e shqiptarëve, JO. Ata jo vetëm që u dakorduan me ne por na kërkuan që mos të kryejmë aksione apo të dalim publikisht deri në datë 12 Maj, që përkonte me datën e rënies së Komandantë Kushtrimit (Harun Aliut) dhe ne pranuam.

Por vëllezër ato nuk e kishin qëllimin te dita simbolike e rënies së Komandant Kushtrimit, ajo ishte vetëm justifikim. Qëllimi i tyre ishte eliminimi i grupit, dhe përdorimi i rastit për të ndihmuar dhe përforcuar pozitat e veta dhe të Gruevskit si gjithmonë, duke na përdorur si mish për top për ambiciet e veta të sëmura dhe duke keqpërdorur atdhedashurinë tonë. Dhe me të vërtetë ne kurrë nuk dyshuam, por nuk e arritëm datën 12 se ne u sulmuam në datën 9 Maj.

Tani për ta vërtetuar tradhtinë le ti kthehemi datës 9 Maj. Ne u rrethuam dhe u sulmuam rreth orës 4 të mëngjesit pa paralajmërim dhe pa zbatuar as një procedurë standarde policore:

1.Nuk u bë verifikimi se kush ishim dhe cilat janë kërkesat tona.

2.Nuk u kërkua evakuimi i popullatës

3. Në asnjë moment nuk u bisedua me ne për ti ulur armët apo dorëzuar sepse qëllimi i tyre ishte asgjësimi jonë, sepse ata e dinin mirë se kush ishim dhe çfarë kërkonim.

Për këtë ishin kujdesur si gjithmonë politikanët shqiptarë dhe falangat e tyre. Ne iu përgjigjëm zjarrit të detyruar në vetëmbrojtje.

Gjatë gjithë luftimeve me intensitetin më të lartë dhe me të gjithë arsenalin policoro-ushtarakë që përdorën sllavo-maqedonasit, ne për shkak të gjakftohtësisë dhe pozitave mbrojtëse patëm një të plagosur dhe dy luftëtarë të rënë në betejë, dhe këta dy luftëtarë na janë vrarë në befasi gjatë bisedimeve me OSBE-në. Gjatë gjithë luftimeve edhe pse me numër të madh forcash dhe armatimesh të rënda policore sllavo-maqedone, nuk mundi të depërtonte në lagje dhe as të na shkaktojë humbje të tjera. U desh përsëri ndërhyrja e OSBE-së për  ndërprerjen e luftimeve, me të cilën arritëm dhe marrëveshje dhe pranuam.

Vëllezër e motra shqiptarë ne deri në fund të luftimeve kishim dy dëshmorë ndërsa në fund të luftimeve policia sllavo-maqedonase jepte deklarata kontraverse duke lajmëruar herë 14-te të vrarë e herë 12-të e në fund 10-të.

A thua se ne ishim në “xhungël” dhe ishim  me mijëra, e policia nuk na numëronte dot? Jo vëllezër policia priste urdhër për ekzekutim nga lartë.

Djemtë tanë u tradhtuan dhe u vranë nga ata që na thirrën, nga politikanët tanë. Nga politikanët që iu kanë dhënë besën Gruevskit për Maqedoninë unitare dhe zhdukjen e burgosjen e shqiptarëve.

Lavdi Dëshmorëve të Kombit Shqiptarë

Zoti e bekoftë popullin shqiptarë

Janar 2016 nga paraburgimet Sllave

Komandant Lushnja

Leave a Reply