Vitet e fundit FIFA ka qenë në qendër të vëmendjes, jo vetëm për vendosjen e rregullave në futboll, por edhe për shkeljen e këtyre rregullave, të vendosura nga vetë ajo.
Trupa qeverisëse e sportit më popullor në botë është shndërruar në një gjigant që qarkullon çdo vit miliarda dollarë, që i sigurojnë një pushtet të fuqishëm. Pushtet, por përgjegjësi jo aq shumë…të paktën sipas kritikëve.
Rregullisht FIFA është akuzuar për korrupsion, që arritën kulmin me zgjedhjen e Rusisë dhe Katarit si vende organizatore të dy botërorëve në vazhdim, përkatësisht 2018 dhe 2022. Me këto dy zgjedhje u arrit kulmi i akuzave, e mënjëherë pas kësaj, FIFA nisi një aksion spastrimi, por jo të personave që përfliteshin për korrupsion, por të akuzuesve të tyre.
Por pse duhet të ndërhynte për të pastruar korrupsionin në FIFA, një vend ku popullariteti i këtij sporti është mjaft i ulët? Një ndërhyrje e tillë mund të kuptohej fare mirë nga Anglia, Gjermania, apo vende të tjera europiane, ku futbolli nuk është më vetëm një lojë, por pjesë e jetës së përditshme të njerëzve, ndërsa për Shtetet e Bashkuara…
CNN jep arsyen kryesore, Kupa e Botës. Është një kompeticion që u siguron vendeve organizatore përfitime të mëdha. Vërtet organizohet njëherë në 4 vjet, ama kur organizohet, shndërrohet në spektaklin më të madh sportiv global.
Kur FIFA zgjodhi Rusinë, e më pas Katarin për organizimin e dy botërorëve të ardhshëm, shumë vende që kishin hedhur kandidaturën kritikuan procesin e përzgjedhjes dhe akuzuan për korrupsion trupën drejtuese, e deri edhe vetë presidentin, Sepp Blatter.
Të gjitha vendet, kandidatura e të cilave nuk u përzgjodh, kërkuan transparencë të mënyrës së përzgjedhjes dhe kandidaturave të hedhura.
Për t’u siguruar transparencën, FIFA pajtoi Michael Garcia, ish-prokuror amerikan i Nju Jorkut. Pas 19 muajsh hulumtime mbi aplikimin rus dhe atë të Katarit, ai hodhi gjetjet e tij në një dokument prej 350 faqesh.
Çfarë bëri FIFA? Çensuroi dokumentin dhe në muajin nëntor publikoi një version të shkurtër me 42 faqe, ku pastronte veten nga të gjitha akuzat. Ish-prokurori amerikan reagoi duke e cilësuar raportin të paplotë dhe të keqinterpretuar.
Këtu hyn në lojë FBI. Siç e thamë, Garcia është një ish-prokuror i Nju Jorkut, që zëvendësoi në këtë post James Comey, kreun aktual të Byrosë Federale të Investigimit (FBI). Pastaj është edhe një tjetër emër, Loretta Lynch, e cila e ndoqi çështjen nga Brooklyn, para se të emërohej në krye të Departamentit të Drejtësisë.
Çfarë e bëri FBI-në të dyshonte? Nëse FIFA pastroi emrin e vet, FBI nuk ishte gati të bënte të njëjtën gjë dhe në vend të mbylljes së dosjes, u vendos në lëvizje për të zbardhur nëse ndonjëra prej akuzave për korrupsion të ngritura kundër zyrtarëve të FIFA-s, ishte zbatuar në tokën amerikane.
E kush më mirë se një ish-zyrtar i FIFA-s mund të ndihmonte në këtë pjesë?! Chuck Blazer, një shtetas amerikan dhe ish-pjesëtar në strukturat drejtuese të FIFA-s, prej kohësh nuk paguante taksat në SHBA dhe rrezikonte disa vite të mira burgim.
Në këmbim të faljes së këtyre taksave, FBI i kërkoi që të shndërrohej në informatorin e saj për të vendosur në pranga zyrtarët e FIFA-s. Për muaj me radhë, Blazer u siguroi autoriteteve amerikane dokumente dhe dosje të tëra me materiale nga zyrtarët më të lartë të FIFA-s, ku nuk ishte e vështirë të mos gjeje një gjë që shkonte keq.
Por sërish, pse do t’i interesonte Shteteve të Bashkuara një investim kaq serioz në një çështje, që fundja edhe mund të hiqte dorë fare lehtë? Këtu mbërrijmë tek një tjetër emër. SHBA është pjesë e CONCAF, Federata e Futbollit të Amerikës Veriore dhe Karaibeve, pjesë e FIFA-s. Blazer ishte numri dy i CONCAF dhe me ndihmën e tij, amerikanët kërkuan të dinë nëse korrupsioni kishte prekur edhe turnetë futbollistikë të organizuar në SHBA. Vetë hetuesit besojnë se ka ndodhur. Njëri prej të akuzuarve është Joeffrey Webb. Ai është zv.president i FIFA-s dhe drejtues i CONCAF.
Hetuesit amerikanë thonë se të arrestuarit kanë pranuar se kanë marrë rryshfet që nga fillimi i viteve ’90, dhe shuma që besohet se është kaluar nën dorë tejkalon 100 milionë dollarët. Në këmbim të këtyre parave, ata siguronin të drejta televizive, sponsorë dhe marketingu në Amerikë.
A ka juridiksion FBI mbi zyrtarët e FIFA-s? Po, sepse së pari pas FBI qëndrojnë…Shtetet e Bashkuara dhe së dyti, hetuesit besojnë se në një pjesë të mirë të rasteve, janë shkelur ligjet amerikane dhe për transaksionet korruptive janë përdorur bankat amerikane. Së treti, sipas FBI-së, e drejta e juridiksionit u lind edhe për shkak se televizionet dhe rrjetet amerikane paguajnë shumat më të mëdha për të transmetuar Kupën e Botës.