Një informatë me gjuhë shkrimi që i nënçmon shqiptarët

Në “portalin” dhe në FB-un e Bashkësisë Fetare Islame të Shaqir Fetait, është publikuar një informatë, e cila, mbi të gjitha, dëshmon për angazhimin e këtij Institucioni, veç të tjerash, edhe në bastardimin e gjuhës shqipe. Agjencia për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe duhet të veprojë menjëherë. Të ndëshkohen “shqipfolësit” me qëllim që asnjëherë të mos u shkojë në mend të tallen më me këtë gjuhë të bekuar 

Shkruan Jasir Jashari

 

Më 16 janar të vitit 2018 ish-reisul ulema H. Sulejman ef. Rexhepi, pat pritur një delegacion që udhëhiqej nga ish-kryetari i Parlamentit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe njëherit Kryetar i Këshillit Global për Paqe dhe Tolerancë, z. Ahmed Bin Mohammad Al-Jarvan. Mysafirët arabë patën rastin të informohen në hollësi nga efendi Rexhepi mbi organizimin e jetës fetare në RM si dhe mbi funksionimin e organeve dhe të institucioneve të BFI-së, por edhe mbi problemet e ndruarnduarshme me të cilat ballafaqohet popullata myslimane por edhe mbarë shoqëria jonë.

Në fund, të dy palët u patën dakorduar që të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi në mes të BFI në RM dhe Këshillit Global për Paqe dhe Tolerancë.

Memorandumi u nënshkrua por kurrë nuk u publikua. A thua pse?

Fiks dhjetë muaj më vonë, pra, më 16 nëntor, me ftesë të deputetit Taulant Balla, njëherit edhe President i Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe, në Seancën e dytë Parlamentare do të marrë pjesë edhe H. Sulejman ef. Rexhepi, me ç’rast do të takohet edhe një herë me këtë personalitet arab! Në këtë Seancë morën pjesë kryetarë parlamentesh, deputetë, ministra si dhe personalitete të shquar nga mbi 60 shtete nga mbarë bota. Të pranishmëve do t’i drejtoheshin edhe Presidenti i Shtetit, Ilir Meta, Kryeparlamentari Shqiptar, Gramoz Ruçi, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, Kryetai i Parlamentit të Maltës, Anglu Farrugia, si dhe Presidenti i këtij Parlamenti Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe, Taulant Balla!

Tre vite e dy muaj e një ditë më vonë, më 17 mars të vitit 2021, në të njëjtën hapësirë, të njëjin personalitet arab, shumë të nderuar, e pret edhe Shaqir Fetai, në cilësinë e postit të vjedhur “reisul ulema i BFI-së”!

Që në titull, që në prezantim të parë, ia huqin edhe emrin edhe postin! E bëjnë njeriun “kryetar të paqes dhe të tolerancës”, sikur paqa dhe toleranca të jenë institucion, të jenë ndonjë organ shtetëror apo civil, sikur të jenë shtete apo krahina. Pra, “reisi” paska pritur z. Ahmed Bin Mohammad Al-JarvanM, “KRYETARIN E KËSHILLIT GLOBAL PËR TOLENCËN DHE PAQEN”! Dhe kësaj fraze i gëzohet deri në delir, Shaqir Fetai, ky farë “uruesi i mësimit dhe diturisë”!

Dhe, shihe ti shihe, që në fillim Shaqir Fetai e paska njoftuar me “biografinë e BFI-së”! Këtu po i japim vetes të drejtën dhe po flasim në emër të të gjithë myslimanëve të vendit: nëse Shaqir Fetai e di vetëm një detal nga “biografia” e BFI-së, kolektivisht, ne, myslimanët, do të bëjmë vetëvrasje!

Shaqir Fetai më tej paska folur për tolerancën e myslimanëve të RMV-së! Vazhdon edhe më tej të gënjejë, në të mirë të sistemeve dhe organeve që kanë ushtruar dhunë, shovenizëm si dhe diskriminim permanent fetar e kombëtar mbi këta myslimanë, të cilët, deri më vitin 2001 ishin të pamundur t’i japin fund këtyre nënshtrimeve, keqtrajtimeve, diskriminimeve të egra, të cilëve Shaqir Fetai u thotë “tolerancë myslimane”! Toleranca do të thotë pajtim me të gjitha diskriminimet, në të mirë të “paqes” që ta dikton pushteti autoritar apo diktatorial!

Në informatën paçavër shkruan se, Shaqir Fetai, mysafirin arab e paska pritur me nderime të larta! A e di ky farë “reisi” se çka do të thotë pritje “me nderime të larta”! Deri më sot, me nderime të larta ka pritur vetëm Ministrin e punëve të brendshme, Oliver Spasovskin! Megjithatë, çka parasheh protokoli i BFI-së në raste të pritjeve “me nderime të larta”!?! Asgjë, sepse, nuk ekziston një protokol i tillë, nuk ekziston një mundësi e tillë në BFI, ekziston vetëm në të folurit plotë gënjeshtra e sajesa të Shaqir Fetait!

A ka fjali më të poshtër, më të paskatë dhe më hutuese se sa kjo që haset në informatë: “Themelimi i Këshillit u bë në fillim të dekadës së dytë të shekullit njëzet e një, ku aderojnë 85 shtete”, thuase bëhet fjalë këtu për OKB apo për Organizatën e Shteteve të Painkuadruar, apo për ndonjë organizatë të shteteve të botës!

Ose, ata që shkruajnë paçavura të këtilla, apo që ia fusin “google translate”, të kenë kujdes se çfarë publikojnë, sepse, edhe pse Shqir Fetai nuk di të lexojë, si rrjedhojë, as të reagojë, të tjerët ka që e ndjekin faqen e BFI-së e që iritohen jashtë mase! Cili shqipfolës, apo cili armik i BFI-së, i myslimanëve dhe i shqiptarëve të këtij vendi e ka shkruar këtë fjali që gjendet në “informacionin” e publikuar në portalin e BFI-së: “me të cilën bashkësia ndërkombëtare dëshmoi një përhapje të gjerë të konflikteve të brendshme…”

Kërkojmë një shqiptarë, me përjashtim të Shaqir Fetait, i cili do ta kuptojë këtë fjali në informatën e BFI-së: “dhe rritjen e fenomenit të terrorizmit dhe dhunës, që goditi shumë vende, të cilat negativisht ndikoi në stabilitetin e paqes në punë.”

Hej, alo! O Shaqir Fetai, mos lejo bashkëpuntorë të tu analfabetë që të na e përçmojnë intelegjencien! A e shikon që po ta ngulin bashkëpunëtorët e tu, duke komunikuar më lehtë me “google translate” e duke të të ofruar fjali të këtillë: “së bashku me kryengritjen e vlerave të mira njerëzore dhe mbështetjen e pikave të takimit midis vendeve, të gjitha ato në përputhje me orientimin bashkëkohor të OKB…”! KRYENGRITJEN E VLERAVE TË MIRA NJERËZORE!!! Këtë mund ta gjeni, shqiptarë të nderuar, vetëm në faqen zyrtare të BFI-së të cilën e ka uzurpuar Shaqir Fetai, veç të tjerash, edhe për të na e nënçmuar angazhimin tonë akademik kombëtar për ta ruajtur e për ta bartur brez pas brezi gjuhën tonë të pastër e të dëlirë.

I ftojmë të gjithë gjuhëtarët, filozofët dhe shkencëtarët e logjikës të na e sqarojnë fjalinë e “ekspertëve” të BFI-së me në krye ORAO-n: “Ai gjithashtu ndërton politikën e fuqisë së butë…”!!!

Ma deshifroni pak, ju lutem, edhe këtë fjali: “me qëllim adresimin e çështjeve të paqes bashkëkohore në botë.”!!!

Hë, ju lutem, ndjesë, edhe këtë fjali: “ne duhet pa dyshim të bëjmë përpjekje më jo-qeveritare, plotësuese të përpjekjeve të qeverive tona”!!!

Në këtë pasus, ku gjendet fjali e mësipërme, komplet e bastarduar dhe e pakuptimtë” kuptojmë se kjo organizatë ndërkombëtare në fakt qenka Organizatë joqeveritare! Nëpër evente të organizatave joqeveritare mund të marrin pjesë përfaqësues të organizatave simotra nga 70-80 shtete, pra, jo se aty aderojnë 70-80 shtete!

Nuk ka shqipfolës në botë që do ta lejonte një fjali si kjo në kuadër të një informacioni sado të dobët: “Rritja dhe zhvillimi në normat e Ligjit Ndërkombëtar…”!!!

Cili shqipfolës e ka shkruar apo e ka përkthyer këtë fjali: “Këshilli Global për Tolerancën dhe Paqen respekton disa parime. Ato kryesore janë:”!!!

Meqë ky bastardim gjuhësor edhe më tej haset në këtë informatë, kjo do me thënë se, ose nuk e ka lexuar askush, ose e kanë lexuar por nuk e rruajnë fare, ose, e bëjnë me kërkesa të Shaqir Fetait, sepse atij i konvenon kjo “shqipe” e shtrembëruar, alogjike dhe shumë e shëmtuar!

Kurse fundi i këtij informacioni paçavurë, shërben për ta “lezetosur” gjënë, tamam si qershia mbi tortë: “Ai është i diplomuar në inxhinierinë aeronautike, një diplomë në Aeronautikës (Francë 1982), një diplomë të Inxhinierisë së Lartë nga Instituti i Forcave Ajrore (Egjipt 1987), si dhe një diplomë të protokollit ushtarak (Shtetet e Bashkuara të Amerikës 1995).

Ai gjithashtu kaloi shumë seanca diplomatike, ushtarake dhe ndërkombëtare.”

Ky tekst, në masë prej më se 80 për qind duhet të jetë lëndë shqyrtimi nga Agjencia për Zbatim të Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe dhe, pa dyshim, pastaj, kjo Agjenci të ndërmarrë masa konform Ligjit dhe të mos lejojë për asnjë moment tallje të tillë me gjuhën shqipe. Shqipfolësve, të cilët, deri në këtë nivel e degradojnë gjuhën shqipe, duhet t’u ndalohet edhe të flasin shqip!

Po këta çka lanë pa bërë të zezë e të keqe, që mos ta bëjnë edhe këtë shëmti – bastardimin e gjuhës së ëmbël shqipe!

Leave a Reply