Pas deklaratës së fundit nga kryeministri turk, i cili për herë të parë pas krizës midis dy vendeve në vitin 1996, i ka quajtur ishujt Imia si pjesë e Turqisë, në mbrëmjen e së dielës i veshur me rroba ushtarake presidenti Erdogan ka kritikuar ashpër BE dhe Greqinë duke ngjallur reagimin e fuqishëm të Athinës.
“Nuk thate asgjë për 8 ushtarakët turq puçistë që u përpoqën të më vrasin dhe ikën në Greqi me helikopter.
Tsipras më tha se do t’i kthejë për 15 ditë, por kaluan muaj dhe vite dhe jo vetëm që nuk i ktheu, por edhe po i mbron terroristët.
Kurse per dy ushtarakët grekë, që i kapëm brenda kufirit tonë, ka vënë edhe Europën ta na i kërkojë.
E pra siç thoni ju se për 8 turqit do vendosë drejtësia greke, edhe për dy grekët do vendosë drejtësia turke”- ka thënë ai.
“Greqia është shtet i së drejtës dhe ka një kryeministër që respekton dhe njeh procedurat e drejtësisë greke dhe jo një sulltan, që mund të premtojë për vendimet e gjykatave”, thuhet në deklaratën për shtyp të zyrës së kryeministrit Tsipras.
Tashmë në Athinë janë të bindur se gjatë muajve në vazhdim mund të ketë një incident të nxehtë në Egje dhe kështu shpjegohet edhe gatishmëria ushtarake, ndërsa burime diplomatike shtrojnë pyetjen se sa mund të durojë Greqia sfidat turke në një rast të tillë.
Ndërkohë në shtypin grek nuk ka kaluar pa i dhënë rëndësi edhe vizitës së shefit të shtabit të forcave të armatosura të Greqisë, Alkiviadhis Stefanis në postat ushtarake në perëndim të vendit në kufijtë greko-shqiptare gjate kësaj fundjave.
“Kufiri greko-shqiptar. Stafi i postës, rojat e kufirit dhe banorët e fshatit ruajnë Termopilet. I falënderojmë dhe i përgëzojmë ata”!- ka qene mesazhi i tij në Twitter.(TCH)