Policia e Beratit njoftoi marrjen e masave për zhvillimin sa më normal të Pelegrinazhit në Malin e Tomorrit, në datat 20-25 gusht.
Shërbimi i policisë do të jetë më i përqëndruar në akset rugore Berat-Poliçan-Pronovik-Novaj-Teqe, Poliçan-Çorovodë, Çorovodë-Gjerbës-Teqe e Kulmakut, e pika të tjera që do të vendosen, si dhe në territorin ku zhvullohet aktiviteti i pelegrinazhit.
Komisariatet e Policisë në Berat, Kuçovë dhe Skrapar do të rrisin praninë e shërbimeve të Policisë Rrugore në akset kryesore.
Qëllimi është përballimi i fluksit të automjeteve, orientimi dhe marrja e masave ndaj përdoruesve të rrugës që qarkullojnë në gjendje të dehur apo shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve automobilistike gjatë periudhës së Pelegrinazhit për në Malin e Tomorrit.
Janë marrë masa edhe për bllokimin e mjeteve të tonazhit të lartë që transportojnë pllaka guri nga mali në qytet, me qëllim lënien e lirë të rrugës për lëvizjen e lirë të automjeteve.
Gjithashtu, janë marrë të gjitha masat për përcaktimin e vendqëndrimeve të automjeteve të personaliteteve të larta shtetërore, pelegrinëve dhe Policisë së Shtetit, me qëllim disiplinimin e lëvizjes së automjeteve dhe dislokimit të forcave.