Pse po bëhen të mërzitshme manifestimet letrare!?

Midis nesh

Manifestimet e ndryshme letrare që organizohen gjithandej hapësirave shqiptare, kanë filluar të bëhen të mërzitshme dhe bajate për shumë arsye.
Tashmë është e qartë se këto manifestime janë shndërruar në vendtakime të disa njerëzve të njëjtë që bëjnë përzgjedhje të çuditshme të autorëve (e ftojnë njëri tjetrin, unë ty në Kosovë, ti mua në Shqipëri, në Maqedoni), në të shumtën e rasteve autorë me vlera të dyshimta ose shumë pak të njohur edhe në vendet e tyre.
Thjeshtë, tubohen për t’i harxhuar mjetet e dedikuara, për t’i ndarë disa çmime, për të bërë qejf me ndonjë gotë dhe kështu përfundon gjithçka. E gjithë kjo i ngjan thënies: “hyn e dil, haxhi Qamil”, duke manifestuar një diletantizëm të çuditshëm.
Gjithë këtë e justifikon mungesa e risive, të cilat sado kudo do ta bënin manifestimin të jetë në hap me kohën dhe me një përmbajtje që do t’u përgjigjeshin sfidave të aktualitetit. Aplikimi i kritereve abuzive, sado që organizatorët mundohen ta “gjuajnë gurin dhe ta fshehin dorën”, u ndodh e kundërta, guri nuk shihet më, por dora ua lakuriqëson të gjitha qëllimet.
Dhe çfarë ndodh: në këtë katrahurë diletantizmi na del se kemi poezi të shpërblyer, por kemi edhe “poezi të denjë”. Format e këtilla për t’i plotësuar “apetitet” e të gjithëve ose “ujku i ngirë e delet në numër”, tregojnë qartë se këto manifestime kanë humbur karakterin e letrares dhe janë shndërruar në ahengje grupesh të caktuara.
Në vend që në këto manifestime të kemi debate për letërsinë, librin dhe për problemet e shumta me të cilat përballet kultura shqiptare në përgjithësi e letërsia në veçanti, organizatorët zgjedhin rrugën më të shkurtë, atë që më të gjithë e kanë mësuar përmendësh. Sepse, përderisa të gjithë, i vogël e madh, merren vetëm me politikë (kanë ardhur në përfundim si politika është veprimtaria më profitabile), debati për kulturën, artin e letërsinë, që kanë mbetur në fund të interesimit jo vetëm institucional, ndoshta do të nxiste që disa çështje të lëvizin së paku për ndonjë milimetër.
Por, fatkeqësia qëndron në atë se dikush këto manifestime i ka kuptuar si promovim të vetvetes e jo të asaj që është letrare, përkatësisht që është në dobi të komunitetit letrar. Organizimi i manifestimeve letrare me një qasje të re, do të mundësonte edhe, siç do të thoshte Mehmet Kraja, krijimin e shijes së kultivuar letrare, e cila njëkohësisht krijon ndjenjën e refuzimit ndaj “kooperativizmit letrar”, që ende është i pranishëm fuqishëm në mbarë letërsinë tonë. /HEJZA/

Leave a Reply