“Pranimi i refugjatëve, sprovë për NATO-n”
Shqipëria do të pranojë rreth 4 mijë refugjatë afganë. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për gjigandin mediatik CNN, ku ndër të tjera bëri të ditur se po punohet për operacionin e evakuimit të tyre.
“Për momentin po punojmë për listat që po na sjellin dhe ndërkohë që flasim mund të numërohen rreth 2 mijë të listuar dhe 2 mijë të tjerë për të cilët po punojmë për t’u përgatitur për t’i mirëpritur. Kështu që do të jenë rreth 4 mijë. Kushtetuta e parë e më shumë se 100 viteve me parë në paragrafin e parë kishte të shkruar që “Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut. Ata janë miqtë tanë dhe nëse duan të qëndrojnë janë të mirëpritur të qëndrojnë.”
Ai konfirmoi edhe një herë se angazhimi i Shqipërisë në përballimin e situatës humanitare që krijoi rikthimi i talibanëve në pushtet është jo vetëm një detyrim si vend anëtar i NATO-s, por edhe një detyrim moral ndaj atyre afganëve që besuan dhe punuan me forcat aleate.
“Jo nuk ka shqiptarë që kanë mbetur atje dhe ne jemi gati të mirëpresim afganët që besuan te ne si NATO, që punuan me ne dhe që ne nuk mund të mos i ndihmojmë ndërkohë që rrezikojnë të vdesin. Është një çështje jetë a vdekje për ta dhe është një çështje mjaft e madhe morale për të gjithë ne aleancën e NATO-s”
Rama theksoi se procesi i evakuimit dhe pranimit të refugjatëve afganë është edhe një sprovë për vetë ekzistencën e NATO-s, si një organizatë politiko-ushtarake ku besojnë shumë vende.
“Shumë fortë besojmë se është në nderin e të gjithë anëtarëve të NATO-s dhe të kësaj bashkësie vendesh të cilat kanë nxitur me forcën e shembullit dhe mbrojtur me shembullin e forcës. Idetë dhe vlerat për të cilat ne qëndrojmë. Në të kundërt NATO rrezikon në sytë e kaq shumë njerëzve në mbarë botën që kërkojnë liri dhe respektim të të drejtave të njeriut”.
Shqipëria është në mesin e 12 vendeve që kanë pranuar deri tani të strehojnë, të paktën përkohësisht, refugjatë afganë.