Reagim / Shaqir Fetai erdhi dhe po ik duke shkelur mbi Kushtetutën e BFI-së

Më në fund, “rijaseti” i Shaqir Fetait, mbajti të vetmen mbledhje për këto gjashtë muaj që kur u krye puçi klasik mbi Bashkësinë Fetare Islame në RMV.

Edhe me këtë rast u dëshmua katërcipërisht se Shaqir Fetai me shokët e vet në tërë këtë katrahurë të shkaktuar në BFI kishte mision të caktuar i cili duhej të rezultonte me përçarje, shkatërrim të unitetit të BFI-së, me skema djallëzore që mund të përfundojnë me pasoja të paparashikueshme për BFI-në dhe për myslimanët e vendit.

Shaqir Fetai erdhi duke e shkelur Kushtetutën e BFI-së dhe iku duke e shkelur të njëjtën! Shaqir Fetai duke u nisur nga motoja e tij se sa më keq për myslimanët aq më mirë për vetë atë, thërret një mbledhje të “rijasetit” në të cilën mundohet të bëjë petulla në ujë, duke ia përgatitur vetes terrenin për t’u zgjedhur reis!

Shaqir Fetai, duke e ditur se nuk do të ketë mundësinë e formimit të kuorumit të nevojshëm për “t’u zgjedhur” reis, shkon dhe i emëron për myfti të gjithë kordinatorët e Myftnive të BFI-së. Ky akt është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e BFI-së, sepse, sipas nenit 31 të Kushtetutës, “Muftinia kandidon kandidatë të mundshëm për mufti, Rijaseti i BFI-së bën emërtimin e muftive, kurse Reis ul Ulema verifikon emërtimin dhe u lëshon Murasele. Mosdhënia dhe tërheqeja e Muraseles obligon Muftininë në afat prej tridhjetë ditë të propozojë kandidatë të mundshëm për mufti.” Kurse, sipas neni 65 “Funksonarët e emëruar japin betimin solemn para Reis ul Ulemasë”!

Këto dy nene bëjnë qartë me dije se, Shaqir Fetai nuk është ai që mund të zgjedhë myftinjë, si dhe nuk është ai i cili jep Murasele dhe para të cilit kryhet betimi!

Shaqir Fetai shkon edhe më tej në shkelje të Kushtetutës së BFI-së! Ai na thotë se paska “formuar rregullore” për zgjedhje, ndërkohë që aktet normative miratohen në Kuvendin e BFI-së!

Fatkeqësisht, tërë këto shkelje dëshmojnë dy gjëra: kjo strukturë puçistësh ose nuk kanë fare njohuri mbi Kushtetutën e BFI-së, ose tashmë, të dëshmuar si elementë të huaj, e bëjnë atë për të cilën porositen nga nëntoka që nuk ia do të mirën as BFI-së por as myslimanëve të vendit.

Lëvizja Mysllimane për Reforma në BFI është më se e bindur se, shumë shpejt, dikush do të përgjigjet para instancave të drejtësisë në vend, sepse, Kushtetuta e BFI-së nuk është leckë që mund të shkilet e të përbaltet aq lehtë nga Shaqir Fetai dhe shokët e tij, Kushtetuta e BFI-së është një amanet, është një premtim i dhënur para Allahut Fuqiplotë, sipas të cilit premtim do të punojnë me përgjegjësi dhe përulësi të plotë të gjithë organet, të emëruarit dhe të zgjedhurit e BFI-së.

Kështu siç është vepruar në këtë mbledhje të Rijasetit, të datës 11 nëntor të vitit 2020, të thirrur nga Shaqir Fetai, do të vepronin vetëm shërbimet e huaja të cilat nuk ia duan të mirën islamit, unitetit fetar dhe mbarë myslimanëve të vendit.

Lëvizja Myslimane për Reforma të BFI të RMV-së

Leave a Reply