Rrëfehet De Biasi: Jam ambicioz, dua të fitoj

Gianni de Biasi tregohet i sinqertë dhe tregon jetën dhe karrierën e tij. Në një intervistë për “Sky Football night”, tekniku italian i Kombëtares shqiptare flet hapur për karakterin e tij duke theksuar se ka ndryshuar shumë gjatë gjithë këtyre viteve.

“Në të kaluarën kam qenë shumë impulsiv. Kur një arbitër gabonte, isha gati të protestoja, por tani nuk zemërohem më aq shumë dhe i mendoj më shumë situatat. Për më tepër, tani jam edhe më pak supersticioz në krahasim me fillimet e karrierës sime. Kuptova se ato rite që bëja përpara çdo ndeshjeje fyenin inteligjencën time dhe kështu nuk i bëra më”, tha italiani.De Biasi në intervistën e tij theksoi gjithashtu se të qenit ambicioz është një prej tipareve të tij.“Jam shumë ambicioz, dua gjithnjë të fitoj. Kjo më ndodhte edhe kur shkoja në shkollë. Ndodhte që me shokët bënim garë kush dilte më shpejt nga klasa kur binte zilja dhe unë isha gjithnjë i pari. Ishte një obsesion që mbeti te unë me kalimin e kohës”, vijoi tekniku i Kombëtares kuqezi.Aventura e radhës së Gianni de Biasit është pikërisht Kampionati Europian i futbollit që do të zhvillohet në Francë duke drejtuar Kombëtaren shqiptare për të cilën ky është një sukses historik. Shqipëria është në Grupin A me Francën, Zvicrën e Rumaninë dhe sfidën e parë do ta luajë pikërisht me skuadrën helvete të drejtuar nga trajneri Petkovic./ Top Channel

Leave a Reply