Shqiptarët po përballen me një rritje të shpejtë të ushqimeve. Atë që po ndodh tashmë në treg po e reflektojnë edhe shifrat zyrtare të Instat pasi inflacioni arriti në gush në 2.4%, ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i çmimit të karburanteve dhe artikujve ushqimorë. Kjo padyshim rëndon më shumë xhepat e shqiptarëve që çojnë rreth 38% të shpenzimeve të tyre për ushqime.
Mes grupit të ushqimeve dhe pijeve alkoolike që u rritën me 4.6% më shumë se një vit më parë, shtrenjtimin më të madh e kanë parë zarzavatet dhe frutat, teksa janë rritur ndjeshëm edhe çmimet e produkteve të bulmetit, vajrave e yndyrave si dhe bukës që së fundmi konsumatorët po e blejnë 10 lekë më shumë.
Shqiptarët kanë paguar më shumë edhe për karburant pasi çmimet e grupit të transportit luhatën me 4.3%, teksa u vu re një rritje edhe për çmimet e pagesave të qirasë, ujit dhe energjisë elektrike si dhe për restorante e kafene. Kostot janë rritur më tej edhe për mobilimin e shtëpive.
Për ekspertët kjo rritje e vrullshme e çmimeve të ushqimeve do të kufizojë mundësinë e konsumatorëve për blerjen e mallrave të tjera.
“Nuk kemi një rritje të mirëqenies, por qëndrojmë gjithmonë në stanjacion. çka do të thotë se një pjesë të mirë të të ardhurave t’i çojnë drejt tyre dhe kjo bën që të ulet konsumi i gjithë produkteve të tjera dhe kjo e çon ekonominë në një ekonomi mbijetese. Kur kemi nga njëra anë rritjen e çmimeve dhe nga ana tjetër kemi të ardhurat që nuk lëvizin ose lëvizin në nivele minimale do të thotë që ekonomia është në një agoni shumë të thellë. Dhe ekonomia shqiptare është në vështirësi.”
Teksa kostot e jetesës rriten me shpejtësi, pagat ngelen në vendnumëro. Për ekspertët as rritja e pagës në 30 mijë lekë më e madhja që prej 2008-ës nuk dha efekt në konsum për shkak të goditjes që mori tregu i punës.
“Bizneset duhet të favorizohen me kontrata që ato të kenë mundësi që të rrisin punësimin. Të lehtësohen nga taksat dhe nga ana tjetër me favorizimin e kontratave. Sektorë të veçantë si bujqësi, turizëm duhet të subvencionohen dhe nga ana tjetër biznesit duhet t’i subvencionohet TVSH-ja.”
Teksa efektet e pandemisë vijojnë të jenë ende prezente, ekspertët janë skeptik për një përmirësim të situatës dhe një gjallërim të konsumit dhe punësimit në një periudhë afatshkurtër.