Sikleti i intrigantit është një fenomen i njohur, i cili vjen nga përzierja e ambicieve personale, intrigave politike dhe moralit të dyshimtë. Cilat janë pasojat e këtij sikleti, si për individin që e krijon, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi
Shkruan Mahir Rexhepi
Intrigantët gjithnjë mendojnë se janë individë të mençur. Në fakt, ata kanë aftësi të jashtëzakonshme për të manipuluar situatat dhe njerëzit. Por kjo mençuri, në vend të një arme për të bërë mirë, shndërrohet në një mekanizëm shkatërrues. Ata përballen me dilema të përhershme: a do të vazhdojnë të përdorin taktikën e intrigës për të arritur qëllimet e tyre? A do t’i kushtojnë më shumë rëndësi moralit dhe etikës, duke rrezikuar kështu ambiciet e tyre?
Sikleti i intrigantit vjen nga frika e zbulimit të personalitetit të tij dhe pasojat që mund të sjellë ky zbulim. Nëse intrigat e tyre zbulohen, ata rrezikojnë jo vetëm reputacionin, por edhe pozitat që kanë arritur me kaq mundim. Ndaj, ndihen të ndarë mes dëshirës për pushtet dhe nevojës për të ruajtur një imazh të pranueshëm. Si të kuptohet se si duket intriganti? Mjafton të shikohet Shaqir Fetai, ky instalacion i dhunshëm i qarqeve antiislame e antishqiptare në krye të BFI-së, dhe sakaq do të krijohet percepcioni i qartë mbi intrigantin.
Sikleti i intriganit nuk prek vetëm individin. Kur intrigat bëhen pjesë e strukturave shoqërore, ato krijojnë një atmosferë të pasigurisë dhe mosbesimit. Një shoqëri ku intrigat mbizotërojnë, nuk është e shëndetshme; ajo kthehet në një terren të favorshëm për manipulime dhe shkelje të etikës.
Mjerisht, Shaqir Fetai intrigant dhe sikletet e tij tashmë na janë bërë pasqyrë që po e pasqyrojnë shoqërisë tonë. Nëse ne si individë dhe si shoqëri vazhdojmë të tolerojmë intrigat, do të jemi të destinuar të mbetemi në një cikël të vazhdueshëm pasigurie dhe manipulimi. Vetëm kur ne të vendosim ndershmërinë mbi intrigat, mund të shpresojmë për një të ardhme më të ndritshme dhe më të drejtë.
Tashmë është shumë e qartë se Shaqir Fetai po na ngel i vetmi “teolog” i cili tmerrohet nga liderët pararendës fetarë, i cili nuk është i trashëguar dhe i cili nuk pranon as praktika e as histori, porse, thjesht, ai mendon se ky është zanafilla e lidershipit dhe e institucionalizimit të fesë në këtë nënqiell. Këtë e ka siklet të tmerrshëm Shaqir Fetai dhe, për ta zbutur sado pak, dikush e këshillon që ta kthejë pak kokën kah liderët e mëparshëm, të shpreh respekt dhe dashuri ndaj tyre, nëse dëshiron që të ngelë i respektuar dhe i dashur nga ata që po vijnë. Pra, ky është sikleti i vërtetë i Shaqir Fetait – si të sigurojë pak dashuri e respekt pasi të shporret nga BFI-ja! Prandaj, Shaqir Fetai shkon tek ish-kryetari i BFI-së, Arif ef. Emini dhe, me këtë dëshiron të dëshmojë se ai mburret me të parët e vet. Shaqir Fetai ngelë i vetmi uzurpator i frontit të kryetarit të BFI-së, sepse ai aty nuk erdhi si trashëgimtarë, por si i instaluar, ndaj dhe nuk ka se kujt t’i falënderohet?
Shaqir Fetai, në vend që gjithë respektin t’i shpreh h.Sulejman Rexhepit, i cili e rriti, e zhvilloi, e shtyu përpara, ky ia nguli thikën deri në palcë! Shaqir Fetai jo që nuk e viziton ish-babain e vet shpirtëror, jo që nuk i shpreh respekt e falënderime për rrugën që ia trasoi deri në shndërrimin e tij prej bajge në lule për t’i marrur erë, por, ia shtojnë sikletin edhe më shumë të gjithë ata që e vizitojnë ish-reisin historik, madje i pengojnë edhe vizitat e katundarëve që i shkojnë në Konak.
Formë e zbutjes së sikletit është edhe blerja e meritave, blerja e falënderimeve dhe respektit. Shaqir Fetai të gjitha këto i blenë, sepse i duhen për lajme. Madje, i blenë me paratë e buxhetit të BFI-së dhe jo me paratë e xhepit të vet.
Kësisoj, këto ditë ai bleu një dekoratë nga një korporatë shoqatash fantazmë, të cilat, kurrë në jetën e tyre nuk kanë dëgjuar për emrin e Shaqir Fetait. Ose, janë të krijuara nga shërbimet e ndryshme policore me qëllim që t’ua përmirësojnë imazhin e rënë për toke të gjithë bashkëpunëtorëve të vet që i lënë si ujqër të vetmuar nëpër shkretëtirë.
Paramendoni, një institut fantazmë me emrin Instituti për Studime të Avancuara dhe Bashkëpunim me president nderi prof. Dr. Gabriele Andreoli, së bashku me Qendrën Ndërkulturore të Londrës, Qendrën ndërkulturore Al Saihati, dhe me Dr. Liu Liu, Anëtar i Bordit të Qendrës Ndërkulturore në Londër, paskan vendosur që ta dekorojnë Shaqir Fetain me motivacion për punën e palodhshme në vend dhe në nivel ndërkombëtarë, për kontributin e dhënë në sferën e prezantimit të Islamit në rrjedhat e kohës”. Sipas dekoruesve, “BFI i paska kushtuar rëndësi të veçantë dialogut ndërkulturor dhe fetar”.
Shaqir Fetai qenka lodhur duke na e prezantuar islamin në rrjedhat e kohës!!! Se si bëhet ky prezantim, kur e bëri këtë prezantim dhe sa e bëri – këtë nuk e di as vetë Shaqir Fetai. Është ky një refren më bajat që mund të dëgjohet vetëm nga sikletxhiu Shaqir Fetai!
Cili është ai aktivitet i dialogut kulturor dhe nderfetar që e paskësh zhvilluar Shaqir Fetai këtë nuk e dinë as Shaqir Fetai, këtë nuk e di asnjë mysliman i vendit dhe, tërë ky është një “aktivitet” imagjinar i cili jo që nuk ka ndodhur por as që di Shaqir Fetai se si të ndodhë? Shaqir Fetai është, thjesht, një intrigant, një demagog, një i pagdhendur që sikletet e veta i ka ngritur në mjet manipulimi.
Dekoruesit paskan vlerësuar se Shaqir Fetai ia paska dalur që të futet në kryesi e në borde të lloj-lloj shoqatave dhe institucioneve arabe!!! Po ata anëtarë të tjerë të bordeve e të shoqatave, po ata akademikë e intelektualë të paarritshëm që drejtojnë shoqata e institucione ku na qenka futur Shaqir Fetai, ata nuk meritojnë dekorata a? Vetëm Shaqir Fetai? Pash Zotin ftohen publikisht që të na tregojnë se kur morën vesh për këtë mahluk, kah morën vesh dhe pse vendosën që nga të gjithë ata përfaqësus e drejtues të shoqatave e institucioneve arabe ta përzgjedhin vetëm Shaqir Fetain? Apo, sepse ky, i zënë ngusht në zgripcin e deshifrimit të personaltetit të tij, ka nevojë për ta kamufluar pak veten dhe, për këtë kamuflim, është i gatshëm edhe të paguaj trash, natyrisht, nga arka e BFI-së!
Me matrapazllëqet e shoqatave fantazmë, të atyre subjekteve që dekoratën e kanë ngritur në mjet pazarllëku, nuk mund të shpëlahen të gjitha njollat që në çdo sekond ia hedh syve “ORAO” me praktikën e vet!
Ndoshta edhe është filozofi e të dështuarve që të ikin e të përfundojnë karrierë duke u futur brenda kështjellës së ngritur nga dekoratat që nuk vlejnë as për arrna e për pondla!