Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi vlerëson se kundërshtimet e opozitës për marrëveshjet e Brukselit nuk janë parimore, ndërsa veprimet e tyre për të bllokuar Kuvendin i quan përpjekje për tensione dhe trazira të mundshme.
“Nuk kam sesi ta vlerësoj, përveç se të shpreh keqardhje që subjektet politike opozitare, nga dëshira për të marrë pushtetin, janë në gjendje të mohojnë të gjitha këto arritje e madje t’u kundërvihen edhe miqve dhe përkrahësve më të mëdhenj të shtetit tonë. Është për të ardhur keq që pjesë e axhendës së një lëvizjeje politike ekstreme, e cila e nxit edhe viktimizimin e njerëzve të saj për qëllime politike dhe asnjëherë nuk ndalet për ta shikuar veten, për të treguar përgjegjësi dhe për të reflektuar sesa larg prej kufirit të sjelljeve të pranueshme nga shoqëria ka shkuar janë bërë edhe partitë e tjera dhe tani komplet alternativën e tyre politike e kanë përqendruar në vezë-hedhje dhe në aktivitete politike joserioze. Kundërshtimet e opozitës nuk janë aspak parimore, por vetëm përpjekje për të shtrembëruar një proces të mirë për Kosovën, me qëllim që të shkaktohen tensione dhe të legjitimohen trazirat e mundshme në Kosovë, për të cilat edhe po përgatiten. Por, edhe ata e dinë se frika dhe dhuna nuk kanë më vend në Kosovë”, ka deklaruar Thaçi.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Kosovapress”, shefi i diplomacisë kosovare ka vlerësuar katër marrëveshjet e arritura me Serbinë, të cilat sipas tij kanë forcuar sovranitetin dhe kanë larguar përgjithmonë pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës.
“Jo vetëm marrëveshja për asociacionin, por të gjitha këto marrëveshje i mbyllin rrugë një herë e përgjithmonë përpjekjeve të Serbisë për të ndarë Kosovën dhe e konfirmojnë sovranitetin dhe integritetin e saj si në rrafshin juridik, ashtu edhe në atë sektorial. Por, në rastin konkret, marrëveshja për asociacionin i ka mbyllur derën edhe përpjekjeve të Serbisë për të krijuar një asociacion jashtë ligjeve të Kosovës. Krijimi i tij është në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e vendit. Ky asociacion as nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të jetë nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë. Nuk do të ketë as shërbyes civilë, por vetëm punonjës të zakonshëm dhe nuk do të mund të ofrojë as shërbime për qytetarët, sikurse komunat anëtare të saj. Pra, me këtë marrëveshje, shteti i Kosovës e forcon sovranitetin dhe unitetin e vetë sipas Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa duke folur për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, numri dy i qeverisë ka shtuar se, kritikat e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë krejtësisht të paqëndrueshme, pasi sipas tij, Komisioni për Demarkacionin vetëm sa ka vizatuar kufirin e vitit 1974, në bazë të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.