Fitër Bajrami Festë që u dedikohet atyreve që kanë nevojë për ndihmë

“(Këta janë) ata që pendohen, e adhurojnë Allahun, e falënderojnë Atë, agjërojnë, përkulen (në namaz), bien në sexhde (gjatë namazit), urdhërojnë vepra të mira, pengojnë të këqijat dhe u përmbahen kufijve të caktuar nga Allahu. Jepu lajmin e mirë besimtarëve.” (Et Teube, 112)

Nga Afrim Tahiri

Të dashur besimtarë, vëllezër e motra, miq e shokë, dashamirë e përkrahës të kauzës sonë, nesër kemi festë, nën ndjenjën solemne të shpirtit tonë do ta festojmë Fitër Bajramin.

Përmbushëm njërin prej obligimeve që na i ka caktuar Allahu xh.sh., mbaruam me ibadetin që i përket vetëm Krijuesit tonë, agjëruam Muajin e Ramazanit, me përkushtim devotshmërie ndaj të gjitha ibadeteve dhe lutjeve që i ka ky Muaj i shenjtë. Plotë një muaj kemi agjëruar vetëm për Allahun tonë, e kemi kalitur devotshmërinë tonë duke ushtruar disiplina të ndryshme shpirtërore: kemi respektuar ndalesat përgjatë agjërimit, kemi provuar përmbajtjen nga veset e këqia, kemi ushtruar dashurinë, dhembshurinë, solidaritetin për njeriun. Kemi fisnikëruar veten duke e shtuar krenarinë për faktin që jemi pjesëtarë të fesë islame.

Nesër kemi festën e lëmoshës! Përmes agjërimit kemi prekur vështirësitë e jetës së një të varfëri, kemi prekur dhembjen e urisë të një fukarai, kemi ndjerë nostalgjinë, trishtimin dhe skamjen e një bonjaku, të një jetimi. Me këto ndjenja humane të përforëcuara gjatë agjërimit, nesër do t’i përgjigjemi Urtisë së Krijuesit tonë që na urdhëron gjithnjë të shquhemi me bamirësi, me vepra të mira, me solidaritet, me dashuri dhe me ndihma për të gjithë ata që kanë nevojë.

Festa e Bajramit është e vetmja festë që festohet për të varfërit, për ata që kanë nevojë nga të kamurit. Festa e Bajramit e merr kuptimin e vet vetëm pasi të kemi gëzuar një të varfër, një të pamundur, një jetim, një bonjak, me pak para, me pak ushqim, me pak veshmbathje, me pak dashuri, me pak përqafime, me pak mirësjellje, me pak ndihmesë, me pak ngrohtësi e me pak përgëdheli.

Pa dyshim, kategoria e vetme prej myslimanëve që i përmbahen këtij kodi janë ata që “urdhërojnë vepra të mira, pengojnë të këqijat dhe u përmbahen kufijve të caktuar nga Allahu” siç e thotë këtë ajeti i cituar në krye të kësaj hutbe. Duke e lutur Zotin që përjetë të jemi prej atyre që urdhërojmë vetëm në vepra të mira e që i luftojmë veprat e këqia, duke e lutur Zotin që të na e pranojmë agjerimin dhe të gjitha ibdatet e kryera gjatë Muajit të Ramazanit – më lejoni që t’ua uroj PËR SHUMË MOTE GËZUAR FITËR BAJRAMIN!

Paçi shëndet dhe gjitha të mirat e Allahut Mëshirëplotë! Amin!

(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV)

Leave a Reply