Prençi: Basha, favorit për fitoren e kreut të PD-së

Ahmet Prençi për herë të parë foli si politikan në “çadrën e lirisë”. Por lidhjet e tij me politikën janë të hershme, që kur ishte student i dhjetorit 90-ës. Nuk qëndroi indiferent në momentin më historik për shqiptarët, sepse në familjen e tij kishte dy të pushkatuar dhe persekucioni komunist e kishte ndjekur që fëmijë. Për shkak të angazhimit në strukturat e policisë së shtetit për vite me radhë, i veshur me detyra të rëndësishme në organet ligjzbatuese, Prençi nuk mundi të angazhohej në politikë. Por ai thotë për “Gazeta Shqiptare” se politikën e ndoqi në vijimësi dhe në janar të këtij viti nuk refuzoi ftesën për t’iu bashkuar PD-së. E nisi nga qeliza e partisë, nga baza, nga Kamza e Paskuqani bashkë me një ekip demokratësh. U rendit në një vend të pasigurt në listën e Tiranës, por Ahmet Prençi punoi sikur të ishte i pari në listë, sepse qëllimi kryesor ishte fitorja e PD-së dhe jo hyrja e tij në parlament. Z.Prençi ndjehet i keqardhur për humbjen e thellë të PD-së dhe situatën brenda saj. Ish-kreu i Policisë së Shtetit denoncon ashpër blerjen e votës duke thënë se “shteti dhe krimi u bënë bashkë në zgjedhje”.

Z.Prençi ju kemi parë mjaft aktiv muajt e fundit në politikë, fillimisht në “çadrën e lirisë” e më pas i angazhuar në fushatën elektorale me strukturat e PD-së në Tiranë, deri dhe te përfshirja në listën e kandidatëve për deputetë në Tiranë, pavarësisht në një vend të pasigurtë. Si po e gjeni veten nga drejtues i Policisë së Shtetit në politikën e djathtë?

Unë në muajin janar kam pasur një ftesë për të dhënë kontributin tim në Partinë Demokratike, pra për t’u përfshirë publikisht në politikë. Që nga vitet ’90 kur isha student i angazhuar në lëvizjet për rrëzimin e komunizmit, më pas, nuk jam marrë me politikë, pasi kam qenë pjesë e institucioneve ligjzbatuese të shtetit dhe ligjërisht nuk lejohej politikë bërja dhe këtë gjë e kam respektuar me rigorozitet të plotë. Sigurisht që e kam ndjekur politikën, kam diskutuar për të gjithmonë, por në rrethe të ngushta dhe jo në publik. Kur u ndodha përballë kësaj oferte jam menduar, jam konsultuar me miq të afërt dhe vendosa të bëhem pjesë e kontributit për PD-në.

Përse iu bashkuat pikërisht Partisë Demokratike?

Kjo për disa arsye: së pari, nga prejardhja e familjes time në raport me komunizmin, pasi në familjen time si nga babai dhe nga nëna nuk kam pasur asnjë anëtar të Partisë së Punës dhe në funksione të regjimit të asaj kohe. Së dyti, në rrethin tim shumë të afërt familjar, kemi dy persona të pushkatuar nga regjimi komunist. Së treti, përfshirja ime si të gjithë bashkëmoshatarët e mi në lëvizjen e ndritur të dhjetorit 90, ishte një summum dhe nuk mund të beja sehirxhiun, pra nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Së katërti, në karrierën time detyrën më të lartë pas zgjedhjeve të vitit 2005, ma dha qeverisja e PD-së, duke më emëruar Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Duke qenë në këtë detyrë u arritën gjera të mëdha për Shqipërinë; anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, vizita e Presidentit të SHBA-ve etj. U goditën të gjitha grupet kriminale që bënin ligjin në territore të caktuara të vendit, të cilat u morën nga strofkat e tyre ne Shqipëri, Turqi, Maqedoni, Itali, Francë etj. dhe u vendosën para bankës së drejtësisë. U rrit ndjeshëm bashkëpunimi ndërkombëtar policor, u minimizua trafiku ndërkombëtar i drogës nga Shqipëria si vend transit, u minimizua prodhimi dhe trafiku i cannabis sativa nga Shqipëria si vend origjine. E them me bindje të plotë se bazuar në implementimin me korrektësi të ligjit të ri të Policisë së Shtetit u arrit shkëputja përfundimtare në atë kohë e policisë nga politika. Duke përmbushur këtë detyrë, sigurisht që ndjehem krenar për këto arritje me rëndësi historike. Duke menduar këto arsye unë vendosa të jap kontributin tim modest për t’ia kthyer jo thjesht PD-së vlerësimin që tregoi për mua, por qindra mijëra demokratëve që e rikthyen atë në pushtet në vitin 2005. Në momentin që vendosa të pranoj përfshirjen në politikë, së pari, kam dhënë dorëheqjen nga detyra që mbaja në një pozicion shtetërorë dhe prononcimi im i parë publik politik është bërë në protestën e 18 shkurtit, e më pas në çadër.

Po sa i përket kandidimit tuaj për deputet, renditjes në listën e Tiranës?

Për sa i përket renditjes në listën e Tiranës unë nuk kam kërkuar asnjë preferencë, por jam angazhuar njëlloj si të isha i pari, po ashtu dhe i 34-i, pra për mua rëndësia dhe serioziteti i angazhimit për fitoren e PD ishte i njëjti dhe do ishte i njëjti dhe po të isha i pari në listë. Pata fatin të jap kontributin tim në Bashkinë e Kamzës, ku së bashku me Flamur Hoxhën, Korab Litën e Vendim Demën arritëm një rezultat shumë të mirë. Duhet të falënderojmë strukturat e PD-së Kamëz nën drejtimin e kryetarit të partisë, Xhelal Mziu, si dhe strukturat dhe kryetarin e PD Paskuqan, Anton Pjetërnikaj për kontributet e spikatura në këtë fushatë. Falënderoj kreun e PR-së Fatmir Mediu që përveç angazhimeve të tjera ishte së bashku me strukturat e partisë së tij shumë aktiv në Kamëz. Gjithashtu, ish-themeluesit dhe ish-ministrit të PD-së Besnik Mustafaj i shkon mirënjohje e thellë për praninë e tij në fushatë.

Si e konsideroni rezultatin e PD-së me 25 qershor dhe cilat shkaqe çuan në një humbje kaq të thellë?

Thelbësore në pikëpamjen time ishte mobilizimi shtetëror dhe potencialet kriminale me shumë kohë dhe shumë para në dispozicion, për të deformuar rezultatin duke blerë votën dhe intimiduar votuesit në të katër anët e vendit. Nuk di të shpjegoj se çfarë bilanci qeverisës bëri votuesi shqiptar në këto zgjedhje. Pra, po të flasim për balancë, unë sinqerisht nuk diferencoj dot një arritje të qeverisjes socialiste në 4 vjet. U kanabizua vendi me strukturë të përbashkët shtetërore dhe kriminale; u arrestuan 38 000 qytetarë për arsyen e vetme se s’kishin të paguanin energjinë elektrike; korrupsioni qeveritar e radhiti Shqipërinë në vendet e para në botë; papunësia është rritur frikshëm, eksodi familjar më qindra-mijëra familje drejt perëndimit janë jo arsye të vogla për ta refuzuar me votë këtë qeveri. Nga ana tjetër, shkaqet e këtij rezultati duhen kërkuar dhe brenda problematikave të krijuara në strukturat politike dhe qeverisëse të PD-së që në zgjedhjet lokale te vitit 2011 e më pas në ato të vitit 2013. Këto zgjedhje mendoj që nxorën në pah problematikat e mbartura që ishin akumuluar ndër vite. Në vlerësimin tim si një individ që për herë të parë u zhyta plotësisht në vorbullën e një fushate elektorale, u hasa në grupime që punonin në kahje të pa integruara. Demokratët e devotshëm që luftuan me mish e me shpirt për fitoren, por hasëm dhe personazhe të rëndësishme të PD që ndihmuan në këtë humbje, ashtu si dhe të tjerë që nuk e dëshironin humbjen, por e lejuan atë me neglizhencë, indiferentizëm, duke bërë më së shumti rolin e sehirxhiut në këtë fushatë të rëndësishme.

Ju keni qenë drejtues i Policisë së Shtetit dhe e njihni shumë mirë situatën e kanabizimit dhe kriminalitetit në vend, por sa i dëmtoi zgjedhjet krimi dhe droga në mbarë Shqipërinë?

Paratë e fituara në rrugë kriminale nuk përdoren për investime publike, as për rrugë, as për shkolla, as për rritje pensionesh. Këto para janë të destinuara për të blerë pushtet në parlament, në bashki në administratë. Këto para konkurrojnë pa mëshirë biznesin e ndershëm dhe nxisin korrupsionin në çdo sektor. Kjo gjë ka ndodhur edhe në Shqipëri. Kur shteti është përballë krimit edhe kur është i dobët është gjysma e të keqes, por këtu, në vendin tim struktura të veçanta të shtetit u bënë njësh me krimin dhe kjo është alarmante, e rrezikshme dhe do jetë me pasoja për të ardhmen. Sigurisht që kjo reflektohet me së shumti në zgjedhje, pasi terreni i shtruar duhet ruajtur dhe eksponentëve e krimit u intereson të jenë aksioner me pushtetin që të jenë më të fortë dhe më të sigurt. Unë e kam theksuar dhe herë tjetër se, fenomeni i kanabizimit të vendit gjatë vitit 2016, ishte një fenomen i strukturuar shtetëror. Shteti dhe krimi në këtë proces ishin bashkë.

PD-ja kishte angazhuar gjatë fushatës ish-zyrtarë të saj që kishin punuar në strukturat e policisë së shtetit për të mbrojtur votën e 25 qershorit, po si funksionoi kjo strategji dhe çfarë duhej të bënte tjetër PD-ja për të mbrojtur votën e shqiptarëve?

Unë nuk jam angazhuar me këtë strukturë. Nga informacioni i pjesshëm që kam, mund të them se ata janë thirrur në mbështetje të strukturave lokale të partisë, thjesht për të thithur informacion dhe për parandaluar këtë fenomen me njohuritë e posaçme që kanë për shkak të punës që kanë bërë. Mendoj se shitblerja e votës është një fenomen me pasoja të mëdha për vendin, ndonëse në Kodin Penal janë ashpërsuar dënimet për këtë vepër penale. Kjo nuk e parandalon këtë gjest të shëmtuar. Politika dhe shoqëria vetë duhet të shkëputet sa më parë nga kjo mënyrë votimi. Partia që fiton duke blerë vota nuk ka asnjë detyrim moral të japë llogari para qytetarëve për veprimet që bën pasi nuk është votëbesuar, por ka blerë shpirtin e votuesit.

Partia Demokratike kon-kurroi me një program ekonomik ambicioz shumë të leverdishëm për pensionistët, qytetarët, biznesin, rininë. Më mirë për një qytetarë është të votojë alternativën qeverisëse që gjatë katër viteve ajo votë ti përkthehet me investime, me rritje page e pensioni, në të mira për familjen e tij dhe vendin. Marrja e një sasie parash për një votë e shpërfytyron demokracinë, dëmton të ardhmen, tjetërson alternativën qeverisëse, e për pasojë nuk zgjidh asgjë për qytetarin.

Si mund të rimëkëmbet PD-ja pas humbjes së 25 qershorit dhe sa po e dëmtojnë përplasjet brenda saj?

Nëse këto diskure politike ndodhin për të mirën e Partisë Demokratike, këto e shëndoshin, e bashkojnë dhe e forcojnë partinë. Nëse bëhen për interesa karrigesh, postesh, inatesh personale atëherë këto përplasje, mendoj, e dëmtojnë PD-në. Ju sjell një shembull, nëse të gjithë ish-funksionarët e PD-së do ishin në fushatë, siç bëri krejt natyrshëm me fisnikëri Jemin Gjana, 30 ditë pa u shkëputur a do kishim këtë rezultat që morëm?! Nëse personi që vuri parullën “Basha ik” ne selinë e PD, ditën që ne humbëm zgjedhjet, të kishte vendosur postera për 30 ditë në zonën e tij “Rama ik”, besoj do ishte më dinjitoze dhe kuptohet, rezultati nuk do ishte ky që morëm, rezultat larg të gjitha rezultateve të mëparshme zgjedhore. Mendoj dhe shpresoj që pas procesit zgjedhor brenda PD-së do të zhvillohet një proces i thellë analize dhe reflektimi, ajo do të dalë më e fortë, më e bashkuar e gatshme për të nisur betejën përfundimtare që në këtë vend të fitojnë vlerat dhe jo paratë e pista dhe interesat e dyshimta.

Ndjeheni i keq ardhur që u renditet në një vend të pasigurt në Tiranë dhe nuk mundet të hyni dot në Kuvend?

Siç e theksova dhe me lart, unë jam pa eksperiencë në politikë. Për mua nuk ishte synimi i vetëm të jem në parlament. Synimi im ishte që unë së pari, të isha një kontributor modest në këtë fushatë dhe së dyti, dhe kryesorja, që PD-ja të fitonte zgjedhjet.

Si e shikoni përballjen për kreun e ri të PD-së mes Lulzim Bashës dhe Eduart Selamit dhe kë shihni si favorit për fitoren e 22 korrikut?

Unë kam punuar dhe njoh nga afër Lulzim Bashën. Eduart Selamin e njoh si themelues dhe kontributor në PD. Nëse ligjëruesit e kohëve të fundit nuk do ecnin në shinat e një lufte pa princip, gara do ishte më e bukur duke pasur brenda edhe ndonjë personalitet tjetër afatgjatë në PD. Por ata në përpjekje për të shembur PD-në, mendoj se e rrëzuan veten në mënyrë të pakthyeshme në politikë, veçanërisht në sytë e demokratëve. Shikoj deri më tani të favorshëm Lulzim Bashën, por platformat e kandidatëve kanë dhe dy javë kohë për të sjell risi në këtë garë politike. Dua të deklaroj me bindje se përtej të gjithave sa thashë, për mua dhe kolegët që mendojnë si unë, i rëndësishëm është procesi korrekt dhe i pa anatemuar zgjedhor për kreun PD-së. Ai duhet të shndërrohet në një proces të hapur, modern, zhvillues dhe emancipues dhe nga kjo PD do dalë më e motivuar për të nisur marrshin final të fitores.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *