Diaspora investon vetëm kur të zhduket korrupsioni

Diaspora mund të kthehet në një burim zhvillimi për ekonominë e Shqipërisë vetëm atëherë kur shteti shqiptar do arrijë të integrojë bashkatdhetarët në jetën e përditshme të vendit, por mbi të gjitha duke zhdukur fenomenin e korrupsionit në institucionet shqiptare. Për kreun e Dhomës Britanike të Tregtisë Zenel Hoxha, qeveria duhet të tregohet e kujdesshme, pasi shqiptarët që jetojnë në vende të Bashkimit Europian kërkojnë standarde, përmes të cilave mund të sjellin edhe përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Zenel Hoxha, kreu i Dhomës Britanike të Tregtisë shprehet se “Qeveritë shqiptare të kaluara, por edhe kjo e sotmja duhet të hartonin programe për zhvillimin e vendit dhe ku diaspora të kishte aksesin e drejtpërdrejtë përmes mundësive reale. Ata do të sillnin një erë të re, për të cilën ne kemi shumë nevojë që të fryjë në vendin tonë, me qëllim që të ndodhë një ‘shkundje’ totale, që do përshpejtonte procesin e anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Eruopian. Ata nuk mund të durojnë plagë të tilla që po frenojnë vendin, po shkatërrojnë imazhin dhe që është fenomeni i korrupsionit”.

Për Hoxhën, qeveria duhet të krijojë një fond investimi si dhe t’iu paraqesë projekte konkrete, pasi në të kundërtën shqiptarët e diasporës do të hezitojnë për të investuar në fusha të ndryshme vetëm me oratori. Zenel Hoxha, kreu i Dhomës Britanike të Tregtisë: Pse jo shqiptarët të mos bashkohen edhe si investitorë. Ata do të investonin në projekte modeste me shuma të caktuara, si aksionarë të një projekti të caktuar. Qeveria shqiptare duhet të nxjerrë në ankand projekte të ndryshme në fushën e hidrokarbureve, bujqësi, turizëm, energjetikë, shërbime të tjera e kështu me radhë.
Për Hoxhën, krijimi i një ministrie për diasporën është një nisje e mbarë, por tashmë duhet që ajo të shpalosë programin për shqiptarët jashtë atdheut, ku inmediate sipas tij është përfshirja e tyre në procesin e votimit si dhe hapja e shkollave shqipe në vendet ku jetojnë. Zenel Hoxha, kreu i Dhomës Britanike të Tregtisë: shprehet se, “Pikë kryesore e programit të kësaj qeveria dhe ministrisë së linjës në veçanti, duhet të jetë që shqiptarët të jenë votues të rregullt kudo që janë. Të pajisen me pasaporta shqiptare si dhe Shqipëria të negociojë për hapjen e shkollave shqipe atje ku ata jetojnë”. Sipas Hoxhës, institucionet duhet të trajtojnë me kujdes me sistemin fiskal, pasi shpeshherë ata ndëshkohen me faturime të padrejta për shërbime të cilat ata nuk i marrin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *