Franca shpallet Kampione e Botës për herë të dytë, pas triumfit ndaj Kroacisë

Franca e ka fituar për herë të dytë Kupën e Botës pasi e mposhti Kroacinë në finale të Botërorit Rusia 2018 të dielën në Moskë.

Pas Botërorit më 1998 në shtëpinë e vet, Franca e ka fituar edhe Botërorin Rusia 2018, duke e mposhtur Kroacinë 4-2, e cila bëri histori duke e arritur finalen e Kupës së Botës për herë të parë.

Francezët, që vinin nga një finale zhgënjyese në EURO 2016 kur u mposhtën nga Portugalia, shënoi në rastin e parë në ndeshje, përkundër një dominimi të Kroacisë, kur Mario Mandzukic shënoi në portën e vet pas një harkimi nga Antoine Griezmann, raporton Gazeta Express.

Por, dominimi i Kroacisë në këtë pjesë lojë u shpërblye nga një veprim fantastik vetjak i anësorit të Interit, Ivan Perisic, i cili shënoi me gjysmë-vollei për 1-1 pas rreth gjysmë ore lojë.

Pesë minuta para fundit, Franca fitoi penallti kontroverse, e cila u akordua vetëm pasi gjyqtar i ndeshjes e konsultoi VAR-in (video asistentin e referit), të cilën në gol e konvertoi Antoine Griezmann.

Me kaq u mbyll një pjesë e parë, në të cilën Kroacia mbase meritoi më shumë.

Megjithatë, Franca u fut në pjesën e dytë me një fytyrë tjetër dhe u tregua vrastare në çdo rast duke mos i lëshuar mundësitë.

Paul Pogba shënoi nga distanca duke e lënë të shtangur portierin kroat kur akrepat treguan një orë lojë. Për t’ia këputur këmbët kroatëve, Kylian Mbappe shënoi super gol nga largësia vetëm pesë minuta më pas.

Një fije shprese Kroacisë ia dha Hugo Loris me një gabim trashanik, kur tentoi ta kalonte sulmuesin Mandzukic, i cili ia vodhi topin dhe shënoi në portën e zbrazet tamam kur kishin mbetur vetëm edhe 20 minuta lojë.

Kroacia u mundua deri në fund, por Franca u tregua tejet e qëndrueshme duke mos pranuar më gola.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *