Ndryshojnë rregullat e Schengen, çfarë duhet të bëni para se të nisni udhëtimin

Më 25 prill, ambasadorët e Bashkimit Europian konfirmuan një marrëveshje të arritur ndërmjet Presidencës së Këshillit dhe përfaqësuesve të Parlamentit Europian mbi propozimin për Sistemin Europian të Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).

“Marrëveshja e sotme është një tjetër hap i rëndësishëm në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së. Duke ditur se kush vjen në BE para se të vijnë në kufi, do të jemi më të aftë të ndalojmë ata që përbëjnë rrezik për qytetarët tanë”, u shpreh ministri i Brendshëm bullgar, Valentin Radev.

“Unian” bën me dije se ETIAS do të lejojë kontrolle paraprake dhe nëse është e nevojshme të ndalojë autorizimin e udhëtimit për njerëzit e vendeve të treta të udhëtojnë në zonën Shengen.

Zyrtarët e BE-së thonë se ETIAS do të “ndihmojë në përmirësimin e sigurisë së brendshme, parandalimin e imigracionit të paligjshëm, mbrojtjen e shëndetit publik dhe reduktimin e vonesave në kufijtë duke identifikuar personat që mund të përbëjnë rrezik në një nga këto zona para se të arrijnë në kufijtë e jashtëm”.

Shtetasit e vendeve të treta të përjashtuar nga viza do të duhet të marrin një autorizim udhëtimi përpara udhëtimit të tyre, nëpërmjet një aplikimi online. Për çdo aplikim, aplikantit do t’i kërkohet të paguajë një tarifë të autorizimit për udhëtim prej 7 euro.

Informacioni i paraqitur në çdo aplikim do të përpunohet automatikisht kundër BE-së dhe bazave përkatëse të të dhënave të Interpol, për të përcaktuar nëse ka arsye për të refuzuar një autorizim udhëtimi.

Nëse nuk identifikohen elemente që kërkojnë analiza të mëtejshme, autorizimi i udhëtimit do të lëshohet automatikisht dhe shpejt. Kështu pritet të ndodh për shumicën e aplikimeve.

Nëse ka ndonjë element që kërkon analizë, aplikimi do të trajtohet manualisht nga autoritetet kompetente. Në këtë rast, njësia qendrore e ETIAS së pari do të kontrollojë nëse të dhënat e regjistruara në dosjen e aplikimit korrespondojnë me të dhënat që shkaktojnë problem. Kur të ndodhë ose ka dyshime se mund të ndodhë, aplikimi do të përpunohet manualisht nga njësia kombëtare e ETIAS-it e shtetit anëtar përgjegjës./gsh.al/

Leave a Reply