Procesi për reforma nuk ndalet, është lumë i rrëmbyeshëm

Fillimi i vitit të ardhshëm na pret me një grumbull punësh dhe aktivitetesh që do të shkojnë në dobi të konsolidimit të radhëve tona si Lëvizje opozitare për reforma në BFI. Do të shtrijmë strukturën tonë në çdo cep të vendit dhe, tek atëherë mbase do ta realizojmë kërkesën gjithnjë e më të theksuar të myslimanëve të vendit për një protestë gjithëpopullore kundër strukturave jo të sinqerta të BFI-së

Shkruan Afrim Tahiri

Është bërë traditë që, në kapërcyll të vitit, të bëhet një rekapitulim i tërë asaj që është punuar gjatë vitit si dhe të punëve që nuk janë kryer e që i bashkangjiten projekteve të parapara për vitin e ardhshëm! Natyrisht, ata që kanë kaluar vit të sukseshëm kanë se çka të nëvizojnë dhe të ndajnë edhe një herë kënaqësinë me bashkëpunëtorë e simpatizantë për tërë atë që është arritur.
Në këtë vazhdë, me çka mund të mburret Lëvizja myslimane për reforma në Bashkësinë Fetare Islame në Maqedoni! Cilat janë aktivitetet dhe të arriturët e vitit që po e lëmë pas?

Natyrisht, aktiviteti ynë është shtrirë në dy-tre fusha kryesore: në sensibilizimin e myslimanëve të vendit lidhur me veprimtarinë kriminale që zhvillohet gjithnjë e më shumë në BFI-në e uzurpuar nga “klani Rexhepi”, në ngjeshjen e radhëve opozitare që gjithnjë e më shumë po i bashkangjiten Lëvizjes myslimane për reforma në BFI dhe Platformës së saj në të cilën detajisht parashihet se si duhet të reformohet ky Institucion i mysimanëve që po falimenton dita ditës dhe si duhet të funksionojë në të ardhshmen. Po ashtu, aktivë kemi qenë edhe në planin e bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar, si brenda ashtu edhe jasht dhe, në këtë aspekt jemi tepër të kënaqur, sepse, po thuajse të gjithë ndërkombëtarët po e ndajnë të njëjtin shqetësim që e kemi edhe ne lidhur me aktivitetet joislame që zhvillohen në BFI.
Janë realizuar një sërë vizitash të xhemateve tona në terren, janë mbajtur dhjetra dëgjesa dhe janë lëshuar shumë raporte për aktivitetin tonë opozitar. Në tubimet tona është vërejtur një masovizim i Lëvizjes dhe një interesim i masës për ta instensifikuar veprimtarinë tonë me qëllim që të shpëtohet Institucioni sa nuk është bërë tepër vonë. Janë mbledhur dhjetra fakte nga terreni dhe nga xhematet e ndryshëm për sa i përket përpjekjeve si dhe keqpërdorimeve të vakëfit që i bëjnë si organet ashtu edhe vetë BFI-ja e uzurpuar. Një emërues i përbashkët nga të gjitha këta takime është edhe shqetësimi për aktivitetet jotransparente në BFI gjë që e shton dyshimin se aktivitetet e paligjshme janë në rritje e sipër. Në BFI vetëm një njeri mund të dijë se cili ishte numri i saktë i kurbanëve, sa ishte numri i haxhinjve na vendi ynë dhe pësrse atë që e thotë BFI-ja nuk përputhet me të dhënat që dalin institucionet përkatëse të Arabisë Saudite. Në BFI-në e uzurpuar askush nuk di se sa fitra e sa zeqat është mbledhur, sa janë dorëzuar e sa janë mbajtur për organet! Askush nuk di se sa kurbanë të paguar janë therrur dhe pse nuk therren në vendet e shenjta kurbanët e haxhinjëve që i paguajnë paraprakisht! Në BFI askush nuk di se çka bëhet me dyqanet, me vakëfin e këtij Institucioni, askush nuk di se sa harxhojnë organet dhe institucionet e BFI-së, askush nuk di se kush punësohet e kush largohet, asnjë i punësuar nuk din se cili është vendi i saktë i punës së tyre. Në BFI është një kaos total dhe, në të tilla kaose që zgjasin pakufi edhe aktivitetet e paligjshme janë gjithnjë e më të shpeshta.
Natyrish, për të gjitha këto dukuri të pahijshme për një mysliman të denjë, janë shkruar dhe xhematet tona me kohë i kemi informuar. Janë me qindra shkrime e komente që çdo ditë botohen, që na vijnë, që presin për t’u botuar derisa t’i verifikojmë faktet që theksohen nëpër ato shkrime.
Në rrafshin e politikave të jashtme gjatë vitit që po e lëmë kemi shënuar një numër të konsiderueshëm aktivitetesh, duke realizuar sërë takimesh si brenda ashtu edhe jashtë. Falë këtyre takimeve, strukturat e papërgjegjshme dhe tepër të dyshimta të BFI-së së uzurpuar gjithnjë e më shumë po izolohen, po margjinalizohen dhe po shkëputen kontaktet me ta. Sepse, asnjë nga faktorët e korit diplomatik nuk mund të pajtohen që të gënjehet një qeveri e një vendi, siç gënjeu Sulejman Rexhepi kur i dërgoi në haxhillëk katër “imamë” si mysafir të Mbretit të Arabisë Saudite. Ne me dokument ua argumentuam këtë papërgjegjshmëri totale të BFI-së si dhe, më vonë, edhe për përkrahjen që ia dha Mbretërisë Saudite gjatë padisë ndërkombëtare që ia bënin me rastin e likuidimit monstruoz të gazetarit Xhamal Kashogi! Fatkeqësisht, doli se, i vetmi “subjekt” në botë që e përkrahu këtë akt monstruoz ishte BFI-ja e Sulejman Rexhepit. Kori diplomatik i vendit është i shqetësuar nga dyftyrësia e tij, i cili, deri dje kërkonte ndihmë për t’i futur në duar xhamitë që kontrollohen nga “vehabistët”, ndërsa sot thërret në ndihmë vehabistë për t’i mësuar hoxhallarët tanë se si të thirrin në islam! Lëshimi i diplomave false nga Medresja “Isa Beu” sidomos për ata që deshirojnë të studiojnë nëpër universitete arabe, është një tjetër aktivitet i BFI-së së Sulejman Rexhepit që ka ndikuar në vështrimin nën llupë diplomatike të aktiviteteve antiislame të Sulejman Rexhepit dhe strukturave të tij.
Po ashtu, edhe takimet që janë realizuar si në botën turko-arabe ashtu dhe në diasporë, na inkurajojnë për ta vazhduar dhe intensifikuar aktivitetin tonë opozitar deri në largim të këtyre dashakëqinjëve të jetës islame institucionale në Maqedoni. Gjithandej na kanë thënë se, pikërisht për shkak të punës sonë opozitare shumë dukuri në BFI jan stagnuar, apo, kanë nisur të marrin forma më të sofistikuara. Me një fjalë, vidhet por paksa më me “usull”. Janë në përpjekje për ta bërë “hallall” haramin!
Fillimi i vitit të ardhshëm na pret me një grumbull punësh dhe aktivitetesh që do të shkojnë në dobi të konsolidimit të radhëve tona si Lëvizje opozitare për reforma në BFI. Do të shtrijmë strukturën tonë në çdo cep të vendit dhe, tek atëherë mbase do ta realizojmë kërkesën gjithnjë e më të theksuar të myslimanëve të vendit për një protestë gjithëpopullore kundër hajnave të BFI-së! Do të jetë një moment madhështor, historik dhe që do të shënohet në analet e arkivit të BFI-së, i cili, do të ringritet, sepse, aktualisht është i shkatërruar, i djegur në fabrikën e kartonit, si dhe i bluar nga makinat-brisqet që punojnë natë e ditë në BFI! Një ditë, gjithësesi që do të përgjigjen të gjithë ata kriminelë që kanë marrur pjesë në këtë krim – në shkatërrimin e arkivit të BFI-së në përpjekje për të zhdukur gjurmët e hajnisë, të zhvatjeve, të korrupsionit e të nepotizmit! Do të zbulohen të gjitha, një nga një, vetëm Allahu Fuqiplotë të na japë shëndet dhe mbarësi. Gëzuar e ndër mote shënofshi vetëm suksese, unitet, dashuri, mirëqenie!

(Autori është udhëheqës i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI në Maqedoni)

Leave a Reply