Rusi – Vladimir Putin: Luftimet nuk zhvillohen në territoret e Armenisë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi se ata kanë përgjegjësi ndaj Armenisë në kuadër të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), por luftimet nuk po zhvillohen në territoret e Armenisë.

Duke folur për kanalin televiziv shtetëror “Rossiya 24”, Putini vlerësoi mes të tjerash edhe konfliktin që ka filluar në rajonin e Karabakut Malor të Azerbajxhanit për shkak të sulmeve të Armenisë.

“Jemi shumë të shqetësuar, sepse të gjithë njerëzit që jetojnë në Azerbajxhan, Armeni dhe në Karabakun Malor nuk janë të huaj për ne. Në Rusi jetojnë rreth 2 milionë azerbajxhanas dhe ca më tepër armenë. Shumë shtetas rusë vazhdojnë marrëdhëniet miqësore dhe farefisnore me këto vende. Sigurisht që kjo është një tragjedi e madhe. Po vdesin njerëz. Ka humbje të mëdha nga të dyja palët”, tha shefi i Kremlinit.

Pasi uroi që konflikti të përfundojnë brenda një kohe të shkurtër, Putini bëri thirrje për vendosjen e armëpushimit sa më shpejtë të jetë e mundur.

Gjithashtu ai rikujtoi se Armenia është anëtare e Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive.

“Ne kemi përgjegjësi të caktuara ndaj Armenisë në kuadër të këtij traktati. Por konflikti nuk po zhvillohet në territoret e Armenisë. Rusia i përmbush gjithnjë përgjegjësitë e saj në kuadër të marrëveshjeve. Jam në kontakt të vazhdueshëm me Kryeministrin armen, Nikol Pashinyan. Nuk ekziston asnjë pikëpyetje rreth përmbushjes së përgjegjësive që Rusia ka si një shtet aleat”, u shpreh Putini me të tjerash.

Leave a Reply