Tikanovskaja: Populli bjellorus u zgjua

Arrestohen në Minsk disa aktivistë të opozitës

Svetlana Tikanovskaja, figura kryesore e opozitës anti-Lukashenko në Bjellorusi tha se tashmë ka ardhur koha që zëri i popullit bjellorus të dëgjohet. Përmes një videokonference, ajo foli përpara anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, për atë që e quajti “revolucion demokratik” në Bjellorusi.

Ajo u shpreh se tashmë populli është zgjuar dhe nuk lejon më zgjedhje të manipuluara, ndërsa i bëri thirrje Bashkimit Europian të përdorë të gjithë mekanizmat e presionit kundër grabitësve të zgjedhjeve jo vetëm në Bjellorusi, por në gjithë Europën Lindore.

E teksa në Bruksel, ajo mori duartrokitje nga eurodeputetët, regjimi i Lukashenkos vuri në pranga disa aktivistë të opozitës nën akuzën e nxitjes së dhunës në protestat e ditëve të fundit.

Në mbështetje të protestave të opozitës bjelloruse u zhvilluan manifestime në qytete të ndryshme, si në Vilnus ku ka gjetur strehë Tikanovskaja, e deri në Uashington.

Leave a Reply