Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar sërish Shqipërinë, këtë herë për taksën në rrugën e kombit që sipas tij është një dënim për marrdhëniet mes dy vendeve dhe i kushton Kosovës 13 milionë euro në vit.
Haradinaj tha se është absurde që Shqipëria lobon për bashkëpunim rajonal ndërkohë që ka vështirësuar lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve mes dy vendeve.
“Është gabim i madh vendosja e taksës në Rrugën e Kombit, dhe e çmimit për skaner për një transportues 42 euro, dhe kjo ka rezultuar me 13 milionë euro taksë për shkëmbimet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Sikurse këto 13 milionë euro t’i kishim investuar në lehtësirat e qarkullimit të ndërsjellë jam i sigurt që prej atyre 450 milionëve Shqipëria do të mund të ishte rritur shumë. Kjo tregon se ne nuk i kemi kryer detyrat e shtëpisë Kosovë – Shqipëri por përkundrazi i kemi vendosur vetës pengesa duke e fajësuar njëri tjetrin”.
Duke folur për taksën 100 % ndaj mallrave serbe, kryeministri në detyrë i bëri thirrje qeverisë së re që të mos i heqë tarifat. Një masë të cilën ai e konsideroi edhe si një sprovë për vendin, të kaluar më së miri.
“Qeveria e re bën gabim nëse tenton të hekë taksën, qeveria nuk mundet me heq taksën por vetëm qeveria e Serbisë nëse njeh Kosovën. Ne nuk ja kemi asnjë borxh ndërkombëtarëve për taksën. Ne jemi më shumë të rrezikuar nga Serbia për ekzistencën tonë. Nuk është e mirë që qeveria e ardhshme të kujtoj me heq taksën”.
Iniciativa e Shengenit Ballkanik ka nxitur një debat të ashpër mes Tiranës dhe Prishtinës. Kosova e ka kushtëzuar bashkëpunimin rajonal me njohjen nga ana e Serbisë.