Ish kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi e ka cilësuar të rënë qeverinë Rama, si qeveria më e dobët sipas tij që nga 1912.
“Këta e shqyen në mes Shqipërinë që ditën e parë të pushtetit të tyre duke tërhequr secili nga vetja për të rrëmbyer copën më të madhe. Sepse për gjatë 2 viteve grabitën pa mëshirë gjithçka në ktë tokë duke përgjuar e xhelozuar njëri-tjetrin dhe sot ngjajnë si dy banda mafioze që nuk mun të jetojnë në të njëjtin territor, sepse ose njëra duhet të vrasë tjetrën, ose e dyta duhet të pranojë pushtetin e të parës”, tha Patozi.
Fjala e Patozit, që u ndoq me interes në sallë, nxiti reagimin edhe të kryeministrit Rama, që për të kundërshtuar parafolësin citoi dy raporte të fundit për situatën në vend. Sipas publikimit më të fundit të Standart and Poors, Shqipëria ka forcuar pozicionin e vet dhe pritet që brenda 6 mujorit të ardhshëm të rritet në renditje tha shefi i qeverisë.
Për zhvillimet pozitive të ekonomisë, Rama iu referua edhe raportit më të fundit të Bankës Botërore. Sipas këtij raporti tha kryeministri, ekonomia vijoi të rritet në 2015-tën bazuar në investimet private dhe eksportet. Defiçiti tregtar u ul, sikundër edhe kreditë e këqija.
“Dhe këto rezultate pozitive nënvizon raporti, ndodhën pavarësisht rënies së të ardhurave nga eksportet, remitancat dhe investimet e huaja direkte nga Greqia. Punësimi u rrit me 10.6 % në terma vjetorë. Nuk e thotë PS dhe as LSI, por e thotë Banka Botërore”, tha Rama.
Kryeministri Rama iu kundërpërgjigj Astrit Patozit edhe për çështjen e famshme CEZ, sikundër edhe për azilantët.
“Çështja e CEZ i ka prodhuar tashmë efektet e veta politike, qoftë dhe me paqartësitë që krijohen nga lëvizjet dhe deklaratat kaotike të atyre që u djeg më shumë, që mendoj se janë tërësisht të ekspozuar para publikut. Unë nuk mund ta di me saktësi sot se cili është përfituesi më i madh i kësaj afere dhe sa është shuma që ka përlarë ai me një dorë. Po di me siguri që prej kohësh kjo qeveri prapa meje nuk ekziston më”, u shpreh Patozi.
“Kujt i kërkoni llogari ju dhe keni nxjerrë ca shifra për këtë me demek aferën e madhe, se që është një aferë e madhe është, por ju jo vetëm që nuk keni asnjë lloj pozicioni të favorshëm për të akuzuar askënd, po duhet të jeni dhe unë shpresoj shumë që të jeni në bankën e të akuzuarve, për çfarë i ndodhi sektorit elektroenergjitik në vitet e qeverisjes suaj”, tha Rama.
“Kjo qeveri ka rënë sepse nuk mund të jesh njëkohësisht edhe shteti dhe mafia, dhe qeveria dhe krimi e korrupsion. Kjo qeveri ka rënë se nuk ngjalli asnjë ditë shpresë. Kjo qeveri ka rënë sepse asaj po i ikën populli i vet me të njëjtat ritme me sirianët, që janë prej vitesh në një luftë të përgjakshme”, tha Astrit Patozi.
“E vërteta është se asnjë vend tjetër përveç këtij vendi nuk bën politikë dite me njerëzit që kërkojnë gabimisht rrugën e azilit politik numrin e lartë krahasuar me vendet e tjera të rajonit, të atyre që kërkojnë azil, si shqiptarë e përcakton fluksi shumë i lartë i emigrantëve shqiptarë në Greqi”, tha Rama.
Por ish kreu i grupit demokrat pati kritika edhe për opozitën ku bën pjesë, kur tha se qeveria u vetërrëzua dhe për këtë nuk ka meritë PD.