8 persona mbetën të vrarë ndërsa shumë të tjerë të plagosur si pasojë e të shtënave me armë të ndodhura në qytetin amerikan të Indianapolis, në SHBA.
Ngjarja e rëndë ndodhi në zyrat e kompanisë së shërbimeve postare FedEx. Dëshmitarë të shumtë thanë se kishin dëgjuar breshëri arme dhe se kishin parë një person që po qëllonte me automatik.
Sipas asaj që shkruan BBC, autori i ngjarjes besohet se veproi i vetëm dhe pas ngjarjes u vetëvra. Policia thotë se shumë prej të plagosurve janë dërguar në spital.
“Në momentin që oficerët e policisë mbërritën në vendin e ngjarjes, ata u përballën me një person që vijonte të qëllonte me armë. Policia gjeti të vrarë me armë zjarri 8 persona. Shumë të tjerë u gjetën të plagosur dhe u transportuan në spital, ndërsa të tjerë shkuan vetë”, tha në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i policisë Genae Cook.
Sipas këtij të fundit, shkaqet e kësaj masakre nuk dihen ende. Vetë kompania FedEx tha po bashkëpunonte me autoritetet për zbardhjen e ngjarjes.
Javën e shkuar, presidenti Joe Biden njoftoi hapin e tij të parë që nga marrja e detyrës për të shtënguar masat për kontrollin e armëve, pas disa ngjarjeve të rënda si pasojë e të shtënave në masë.