Në një botë që kërkon transparencë dhe integritet, shfaqja e figurave publike që thurin gënjeshtra të qëllimshme është një problem i rëndë moral dhe etik. Shaqir Fetai, një emër që gjithnjë e më shumë lidhet me retorikën e rreme dhe përpjekjet për manipulim, është një shembull klasik i kësaj dukurie shqetësuese
Nga Vehbi Iljazi
Deklaratat e pompuara të Shaqir Fetait, të cilat synojnë të krijojnë një imazh të rremë të suksesit dhe arritjeve, jo vetëm që minojnë besimin e komunitetit, por gjithashtu dëshmojnë për mungesën e respektit ndaj një kodi të shenjtë të vërtetës dhe ndershmërisë.
Gënjeshtra si mjet manipulimi
Gënjeshtra, veçanërisht kur përdoret nga individë që mbajnë poste të rëndësishme, bëhet një akt me pasoja të rënda. Nuk është thjesht një devijim nga e vërteta, por një përpjekje për të formuar perceptime të rreme dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga paaftësia ose veprimet e dëmshme. Në rastin e Shaqir Fetait, përdorimi i shifrave të fryra, përmendja e arritjeve imagjinare dhe vetëlëvdimet e paqena tregojnë një strategji të mirëmenduar për të krijuar një fasadë të lavdishme. Por kjo fasadë rrëzohet me të parën erë të së vërtetës.Kur një lider fetar ose publik përqafon gënjeshtrën, ai nuk dëmton vetëm reputacionin e tij personal. Ai komprometon parimet e institucionit që përfaqëson dhe cenon të gjithë ata që janë të lidhur me atë institucion. Në këtë rast, Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut është bërë një viktimë e drejtpërdrejtë e këtyre manipulimeve.
Tradhtia ndaj besimtarëve dhe Zotit
Në thelbin e saj, feja është një udhërrëfyes për të jetuar sipas së vërtetës, drejtësisë dhe moralit. Nëse një lider fetar bie në grackën e mashtrimit dhe hipokrizisë, ai tradhton jo vetëm besimtarët e tij, por edhe parimet hyjnore të fesë që përfaqëson. Shaqir Fetai, me deklaratat e tij të rreme dhe mungesën e reflektimit të sinqertë, dëshmon një harresë të plotë të këtij parimi bazë: frikën dhe respektin ndaj Zotit, Gjithëdijshmit.Për më tepër, është një akt çnjerëzor të luash me besimin e besimtarëve. Ata i drejtohen institucioneve fetare për udhëzim, ndihmë dhe lidhje me Krijuesin. Kur ky besim shpërdorohet për interesa personale ose për ndërtimin e një imazhi të rremë, dëmi është i paimagjinueshëm.
Shkaktari i një krize morale
Rastet e tilla tregojnë një krizë të thellë morale në shoqëri. Kjo krizë nuk ndalet vetëm tek individët që thurin gënjeshtra, por shtrihet edhe tek ata që i tolerojnë ose i mbështesin ata. Përse nuk ka një reagim të fuqishëm? Pse heshtja mbulon të vërtetën? Këto pyetje na çojnë drejt një reflektimi më të thellë për vlerat që ne, si shoqëri, kemi vendosur të mbrojmë.Mungesa e mbajtjes përgjegjëse e figurave si Shaqir Fetai e bën më të lehtë për njerëz të tjerë të ndjekin të njëjtën rrugë. Ajo normalizon hipokrizinë dhe manipulimin, duke e kthyer atë në një standard të pranuar. Përballë kësaj, zgjidhja nuk është thjesht ekspozimi i gënjeshtrave, por edhe kërkimi i një ndjeshmërie më të madhe ndaj së vërtetës dhe ndershmërisë.
Konstrukti mental i djallëzuar
Shaqir Fetai – kjo qenie amorfe e cila nuk njeh as turpin, as haramin, as të vërtetën, as moralin, e aq më pak thellësitë e fesë islame – vazhdon të mashtrojë publikun pa pikë ndrojtjeje. Po të kishte njohuri të thella mbi Islamin, kjo do ta ndalonte nga gënjeshtrat, vetëlëvdimet dhe përpjekjet për t’i ikur së vërtetës. Mirëpo, konstruktimi i tij mental duket se është djallëzor, i gatshëm t’i shërbejë haramit dhe të keqes.Së fundmi, në një postim të tij publik në Facebook, Shaqir Fetai ka deklaruar: “Të hapur, transparent, me aktivitete të nduarndurta, sot me sukses menaxhon mbi 700 xhami, mbi 1400 nëpunës fetar, pesë medrese, fakultet të shkencave islame, ente, institucione, shoqata e organizata të të gjitha fushave, me kuadro deri të nivelit akademik të inkuadruar në të gjitha poret e shoqërisë. Nuk është e rastit që sot BFI është anëtare e shumë konferencave ndërkombëtare, e hapur me të gjitha bashkësitë e Ballkanit, me qindra qendra islame në botë dhe të gjitha këto i mirëmban me komoditet moral e material pa ndonjë problem.”Por kjo frazë e shkurtër është e mbushur me plotë gënjeshtra dhe të pavërteta, të cilat duhen analizuar dhe zbardhur.
1. Numri i xhamive
Shaqir Fetai pretendon se menaxhon mbi 700 xhami. E vërteta është se ai nuk e di numrin e saktë të xhamive që janë pronë e BFI-së dhe sa janë xhami private, të ndërtuara enkas nga imamë që nuk dëshirojnë të kenë lidhje me BFI-në e drejtuar prej tij. Ai manipulon shifrën për të krijuar një imazh të rremë të suksesit.
2. Numri i nëpunësve fetarë
Pretendimi se menaxhon mbi 1400 nëpunës fetarë është një tjetër gënjeshtër e hapur. Shaqir Fetai nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e nëpunësve në sistemin e centralizuar, mbi ata që marrin rroga nga BFI-ja apo që janë të siguruar shëndetërisht dhe pensionalisht. Përveç kësaj, shumë nga nëpunësit fetarë janë të pakënaqur dhe refuzojnë të binden ndaj autoritetit të tij.
3. Medresetë dhe arsimi fetar
Ai deklaron se menaxhon pesë medrese, por realiteti është i ndryshëm. Deri para katër muajve, BFI kishte vetëm një Medrese, “Isa Beu”, me pesë paralele të dispersuara në Tetovë, Shkup, Gostivar dhe Shtip. Pas përuljes ndaj programit arsimor të shtetit dhe presioneve për akreditim, ai e shndërroi Medresenë tradicionale në një gjimnaz publiko-privat, duke e shitur identitetin fetar për disa qindra euro nga buxheti shtetëror. Kjo tregon se ai ka braktisur formimin tradicional të hoxhallarëve që ishte një nga shtyllat kryesore të BFI-së.
4. Entet, institucionet dhe shoqatat
Pretendimi se menaxhon “ente, institucione, shoqata dhe organizata të të gjitha fushave” është një tallje ndaj inteligjencës së besimtarëve. Shaqir Fetai nuk ka ofruar asnjë listë konkrete të këtyre enteve apo shoqatave. Ai vazhdon të tallet me publikun dhe të shpresojë se do ta mashtrojë edhe Zotin, duke harruar që Ai është i Gjithëditur.
5. Qendrat islame dhe lidhjet ndërkombëtare
Shaqir Fetai pretendon se BFI ka qindra qendra islame në botë, të cilat i mirëmban me komoditet moral e material. Realiteti është se ekzistojnë disa dhjetëra qendra të krijuara qysh në vitet 2000, të cilat nuk kanë lidhje me punën e tij, por me përpjekjet e parardhësve të tij. Ai, në fakt, përpiqet të shfrytëzojë këto qendra për përfitime financiare personale.
6. Anëtarsitë dhe aktivitetet ndërkombëtare
Pretendimi se BFI është anëtare e shumë konferencave ndërkombëtare nuk do të thotë asgjë përveç një titulli formal. Në fakt, kontributi i BFI-së së Shaqir Fetait është zero, dhe për këtë arsye ajo vazhdon të jetë e izoluar. Si shembull, edhe pas katër vitesh, nuk ka mundur të realizohet financimi i botimit të Fjalorit arabisht-shqip të Prof. Mahir Asanit. Dikur, BFI-ja ishte “seli alternative” për ambasadat, ndërsa sot është e neglizhuar dhe vizitohet vetëm për qortime.
Kontributi historik i BFI-së para Shaqir Fetait
Për të treguar kontrastin, ja disa nga arritjet e BFI-së para instalimit të Shaqir Fetait, para se ta ushtronte tradhtinë e madhe Shaqir Fetai, BFI-ja ishte:
1993 – Anëtare e rregullt e Kuvendit të lartë për çështje islame me seli në Kajro;
1995 – Anëtare e rregullt e Kongresit Botëror Islam me seli në Tripoli;
1997 – Anëtare e rregullt e Unionit Islamik për Evropën;
1998 – Anëtare me të drejtë për ta ushtruar postin zëvendës sekretar gjeneral në Kuvendin e Këshillit për Evropën Lindore me seli në Stamboll;
1999 – Anëtare e Forumit të Shkencëtarëve Islam me seli në Rabat;
1997 – Themelues dhe anëtare e Shurës Euro Aziatike me seli në Ankara.
2019 – Pjesëmarrëse në Konferenca ndërkombëtare organizuar nga Liga Islame, me temën “Islami mesazh i paqes dhe i mëshirës”.
2018 – Pjesëmarrëse në Konferencën ndërkombëtare në Mekke, organizuar nga Liga Botërore Islame me temë “Uniteti i muslimanëve – rreziku i fraksioneve dhe ndarësive”.
2017 – Pjesëmarrëse në Konferencën ndërkombëtare në New York, organizuar nga Rabita Alemu Islamije me temën “Vijëmësia e lidhjeve midis SHBA-ve dhe Botës Islame”.
2017 – Pjesëmarrëse në Konferencën ndërkombëtare mbi diversitetin në Egjipt, organizuar nga Ez’heri Sherifi me temën “Liria, atdhetaria, diversiteti dhe integrimet”.
2016 – Pjesëmarrëse në Konferencën e Shurës Islamike të Shteteve Euro-Aziatike, Stamboll.
2015 – Pjesëmarrëse në Samitin Rajonal për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, Tiranë.
2014 – Pjesëmarrëse në Kongresin e Shuras Euro-Aziatike, Bruksel-Belgjikë.
2014 – Pjesëmarrëse në Konferencën ndërkombëtare në Kajro.
2011 – Pjesëmarrëse në Konferencën Muslimane në Sofje.
2011 – Pjesëmarrëse në Takimin e Liderëve Myslimanë të Ballkanit, Shkup.
2010 – Pjesëmarrëse në Konferencën e Këshillit të Lartë për Çështje Islame, Kajro.
2010 – Pjesëmarrëse në Konferencën Botërore për Dialog Ndërfetar dhe Ndër-Civilizues, Ohër.
2009 – Pjesëmarrëse në Kongresin Botëror Islam, Medine.
2009 – Pjesëmarrëse në Takimet e Shurës Islame të Shteteve Euro-Aziatike, Stamboll.
2008 – Pjesëmarrëse në Kongresin për Çështje Islame, Kajro.
2008 – Pjesëmarrëse në Konferencën Botërore Islame për Dialog, Mekë.
1998 – Pjesëmarrëse në Kongresin Ndërkombëtar të Intelektualëve Myslimanë, organizuar nga Universiteti “Al el Bejt”, Jordani.
1995 – Pjesëmarrëse në Kongresin e Muslimanëve të Evropës, Basel.
1994 – Pjesëmarrëse në Konferencën Ndërkombëtare për Ballkanin, Stamboll.
1994 – Pjesëmarrëse në Konferencën e Kuvendit të Përgjithshëm për Çështje Islamike, Aleksandri, Egjipt.
Në këto konferenca dhe kongrese ndërkombëtare, përfaqësuesi i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së ka prezantuar me këto kumtesa:
“Ardhmëria e Islamit në Euro-Azi dhe lëvizjet që keqpërdorin fenë,” (Tetor 2016).
“Mënyra se si të parandalohet keqpërdorimi i fesë dhe propozime për zgjidhjen e tyre,” (Tetor 2016).
“Islami në beteja permanente kundër të pavërtetës (batilit),” (Kajro, Shkurt 2010).
“Thirr për në rrugën e Zotit dhe polemizo me kundërshtarët,” (Ohër, 2010).
“Civilizimit i duhet dashuria njerëzore,” (Shkup, 2010).
“Burimet prej nga myslimanët e Maqedonisë mësojnë Islamin,” (Stamboll, Maj 2009).
“Ripërtrirja e mendimit islam,” (Kajro, 2009).
“Zbrazëtia shpirtërore vjen nga humbja e besimit,” (Kajro, Mars 2008).
“Dialogu në mes muslimanëve dhe jomuslimanëve,” (Mekë, 2008).
“Islami është fe e paqes dhe tolerancës,” (Mekë, 2008).
“Domosdoshmëria e dialogut mes qytetërimeve dhe feve në këndvështrimin kur’anor dhe profetik,” (Tiranë, Qershor 2007).
“Mbamendja si shtyllë e identitetit kombëtar,” (Jordani, 1998).
“Multinacionaliteti në këta troje është dhuratë Zoti,” (Stamboll, Prill 1994).
“Bota dhe kultura islame,” (Aleksandri, Gusht 1994).
“Mbi pozitën diskriminuese të myslimanëve në hapësirat e ish-Jugosllavisë,” (Medine, 1992).
***
E listuam këtë sukses të BFI-së sa për t’ia mbyllur gojën Shaqir Fetait dhe për të mos marrë më mundimin për të gënjyer dhe për ta paraqitur BFI-në si institucion që fillon me epokën e tij e cila është përplot me tradhti, me gënjeshtra, me hajni, me negativitet e me gatishmëri për të rrënuar një histori të papërsëritshme të BFI-së 1991-2020! E megjithatë Zoti sheh dhe vetëm Ai gjykon. Gykimi i Tij mbi hipokritët si puna e Shaqir Fetait është shumë i trishtë!