Midis nesh
Cili është kujdesi shtetëror për kulturën shqiptare? Fatkeqësisht sot në Shqipëri e Kosovë, është dukshëm më i zbehtë se në kohën komuniste. Ndonëse nën rregulla ideologjike, me elementë të një propagande diktatoriale, megjithatë bëhej kulturë. Të paktën, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri kishte komunitet artistik! Shoqata e shkrimtarëve, artistët e filmit e të teatrit, shoqata e kompozitorëve, të piktorëve, shoqatat e ansambleve, jo që funksiononin me program (ideologjik!), por anëtarët e këtyre shoqatave i jepnin peshë artistëve që gëzonin edhe respekt kombëtar.
Pa dyshim, statusi i artistit sot në botën shqiptare është i një hallexhiu me probleme te ndryshme sociale dhe, për pasojë, komuniteti artistik ose është tërësisht i shpërbërë ose segmente të këtij komuniteti janë të komprometuar dhe pa ndonjë respekt popullor.
Po në viset e tjera etnike shqiptare a ka pasur komunitet artistik, apo a ka pasur përpjekje për të formuar komunitet të tillë. Natyrisht që jo, shqiptarët ose janë përjashtuar nga komunitetet shtetërore artistike, ose ata që kanë aderuar nëpër “kruzhoqe” të tilla, kanë humbur simpatinë e popullit! Shqiptarët nuk kanë mundur të konceptojnë që të jenë të përfshirë në shoqatën e shkrimtarëve të Serbisë, Malit të Zi apo Maqedonisë! Prandaj, jo vetëm shkrimtarët, por edhe artistët dhe krijuesit e tjerë kanë qenë të përfshirë e të anëtarësuar nëpër shoqata e komunitete artistësh të Kosovës. Sot nuk është kështu. Sot shkrimtarët e Maqedonisë nuk mund të përfshihen në asnjë PEN Klub, as në Kosovë, as në Shqipëri dhe as nëpër shtetet tjera ku jetojnë në viset e veta etnike dhe në numër të konsiderueshëm!
Veç kësaj, edhe partizimi, por edhe detyrimi për t’u marrë me punë të tjera për një mirëqenie më të avancuar sociale, e ka bërë “pikë e pesë” komunitetin e artistëve. Pra, sikur politika jonë të ishte më e emancipuar, sikur të kishte një strategji kombëtare për përforcimin e gjymtyrëve të identitetit tonë kulturor, sot do të kishim një komunitet më të dinjitetshëm artistësh, një ligj perfekt për artistët shqiptar.
Problem mjaft i theksuar është edhe fakti që artistët tanë sot nuk e kanë një treg të përbashkët! Me librari të monopolizuar nga shtëpitë më të fuqishme botuese, me buxhet të mjerë të galerive, të cilat nuk e kanë mundësinë e blerjes së pikturave të artistëve shqiptarë, me politika antikombëtare të teatrove që ia kanë dalë ta barrikadojnë skenën teatrale dhe ta personalizojnë deri në masën “unë ty, ti mua”, me shtëpi botuese që në mungesë të ligjeve të fuqishme për të drejta autoriale dhe të drejta të përafërta, “shtëpitë” e veta i kanë shndërruar në bisnes-tezga, me kompozitorë që janë shpërndarë në katër anët e botës pas lekut që vije nga “arti tallava”, me tenorë e me “bilbila” të këngës shqipe, statusi i të cilëve u ka rënë në “këngëtarë dasmash”, komuniteti artistik shqiptar ka ngelur pa tregun e mirëfilltë shqiptar, i cili shërben si sitë për vlerat e mirëfillta artistike!
Pra, komuniteti artistik shqiptar na del të jetë më i paorganizuari, për shkak të pagave të ulëta, na del të jetë edhe lakmitar i punës në administratë! Nga ana tjetër, edhe investimet minimale dhe qesharake në projekte artistike dhe kulturore, partizimi i krijuesve, “internimi” i krijuesve “armiq të popullit” (favorizimi i krijuesve të partisë dhe disfavorizimi i “krijuesve opozitar”) për pasojë ka shkaktuar zvogëlimin e interesimit të publikut për konsumimin e vlerave artistike dhe kulturore si dhe mungesën e promovimit të kulturës kombëtare.
Përkundër këtyre fakteve, vazhdimisht dëgjojmë se investimet në kulturë kanë pësuar një rritje rapide dhe se “kulturalisht” asnjëherë nuk kemi qenë më mirë. Po ,por, cili është statusi i artistit individual dhe i krijuesit të pavarur, ku është veprimtaria artistike e tyre. A kemi status ligjor adaptabil me ato të shteteve të përparuara për sa i përket artistit individual dhe krijuesit të pavarur? Si është i rregulluar statusi shëndetësor e pensional i tyre, apo meqë këta janë kockë e fortë dhe nuk i nënshtrohen kurrfarë sistemi, atëherë le të vdesin! Kjo kategori krijuesish as nuk janë të punësuar, as nuk sigurojnë gjë nga krijimtaria e tyre, as nuk konsumohet krijimtaria e tyre, kurse krijojnë vlera enkas për popullin, sepse ky është ideali i tyre! Pa këtë komunitet artistësh, do të kemi vetëm “artistë” oportunistë!
Shpërbërja e komunitetit artistik i jap hapësirë lumpenproletariatit “artistik”! Te esnafi i artistëve dhe krijuesve pasqyrohet madhështia e një populli! /HEJZA/