Midis nesh
Fatkeqësisht, të paktë janë studiuesit e mirëfilltë të letërsisë shqiptare, ndonëse ka shumë të tillë që bëjnë përpjekje të qëndrojnë në sipërfaqen e studimeve të letërsisë, që përfshin një gamë të vërtetë njohurish. Shumica nga këta të fundit, pavarësisht se vetëkënaqen me qasjet e tyre shterpe, nuk vërejnë se në fakt bëjnë punë të kotë.
Nuk gabojmë fare nëse themi se të paktë janë ata shkrimtarë, veprat e të cilëve meritojnë t’u nënshtrohen një studimi të gjatë, kuptohet me të gjitha elementet që studimin e bëjnë të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha serioz.
Mbase (bëjnë përjashtime disa letrarë të veçantë), është një praktikë e arsyeshme që vepra e një shkrimtari të studiohet vetëm kur ai, pra shkrimtari, vendos që procesit të shkrimit t’i japë fund, ose – ose pasi të largohet fizikisht nga kjo botë.
Së fundi, në horizont duket edhe një dukuri e çuditshme, ajo e përgatitjes së studimeve për autorë që nuk paraqesin asgjë për letërsinë shqiptare dhe që kanë filluar të shkruajnë krejt rastësisht, thjesht për shkak se mendja u është bërë top nga konstatimi: “kur mundet ai, pse nuk mundem unë”!
Kjo dukuri le shteg për interpretime të ndryshme, përfshi edhe atë të tregtisë, pra një vepër – studim me çmimin (në të holla) sipas marrëveshjes paraprake ose edhe me ndonjë marrëveshje që do të ishte e leverdishme për palët në negociata.
Ja pra deri ku kemi arritur me seriozitetin tonë.
Janë disa individë që i përdorin të gjitha mjetet (perfide) për t’u shitur si “shkrimtarë”, pavarësisht faktit se gjithçka është artificiale dhe jetëshkurtër. Por, ka edhe “studiues” të tillë, të cilët kanë hapur “dyqanet” e tyre për vepra studimi me pagesë.
Është i çuditshëm fakti se nuk kemi kritikë letrare, por nga ana tjetër ja që kemi “studiues” të pandërgjegjshëm, të cilët kanë hapur kosën dhe fare nuk shohin se çfarë kanë para vetes.
Ambienti letrar i shoqërisë shqiptare është mbushur me mediokër, diletantë, tregtarë, abuzues, analfabetë, me don zhuanë e kujdestarë që ditë e natë rrinë në FB, duke ndarë pëlqime e duke shkruar komente, dhe së fundi edhe me disa “studiues” të çuditshëm që i hynë një pune aspak të ndershme.
Secili që i përcjell rrjedhat e letërsisë shqiptare, sidomos letërsinë bashkëkohore, e ka të qartë se cilët shkrimtarë e meritojnë që për veprën e tyre të shkruhen studime të veçanta. Dhe, këto studime, me qëllim të peshës dhe seriozitetit, zakonisht realizohen në mënyrë institucionale dhe nga specialistë të dëshmuar të letërsisë…
/HEJZA/