Emigrantët, BE miraton planin e masave. Nga Qershori, flota detare në Mesdhe

Pas shumë debatesh, më në fund ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian miratuan planin për ngritjen e një force detare, e cila do të luftojë trafikimin e qenieve njerëzore në detin Mesdhe.
Sipas shefes së Politikës së Jashtme të unionit, Federica Mogherini, ky operacion do të kalojë në tri faza: Mbledhja e informacioneve mbi trafikantët; inspektimi dhe zbulimi për vendndodhjen e anijeve; si dhe shkatërrimin e këtyre mjeteve të pasigurta për transportin e njerëzve në det të hapur.

Më shumë sesa shkatërrimi i anijeve, shefja e Politikës së Jashtme shpjegoi se qëllimi kryesor është shpërbërja e modelit të biznesit, që po bëjnë në mënyrë të paligjshme trafikuesit e qenieve njerëzore.

Kjo ishte një sfidë e drejtpërdrejtë për Bashkimin Europian, i cili po përballet me një rritje të refugjatëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme, për të arritur në kontinentin e vjetër. Por vendi, që më herët u cilësua si më egoisti nga partnerët e tij, Britania e Madhe është ajo që po drejton Këshillin e Sigurimit për këtë çështje me rëndësi, duke hartuar një rezolutë, e cila konsiston në krijimin e një shtabi ushtarak detar e tokësor, që lufton trafikantët.

Ky hap i fundit, i prezantuar nga Sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond, dhe Sekretari i Mbrojtjes, Michael Fallon, tregon se ujërat po lëvizin dhe se Anglia nuk është më kategorike si disa ditë më parë, kur David Cameron kundërshtoi hapur planin e BE-së për shpërndarjen e refugjatëve.

Megjithatë, skeptikët mendojnë se kjo paketë e propozuar mund të jetë edhe një reagim i qeverisë, për të ndaluar thirrjet që Bashkimi Europian i bën Londrës për të marrë më shumë emigrantë.

 

Leave a Reply