Midis nesh
A mund të dëshmohet madhështia krijuese, a mund të shprehet maja e intelektualitetit, a mund të pasqyrohet mekanizmi i stërhollimit estetik, duke e njohur vetëm të huajën, vlerat artistike të një kulture të huaj, ndërkohë që fare nuk kemi të bëjmë me fenomenin e integrimit deri në asimilim! Kohëve të fundit me të madhe dëgjohen shprehjet “nuk e dëgjoj muzikën shqiptare, vetëm të huajën”, “nuk paralexoj gjëra të shkruara në shqip, më pështiret leximi”, “nuk i njoh autorët shqiptarë”, “nuk botoj autorë shqiptarë”, “nuk i shikoj filmat shqiptarë”, “fëmija më mirë të mësojë që në belbëzimet e para gjuhë të huaja”, “nuk humbi kohë me vlera folklorike, jam i dhënë pas muzikës që vjen nga bota Maja, nga bota mistike kineze” etj.
Të njëjtët kërkojnë respekt, kërkojnë qasje si ndaj një kulturologu të paarritshëm, si ndaj një konsumatori të vlerave kulturore që vijnë përtej njohurive tona “të kufizuara e të folklorizuara”, të përcipta e me strukturë guace ku ne, të tjerët, jemi mbyllur dhe nuk dimë se ç’vlera posedon bota!
Inteligjencë nuk do të thotë aftësia për ta përjetuar të bukurën, por, mbi të gjitha, “për ta përshkruar shpirtin e popullit” (Gogoli)!
Pa dyshim, për ta dalluar dhe për ta përjetuar të bukurën që vjen nga një kulturë e huaj, është përgatitje intelektuale, njohuri dhe shkathtësi prej mjeshtri për të notuar në “detet kulturorë” të popujve të ndryshëm!
Krijuesi mund të llogaritet kombëtar edhe në rast se në veprën e vet pasqyron një botë të huaj, adhuruesi estetik mund të jetë kombëtar edhe nëse jepet me shpirt pas vlerave të huaja, por në të dy rastet duhet ta ketë shpirtin e vet origjinal, të gatuar me plotë të bukura që vijnë nga vlerat e shumta estetike që i ka etnikumi i vet! Krijuesit e mirëfilltë sa herë që në krijimet e tyre trajtojnë elementë nga bota e huaj, atë nuk e bëjnë sipas botëkuptimit të vet, por sipas perceptimit nacional që ekziston mbi atë botë! Jashtë kësaj logjike – kemi të bëjmë me shkëputje të hallkave nga zinxhiri i kategorive estetike! Të mos e njohësh tënden dhe të jepesh pas të huajës – ky po që është problem i madh estetik. Të vdesësh pas muzikës së Goran Bregoviqit, të “Riblja Çorbës”, ndërsa nuk e merr në konsideratë perceptimin nacional mbi këto “vlera muzikore”, atëherë kemi të bëjmë me vetpërjashtimin nga esenca kombëtare si kategori estetike. Të mos e njohësh asnjë piktor shqiptar, ndërsa ta madhërosh, bie fjala, Gustav Klimtin, kjo nuk ka fare të bëjë me shije estetike, por thjesht me snobizëm.
Një i huaj do të mrekullohej me çdo shqiptar që ka njohuri të padiskutueshme mbi kulturën e tij, por që ky mrekullim do të kalonte në pështirosje sapo i huaji të dëshironte të mësojë diç nga kultura e shqiptarit e që ky i thotë: nuk di asgjë, nuk e ndjek kulturën e popullit tim, jam i pasionuar pas kulturave të huaja! Njohuritë mbi të arriturat kombëtare, nacionale, në sfera të ndryshme të krijimtarisë, të artit, të kulturës, janë ushqim i arsyes për t’i zgjeruar ato njohuri edhe përtej nacionales, sepse i hap shteg krahasimit. Dhe, ky shteg të shpie në “autostradë” ku vlerat fluturojnë bashkë me kohën! Në këtë “autostradë vlerash” nuk mund të futet vetëm ai që nuk ka njohuri mbi vlerat e larta të kombit të vet. Të pretendojë shqiptari “i kulturuar” që të prosperojë duke e injoruar kombëtaren si kategori estetike, është njëjtë sikur të futet në maratonë ndërkohë që kurrizin e sakatosur ia mbajnë ca “shufra” të akullt!
Duhet ta njohim fort mirë kulturën kombëtare me qëllim që e huaja, sado e hatashme në kuptimin estetik, të mos na bëhet kategori estetike nacionale! Skena kulturore botërore është galaktike dhe aty vezullojnë edhe vlerat tona kulturore. /HEJZA/