Krijuesi i vaksinës anti-Covid: Biontech vepron edhe kundër variantit të ri

Kompania nga Mainzi, Biontech, e cila ka zbuluar vaksinën Biontech ka vendosur të hetojë mutacionin e ri të koronavirusit nga Britania e Madhe në ditët në vijim.

Shefi i kompanisë, Ugur Sahin, ka njoftuar këtë vendim në një intervistë për portalin e gazetës “Bild”. Ai ka vënë në dukje se mutacionet e ekzaminuara më parë të patogjenit nuk kishin prekur vaksinën e prodhuar nga kompania e tij në bashkëpunim me kompaninë amerikane Pfizer, transmeton albinfo.ch

Ai është i bindur se vaksina Biontech do të funksionojë edhe me mutacionin nga Britania e Madhe.

Ndërkohë, mësohet se varianti i ri, që ka pësuar mutacion, i koronavirusit Sars-CoV-2 është zbuluar tashmë në pesë vende të tjera përveç Britanisë së Madhe.

Prania e tij është konstatuar në Australi, Islandë, Itali, Holandë dhe Danimarkë. Kjo u njoftua nga një ekspert i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), raporton srf.ch.

Një variant tjetër, por i ngjashëm, është zbuluar në Afrikën e Jugut.

Por përkundër rrezikut që përfaqëson varianti i ri i virusit për infektimin e tij më të shpejtë, edhe ai mund të vihet nën kontroll, transmeton albinfo.ch. Por nevojiten më shumë përpjekje, ka thënë eksperti i OBSH-së.

Deri më tani nuk ka ndonjë dëshmi se varianti i ri çon në një rrjedhë më të rëndë të sëmundjes.

Leave a Reply