Midis nesh
Misioni i artistit, përfshi edhe shkrimtarin, është t’i shërbejë të bukurës si kategori estetike dhe të vërtetës, si kategori morale, që i referohet mendjes dhe arsyes. Në këtë drejtim, kontributi i artistit në ndryshimin e botës, por edhe të gjendjes shpirtërore, është një punë e veçantë, ndaj jo gjithkush mund t’i dalë në krye këtij misioni. Prandaj, dimensionet e panjohura shpirtërore të artistit janë magjike dhe reflektojnë mirësi, paqe, dashuri dhe të vërtetën.
Por, ja që shpesh ndodh që disa që shiten si artistë t’i frikësohen të vërtetës se janë ata që janë (edhe si pamje fizike), ndaj dhe bëjnë disa veprime, të cilat ua demanton pasqyra sa herë që e shikojnë veten.
Si ndodh që “shkrimtari” t’i ikë të vërtetës, duke u fshehur edhe prej vetes dhe duke i thënë vetes së pasqyra gënjen, se në fakt është shumë më i ri.
Janë disa “artistë” që veten e konsiderojnë “shkrimtarë”, edhe pse në moshë (siç është ai mashtruesi që jeton në Rumania), ata këmbëngulin se akoma janë maturantë (siç është një mik i mashtruesit “shqiptaro-rumun” nga Tetova), ndaj dhe në profilet e tyre, në kopertinat e librave, por edhe në katalogë e pllakate të ndryshme, i nxjerrin pikërisht fotot e kohës kur kanë qenë të rinj, përkatësisht maturantë.
Tash shtrohet pyetja: po kë e mashtrojnë këta mashtrues të vetvetes, kur thjeshtë i demanton përditshmëria dhe pamja fizike e tyre, me të cilën pamje bashkëjetojnë orë e çast dhe gjithandej kah lëvizin?
Pse i ikin të vërtetës se janë atë që janë dhe cili është qëllimi i tyre, ndonëse supozimet na çojnë te rezervat e fundit të epsheve të tyre të zbehura.
Të jesh i thinjur ose tullac është diçka normale, mbase edhe të tillët janë në trend, por ta mashtrosh veten me ndonjë kapelë, është e njëjtë se me punën e strucit që fut kokën në zall dhe mendon se e ka fshehur gjithë trupin.
Të tillët që pretendojnë se janë “artistë”, përkatësisht “shkrimtarë”, para se gjithash janë individë me komplekse dhe ilaçi i vetëm për ta është pajtimi me realitetin dhe vetveten. Shenjat e viteve të kaluara për artistin e vërtetë janë shenja pjekurie dhe arti i tyre vërtet është jo vetëm pasuri estetike, por edhe frymëzues për gjeneratat që vijnë pas.
Pra, të vërtetën duhet shikuar në sy, siç duhet shikuar veten në pasqyrë krejt natyrshëm, pa grim apo mjete tjera maskimi që janë elemente të përkohshme dhe që shërbejnë vetëm për pak orë…/HEJZA/