Nga: Florian Schmitz
Rreth tregut Kapani në qendër të Selanikut, është përqëndruar skena e gustatorëve të qytetit. Këtu mund të blesh të gjitha prodhimet, për të cilat grekët janë krenarë: djathë, verë, erëza dhe hallvën e famshme që bëhet me sasam, sheqer dhe mjalt. Hallva e ka origjinën nga Lindja e Mesme. Prej nga andej, receta ka ardhur gjatë shekujve deri në Greqinë e sotme dhe në Ballkan.
Në veri të kufirit, në fqinjin Maqedoni Veriore, hallva quhet alvë, dhe po ashtu është pjesë e ushqimeve tradicionale. Shumë njerëz në Greqi e shohin këtë si konkurencë. Kjo nuk ka lidhje me konkurencën e shëndetshme që çon përpara biznesin, por ka të bëjë me privilegj kulturor. Grindja 30 vjeçare për çështjen e emrit, që u sheshua më 2018 me Marrëveshjen e Prespës, ka lënë gjurmë të thella midis dy popujve. “Ata nuk kanë të drejtë të përdorin emrin e Maqedonisë për prodhimet e tyre,” thotë një tregtare nga Selaniku. Ajo mendon se prodhimet maqedonase janë greke, edhe për rastin e hallvës. Maqedonasit kanë ardhur në Greqi për të blerë hallvën. “Ata nuk kanë pasur idenë si ta prodhonin hallvën”.
Pak besim tek politika
Në Shkup, që ndodhet 240 km larg, kryeqytetin e Maqedonisë, bëhet gallatë me këtë gjë. Natyrisht që edhe këtu prodhohet alvë, thotë një grua e re, edhe nëse variantet greke janë më të mira se sa ato vendase, thotë ajo duke qeshur. Dhe prodhimi kryesor për të cilin flitet kur bëhet fjalë për origjinën, është vera, një produkt eksportues për të dy vendet.
“Vera maqedonase vjen nga Maqedonia, jo nga Greqia”, thotë një shitëse në qendër të Shkupit. Ndryshimin e emrit të vendit mbas Marrëveshjes së Prespës ajo e quan krim: “Maqedonia Veriore nuk ekziston. Ky emër na u dha me zor”. Jo të gjithë maqedonasit mendojnë në mënyrë kaq radikale sa ajo. Megjithatë edhe një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes, njerëzit në të dy anët e kufirit nuk janë mësuar ende me situatën e re. Arsyeja pse ndodh kjo ka të bëjë me mungesën e besimit tek politika.
Kryeministri grek i asaj kohe, Alexis Tsipras, nuk arriti t’i fitonte zgjedhjet e reja në korrik edhe për shkak të çështjes së emrit me Maqedoninë, dhe tani edhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev, është duke e humbur mbështetjen. Ai i pati joshur maqedonasit të votonin për Marrëveshjen e Prespës, duke u premtuar pasaportat e BE. Por, rruga është e gjatë deri sa të hyhet vërtet në Klubin e Brukselit.
Maqedonia Veriore është tronditur kohët e fundit nga një skandal i rëndë për ushtrim shantazhi. Prokurorja maqedonase, Katica Janeva, e cila u vendos në detyrë nga qeveria për të luftuar krimin e organizuar, ndodhet vetë nën hetime. Kurse Zaev kishte premtuar të luftonte korrupsionin. Prandaj shumë maqedonas dyshojnë nëse Marrëveshja e Prespës, e cila ndodhet ende në proces zbatimi, ka qenë zgjidhja e duhur.
Igeologji politike versus pragmatizëm biznesi
Aktualisht qeveria e re e Athinës e ka ashpërsuar tonin e zërit kur flet me fqinjin verior. Kryeministri në pushtet, Kyriakos Mitsotakis foli në Panairin Ndërkombëtar të Tregtisë në Selanik, mbajtur në fillim të shtatorit për çështjet e etiketave të prodhimit të produkteve maqedonase, duke e quajtur rajonin greko-verior si “Maqedoninë e vërtetë”. Në takimin e parë me kolegun nga Shkupi, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB në Nju Jork, ai bëri të qartë se: “Unë vetë nuk do e kisha nënshkruar Marrëveshjen e Prespës, megjithatë do ta pranoj”.
Sidoqoftë ai vetë nuk ka shumë hapësirë për të lëvizur. Marrëveshja e Prespës është ratifikuar dhe i detyron të dy vendet që ta zbatojnë. Tani fjala është për procesin e zbatimit, si dhe zgjidhjen e çështjes së origjinisë së produkteve. “Politikanët kanë bërë punën e tyre,” thotë Gjorgij Filipov nga Shkupi. Ai është zëvendëskryetar i një komisioni ekspertësh me përfaqësues nga të dy vendet, si dhe i zyrës së Bashkimit Europian, për pronësinë intelektuale. Ata këshillojnë Dhomat e Tregëtisë për gjetjen e zgjidhjes së çështjes së origjinës të produkteve.
Kemi të bëjmë me pronën private dhe pronën shtetërore, prandaj bisedimet nuk zhvillohen më në nivel politik: “Ne i kemi bërë kërkesë të dy palëve që të bien dakord brenda tre viteve të ardhshme”. Por kjo detyrë nuk do të ketë një zgjidhje të vetme. Sepse kemi të blejmë me aspekte të ndryshme, si të dhënat gjeografike të produkteve, emrin që përdoret në tregti për to, markat e regjistruara dhe emrat e markave. E rëndësishme është tani që të kapërcehen pengesat ideologjike të politikës. Edhe në pjesë të tjera të botës ka pasur probleme të ngjashme që janë zgjidhur në paqe. “Biznesmenët janë pjesë e botës reale dhe mbase edhe më të mençur se politikanët. Ata do e gjejnë një zgjidhje.”
Konkurrenca pas Prespës
Ai mund të ketë të drejtë kur thotë kështu. Edhe tani tregtia mes dy vendeve lulëzon. Edhe në çështjen e verës, shumë pengesa janë mënjanuar tashmë. “Mbas marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimit të emrit në Maqedoninë e Veirut, të gjithë prodhuesit e verës i ndryshuan etiketat e tyre,” shpjegon Elena Mladenovska Jelenkovic, manaxhere e kooperativës “Verë nga Maqedonia”. “Çdo shishe vere, që është etiketuar sipas ndryshimeve të bëra, ka emrin e ri të vendit. Kështu që nuk mund të bëhen ngatërresa.” Sipas marrëveshjeve të arritura, të dy vendet lejohet të përdorin emërtimin “Maqedoni” dhe “maqedonase”, nëse shënohet qartë vendi i prodhimit.
Edhe pala greke është kujdesur për të ruajtur emrin e mirë të prodhuesve të verërave. Deri tani nuk ka patur probleme në treg për verërat greke, thotë Fani Argyropoulou nga vreshtaria Pieria Eratini. Jashtë vendi mund të ketë ngatërresa, por ajo beson tek tregu: “Konkurrenca i bën prodhimet më të mira. Edhe në Greqi ne konkurrojmë me vreshtaritë e tjera. Prandaj unë besoj se çdo produkt është i veçantë sipas natyrës së vet.” /DW/