BOTA E BOTIMIT, NJË XHUNGËL E PAMËSHIRSHME
Gentiana Minga u lind në Durrës në vitin 1971. Ka mbaruar Fakultetin Gjuhë -Letërsi në Tiranë. Për vite me radhë ka punuar pranë Bibliotekës Publike Durrës dhe ka bashkëpunuar me gazeta te ndryshme. Për herë të parë del me veprën “Autopsia e shkatërrimit”, 1993, botim i Europës, që ishte shtëpi botuese e poetit Frederik Rreshpja. Veprat tjera të saj janë: “Zonja e Shkodrës” (vëllim poetik), Florimont, 2003; “Ciao mamma, un saluto da Bolzano” (vëllim poetik), “Terra d’Ulivi”, Lecce, 2017. “Tempi che sono/ Zeiten wie diese/ Kohë që janë” (vëllim në tre gjuhë, italisht, shqip e gjermanisht). Pjesë nga krijimtaria e saj janë përfshirë në antologji të ndryshme si :“Lichtungen- Zeitschrift fur Literatur Kunst und Zeitkritik”nr 157/2019 , Pais remoto, muestra de poesìa albanese, Ril editores, Santiago de Cile, nr.51/2020; Matrilineare/Madri e figlie nella poesia italiana dagli anni Sessanta a oggi, La Vita Felice, 2018; Literatur sichten Südtirol | Alto Adige | „alto fragile“, Foglio Verlag, Wien, 2021. Punon e jeton në Itali.
HEJZA: Larg atdheut, larg vlerave kulturore të kombit, me valixhet plot kujtime, ndrydhur në vetmi e përmallime, lemeritur nga pesha e papërballueshme e asimilimit – ky është motivi krijues, apo, është ai fat që i ndjek të mërguarit për të bërë letërsi të mirëfilltë. Dikur, krijuesit nga diaspora, shqetësimet letrar si rrjedhojë e rebelimit shpirtëror anti-pushtet (disidenca), i orientonin në krijimin e kryeveprave në letërsinë tonë shqiptare, sot këtë gjë e bëjnë me qejf, për ta përcjellë traditën e prurjeve të reja në letërsi dhe, përgjithësisht, në kulturë! Apo ndoshta, tashmë, ky vlerësim është demode, sepse, shkrimtari ynë sot, në kohën e globalizmit, kudo qoftë në botë, ai është në atdhe!
MINGA: Vendimi im për të emigruar në Itali, erdhi si pasojë e një shtyse të fortë për t’iu përvjedhur një kafazi të ndryshkur kinse me dyer të hapura, ujdisur me erëza, pikërisht të vlerave kulturore kombëtare e të tjera si këto. Ç’është e vërteta, domosdoshmëria për të eksperimentuar të tjera kultura e të tjera vlera, pra të tjera kombe, ushtronte tek unë të njëjtën trysni që ushtronte mbi çdo të ri shqiptar të pas viteve 90. Merret me mend që me kalimin e kohës, kjo ikje dikur shpëtimtare, çlirim prej një qerthulli që kundërmonte myk, sot përcakton një akt normal emigrimi, përgjatë së cilit procesin e asimilimit unë e përjetoj jo pa brengë. Ky është një lloj lëngimi i gjatë për të cilin nuk isha e përgatitur e të cilit i kundërvihem me forca të flashkëta. Shkulja ime ishte e vrullshme, e menjëhershme, pa kthim koke pas. Por, ja që mbas një periudhe relativisht marramendëse, munda të konstatoj rrënjët e mia ende të pakuruara. Si në një sallë operacioni në të cilin i sëmuri ende nën efektin e anestezisë, ngrihet e u drejtohet marramendasi portës me bark të çarë e të përbrendshmet që i varen jashtë. Kjo ndoshta ka bërë që në “tul” të shkrimeve të mia të pas emigrimit të nisë të kryhet një dok automat, të shpërhapet një tis nostalgjik, të kapërthehen ca gungëza pengjesh, që gjithmonë e më shpesh lexuesit ma vënë në dukje. Në punë e sipër unë nuk i njoh. Të paktën kjo është ajo që ndodh me mua. Për një autor që emigron, e që i duhet të fillojë çdo gjë nga e para, përpjekja për të rishëndoshur rrënjët në një ngastër të re, është sfilitëse. Shpesh nuk ngjisin, dhe mbijetesa si autor është e pezullt, mbi kufij që zgjaten pa fund. Pra, ndryshe nga ç’mendoja dikur, sot, për një letërsi të mirëfilltë, një autori emigrant i duhet të përballojë asimilimin, që në një mënyrë apo në një tjetër po ndodh, me guxim e vetëdije. Në mundet le ta kontrollojë, të përpiqet të shpëtojë sikur edhe një grusht dhé për farëzime të reja. Shprehja juaj: “shkrimtari ynë sot, në kohën e globalizmit, kudo qoftë në botë, ai është në atdhe!”, është shumë e drejtë dhe joshëse, por, në rastin tim, për fat të keq, nuk funksionon gjithmonë. Shpesh është vetë atdheu njerkë që të kujton si “pjesë këmbimi”. Ndonjëherë jam unë që për të shkruar, kam nevojë për një fëmijëri, e fëmijëria ka veç një atdhe.
HEJZA: Gërshetimi i kulturës hispane me kulturën e indigjenëve përgjatë kolonializimit të “kontinentit të ri” (Amerikës), solli deri te “lindja e madhe” e Letërsisë Hispanoamerikane, e cila, botës letrare i dhuroi kryevepra të paarritshme, nxori një plejadë shkrimtarësh mbase të papërsëritshëm ndonjëherë! Mund të vërehet ndonjë element i tillë gërshetues te krijimtaria letrare e krijuesve tanë në diasporë?
MINGA: Në rastin konkret përgjigjem për realitetin që më përket e që është një pëllëmbë e dinamikave të larmishme italiane. Ky realitet modest, elemente të tilla gërshetuese ende nuk i vë re. Mund të jetë e lidhur kjo me politikat italiane, ku ende figura e të huajit artist shpesh ndërfutet e përdoret në rrafshet e pafundme e të mërzitshme të interkulturës apo transkulturës, teori të cilësuara prej shumicës së profesionistëve si të dala mode. Numri i autorëve është i madh, vlerësimi i veprës, objektiviteti në studimin e tyre kryhet më së shumti pa korniza të kritikës letrare të mirëfilltë, ndonjëherë në mëshirë të intelektualëve vullnetarë apo të porositur. Në procesin e sitjes, gjithmonë nëse ka një të tillë, humbasin shumë autorë të mirë, të denjë për të qenë heronjtë e parë të gërshetimit. Ky është një proces tepër i avashtë. Duhen së paku të ekzistojë dëshira reale prej institucioneve përkatëse që të merren direkt me mbështetjen konkrete të këtij procesi, për të krijuar kushte të vërteta, si kulturore po ashtu edhe ekonomike. Në Itali kjo politikë mbetet në kufijtë e emigracionit, e në rastin më të mirë të rastësisë. Në Shqipëri sapo ka nisur me krijimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën 0në mos gabohem më 2019-ën). Tanimë ekziston edhe një periodik i titulluar “ Letra nga Diaspora” me drejtues Arta Markun. Uroj të jetë një fillim i mbarë.
HEJZA: Është më me vlerë ndjekja e traditës për të sjellë “krijime unikale”, apo, të bëjmë përpjekje që letërsinë tonë ta sjellim në gjuhën e popujve me të cilët bashkëjeton diaspora jonë! Sa stimulohet përkthimi, a kemi përkthyes të mirëfilltë në diasporë. Bibliotekat si dhe libraritë tona, gjithandej viseve etnike, po “gogësijnë” nga veprat e përkthyera nga letërsia botërore. Apo ndoshta ndani mendimin se çështja e përkthimit të veprave tona nga shqipja në gjuhë të ndryshme, është problem që duhet ta zgjidhin ekskluzivisht institucionet tona qeveritare dhe nacionale!
MINGA: Përpjekje që letërsinë tonë ta sjellim në gjuhë të popujve të tjerë patjetër që duhen bërë. Madje me ngut. Këtë gjë nuk u takon ta kryejnë autorët, por kush merret me lëvrimin e përhapjen e kulturës amtare, kjo si për autorët që jetojnë në Shqipëri, po ashtu edhe ata të diasporës. Përsa i përket përkthimeve të veprave të autorëve shqiptarë, besoj së të tërë e dimë që është bërë shumë pak, në mos aspak. Në rastin më të dëshpëruara, autorët u vihen vetë përkthimeve të veprave të tyre, apo paguajnë përkthyes prej portofolave të tyre. Ne kemi poetë e shkrimtarë bashkëkohorë pa diskutim cilësor, që duhet doemos të përkthehen në shumë gjuhë, me përkujdesjen dhe angazhimin e institucioneve qeveritare dhe nacionale. Nuk jam në dijeni sa përkthyes të mirëfilltë kemi në diasporë, por jam e bindur që në rastin më të mirë duhet të kontaktohen, të angazhohen, të përgatiten, të paguhen denjësisht. Ndërkaq, për sa i përket cilësisë së përkthimeve të autorëve të huaj në gjuhën shqipe, duke përjashtuar përkthyesit e përhershëm të njohur, dekadave të fundit ato, pra përkthimet, janë të tmerrshme.
HEJZA: Cili është raporti i atdheut me krijuesit shqiptarë të diasporës! Shtëpitë tona botuese që i kemi me bollëk, dinë gjë për këta shkrimtarë, apo, nisin e i njohin sapo ndonjëri prej tyre të shpreh gatishmëri për vetëfinancim të veprave të veta? A mendoni se vetëfinancimi i botimeve është një “korrupsion kulturor” i cili duhet të ndiqet, madje edhe me mbyllje të shtëpisë botuese, nga organet respektive shtetërore?
MINGA: Siç e thashë më sipër, deri para pak vitesh, një marrëdhënie serioze dhe e vazhdueshme e shtetit shqiptar me autorë shqiptarë të diasporës nuk ka ekzistuar. Pak të tillë përcilleshin në mediat shqiptare. Përgjithësisht autorë të mirënjohur në Shqipëri. Personalisht sot nuk e di mirë si funksionon. Që prej viteve 90-të nuk i jam referuar ndonjë shtëpie botuese shqiptare për botimin e një vepre të tërë. Bashkëpunoj prej shumë vitesh me botimet Poeteka, që shpesh boton autorë të diasporës, si edhe përkthime të autorëve të huaj, jo domosdoshmërish me famë botërore. Por, me sa di unë, realitete të tilla në Shqipëri janë të pakta. Nuk e di nga vjen nisma për botim. Nga autori? Nga shtëpia botuese? Me çfarë kushtesh? Për sa i përket vetëfinancimit të botimeve, si në Shqipëri, po ashtu edhe në Itali, po bëhet një problem jo vetëm i shtëpive botuese të mesme, por edhe të fuqishme, si Enaudi, Bombiani e kështu me radhë. Gjithmonë e me shpesh po flitet për shtëpi botuese që punojnë në dy binarë… Kam njohur autorë shumë të mirë italianë që librat e tyre të parë i kanë vetëfinancuar, e nëse nuk do bënin kështu, nuk do të lexoheshin kurrë. Lexuesit do të kishin humbur autorë të shkëlqyer. E vërteta e kësaj situate qëndron në mes. Vetëfinancimi i botimeve ( i plotë, i pjesshëm, i padukshëm) mbetet një realitet fyes për një autor të mirëfilltë, të cilit nuk i ofrohen alternativa të tjera, e anasjelltas një “korrupsion kulturor” për autorë të vetëshpallur, që kapërcejnë botimin me lehtësi gazmore, e po ashtu, gjithmonë nëpërmjet pagesave të kripura, rehatohen në hapësira me zë të mediave. Shtëpitë botuese të mesme nuk kanë mundësinë e shtëpive botuese të mëdha për të rrezikuar 100% me autorë ende të panjohur. Për fat të keq është çështje marke. Ky është një problem delikat, të cilin shpesh shumë autorë evitojnë ta diskutojnë. Kam lexuar vepra të mira nga shtëpi botimi mediokre dhe anasjelltas. Nuk besoj se kjo gjë mund të zgjidhet me përndjekje apo dënime. Di që cilësia e artit dhe e shtëpive botuese, mbështetja e tyre ekonomike është një realitet serioz që ka urgjencë të ujdiset me profesionalizëm e paanshmëri nga ana e institucioneve kompetente, të cilat nëse mungojnë duhet medoemos të ngrihen. E përsëris, i njëjti problem është edhe në Itali. Bota e botimit është një xhungël e pamëshirshme.
HEJZA: A e ka thënë akoma fjalën e vet kritika letrare për krijimtarinë që po zhvillohet në diasporë. Apo, janë dy vlera që po ecin paralelisht dhe assesi të takohen diku sy më sy!
MINGA: Nuk kam dijeni që kritika letrare ta ketë thënë apo ta thotë fjalën e vet për krijimtarinë me bollëk të diasporës. Jemi gjithmonë në limitet e autorëve të ndjerë që prej 1600,1800 e kështu me radhë. Por, kjo ndodh me gjithë krijimtarinë letrare shqiptare në përgjithësi. Me përjashtim, si kurdoherë, të autorëve që i dimë.
HEJZA: Antologjitë e më hershme të poezisë, por edhe të tregimit shqiptar, nuk janë llogaritur si të “kompletuara” pa përfshirjen e autorëve shqiptarë të diasporës! Sa vend zënë sot krijuesit nga diaspora nëpër antologjitë e tilla bashkëkohore? Apo nuk njihen fare nga hartuesit e antologjive, aq më pak nëse nuk paguajnë për përfshirje!
MINGA: Më ndjeni, por deri më tani nuk di të jem ftuar në ndonjë antologji shqiptare të diasporës, e nuk jam në dijeni të ndonjë antologjie të tillë. E mirëpres me kënaqësi. Për sa i përket pagesës, po ju rrëfej diçka për të reflektuar sadopak. Kohë më parë m’u kërkua nga një shtëpi botuese vjenezë të marr pjesë në një antologji të autorëve sud-tirolez. Përveç nderit të pjesëmarrjes, autorëve u ofrohet një honorar i kripur.
HEJZA: Jeta letrare e shqiptarëve sot është më e pasur se dikur apo më e varfër?
MINGA: Sot botohet shumë, tepër, pa fund e keq. Në këtë tollovi botimesh, ka vepra letrare shumë më të pasura se dikur, por përhumbja në një mjedis me shkallë të lartë banaliteti, i mbyt. Duhet një institucion që t’i nxjerrë në pah, t’i këqyrë, t’i “kritikojë”, t’u japë zë.