Pas mbledhjes se jashtëzakonshme të ministrave të jashtëm të BE-së për situatën në Afganistan shefi i Politikës së Jashtme, Joseph Borrell, mohoi se kishte thënë se Brukseli do të njohë pushtetin e talebanëve, por që do të duhet të bisedohet me ta.
“Talebanët kanë fituar luftën, kështu që ne do të duhet të flasim me ta. Përparësia jonë është evakuimi nga Kabuli i stafit të BE dhe ndihmësve afganë. Lufta kundër al-Kaedës në Afganistan pati sukses, ndërtimi i kombit jo”, tha Borrell.
Sipas tij marrja e pushtetit në Afganistani nga talebanët është ngjarja më e rëndësishme gjeopolitike që nga pushtimi rus në Krime në 2014. Borrell tha financimet e mëtejshme të ndihmës për zhvillimin e këtij shteti do të varen nga respektimi i të drejtave të njeriut dhe respektimi i rezolutave të Këshillit të Sigurisë. Borrell tha se ka shumë mësime për të nxjerrë, dhe se duhet të pranohen gabimet qe janë bërë në Afganistan.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, fajësoi ish-udhëheqjen afgane për kolapsin e shpejtë, por siguroi gazetarët se edhe aleanca veri-atlantike duhet që të zbulojë të metat e saj në stërvitjen e ushtrisë afgane.
Stoltenberg tha se “ka mësime që duhen nxjerrë nga pësimi” në NATO.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, konfirmoi se një avion ushtarak gjerman u ngrit nga aeroporti i Kabulit me më shumë se 120 persona në bord, përfshirë gjermanë, afganë dhe njerëz nga vende të tjera që kanë shërbyer për ndërkombtarët në Afganistan.
Më shumë evakuime do të pasojnë, tha ministri Maas. Gjermania do të dërgojë 600 ushtarë në aeroportin e Kabulit për këtë qëllim. Qeveria gjermane dërgoi disa aeroplanë në rajon për të krijuar një “urë ajrore” për të evakuuar gjermanët në Uzbekistanin fqinj.