Ngjarjet në Maqedoni, Dërguti: Mustafa dhe Jahjaga ishin informuar nga AKI

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe Presidentja Atifete Jahjaga ishin informuar që më 23 Shkurt të këtij viti nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, për ngjarjet që mund të ndodhnin në Maqedoni.
Këtë e bëri të ditur anëtarja e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Aida Dërguti, në mbledhjen e Komisionit për Sigurinë, ku për ngjarjet raportoi ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, dhe drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni.

“Menjëherë pas ngjarjeve në Kumanovë më 12 Maj, komisioni ka ftuar në takim përfaqësuesit e AKI-së gjatë të cilit janë pyetur për punën e raportit. AKI-ja ka konfirmuar para komisionit, se raporti për këtë grup i është dorëzuar kryeministrit dhe Presidentes, ndërkohë ka shtuar se për ngjarjet kanë qenë në dijeni ministri i Punëve të Brendshme, ai i Drejtësisë dhe drejtori i Policisë”, tha Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ky informacion erdhi pasi, fillimisht gjatë raportimit, ministri Skënder Hyseni mohoi se është vënë në dijeni nga Intelegjenca, lidhur me situatën.

“Ministria e Brendshme nuk ka pasur informacione, se mund të ndodhte ajo që ndodhi”, tha Skënder Hyseni.

Duke iu përgjigjur informacionit, se një raport i AKI-së ka shkuar në Kryeministri dhe Presidencë, ai i bëri vërejtje deputetes Aida Dërguti për publikimin e informacioneve të AKI-së, që jepen në mbledhjet e mbyllura.

“Kjo është me të vërtetë një deklaratë e pastër politike. Pyetja që lind është vetëm një: A ka ndarë kryeministri, një informacion ose një raport me mua, ose këdo qoftë? Ju them se, është në të drejtën ekskluzive të kryeministrit dhe të Presidentes, apo edhe të një anëtari për mbikëqyrjen e AKI-së, se çfarë ndajnë me dikë e çfarë nuk ndajnë. Është në të drejtën ekskluzive tuajën dhe në përgjegjësinë tënde, në këtë rast si anëtare e komisionit, se çfarë bën publike nga mbledhjet e mbyllura të AKI-së”, u shpreh Skënder Hyseni, ministër i Punëve të Brendshme.

Kritika për mosadresimin e problemeve bëri edhe deputeti i “Nismës”, Zafir Berisha. Edhe ai iu referua raportit të Inteligjencës.

Sipas burimeve zyrtare, të cilat kanë folur për Top Channel në kushte anonimiteti, disa nga shtetasit e Kosovës, pjesëmarrës në incidentin e Maqedonisë, kanë qenë nën vëzhgimin e vazhdueshëm të AKI-së dhe njësitit policor kundër krimit të organizuar, që nga viti i kaluar.

Po kështu, sipas të njëjtave burime, po vitin e kaluar autoritetet kanë zbuluar sasi të mëdha armatimi në një fshat të komunës së Vitisë, e cila dyshohet se është transportuar këtë vit në Maqedoni.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, në mbledhjen e komisionit këtë të hënë, raportoi gjithçka në lidhje me situatën pas incidentit të armatosur. Ai tha se, 9 shtetas të Kosovës janë vrarë, ndërsa 21 mbeten të arrestuar.

“Ne nuk mund të konfirmojmë vdekjen e dikujt, për sa kohë që nuk e kemi certifikatën e vdekjes. Në rastin konkret, janë ata që do të duhej ta lëshonin certifikatën, dhe ne më pas do të gjenim formën. As sot nuk i kemi certifikatat e vdekjes. Rezultojnë të jenë 9 kosovarë të vrarë dhe 21 të arrestuar”, tha Shpend Maxhuni, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Top Channel ka provuar gjatë ditës, të marrë konfirmim zyrtar nga qeveria e Kosovës dhe Presidenca, nëse kanë marrë informata nga AKI-ja, për atë që mund të ndodhte në Maqedoni, por asnjëra palë nuk është përgjigjur.

 

Leave a Reply