Parku i Vjenës dhe i Tiranës

Vjena renditet ndër kryeqytetet me cilësinë më të lartë të jetës, pa përmendur trashëgiminë perandorake ndaj dhe krahasimi me Tiranën është i pavend për të mos thënë i pamendueshëm. Megjithatë dy ngjarje që kanë ndodhur këto ditë në parqet e dy kryeqendrave respektive janë tregues i nivelit të zhvillimit ku ndodhen shoqëritë dhe i mënyrës sësi garantohet respekti për komunitetin.

Përmes një ligji të quajtur “mirësjellje publike” policia austriake ka gjobitur shtetasin Edin Mehiç për shkak se gjatë qëndrimit në një stol të parkut Prater, pranë një polici ka gromësirë. Arsyeja ka qenë konsumimi i një qebapi të tejmbushur me qepë. Gjoba prej 70 eurosh e ka lënë të habitur të riun me origjinë boshnjake.

Mehiç fillimisht ka menduar të debatojë me policin, që po i vendoste gjobën duke i sugjeruar që të merrej me kriminelë të vërtetë që shesin droga të paligjshme. Por debati nuk kishte zgjatur shumë raportojnë mediat e huaja, sipas të cilave incidenti duhet të shërbente për të paralajmëruar edhe qytetarët e tjerë që të jenë më të kujdesshëm kur konsumojnë birra dhe salçiçe.

Ligji për të ndëshkuar ata që shkelin normat e “mirësjelljes publike” sic është edhe gromësira e zhurshme që shqetëson qytetarët ka hyrë në fuqi në fillim të shkurtit dhe zbatimi i tij nga oficerët e policisë ka ende vëmendje të lartë dhe gjobitjet pasqyrohen me jehonë mediatike.

Ndodhia në parkun e Vjenës dhe rregullat mbrësëlënëse të atij qytetërimi tregojnë një diferencë të dukshme edhe pse të pajustifikuar me përplasjen në parkun e Tiranës mes policisë dhe disa qytetarëve të angazhuar dhe të paangazhuar politikisht. Përpara se të presim prokurorinë, së cilës zakonisht i dihet përfundimi pa nisur hetimi duhet të kërkojmë respektimin e disa rregullave të funksionimit të shoqërisë shqiptare.Me gjase gjobitja për gromësirat e larta mund të jetë e ekzagjeruar, por cilido qoftë, polic apo qytetar i këtij vendi duhet të jetë i vetëdijshëm për kufizimet e lirisë dhe të veprimeve të tij. Pamjet e dhunshme që kemi parë në protestat te parku i liqenit, që sic thonë pjesëmarrësit synojnë të ruajnë oksigjenin e mushkërive të kryeqytetasve, dëmtojnë në radhë të parë imazhin e një shoqërie të papërgatitur dhe të paedukuar me respektimin e ligjit dhe të autoriteteve që e zbatojnë atë.

Aktivistët dhe qytetarët që janë të shqetësuar për ndërtime publike nuk mund të bëhen pjesë e një teatri dhune që ndryshe nga pesë vite më parë nuk përfundon me gjakdardhje, por do të duhet të përfundonte me prangosje të shkelësve të rendit publik. Nuk është e rastësishme që protestat në Hungari dhe Rumani zgjasnin me ditë dhe netë të tera me qytetarë të shqetësuar që nga rritja e cmimit të internetit e deri tek korrupsioni i qeveritarëve.

Gjatë atyre protestave nuk u raportua as përplasje fizike mes policisë dhe demonstruesve, por fituan përfaqësuesit e një komuniteti që me qytetari këmbëngulën për të drejtat e tyre. Sepse e drejta e askujt nuk mund të dalë mbi ligjin, madje edhe kur ai sanksionon gromësirën në parqet e Vjenës. /Oranews.tv/

Leave a Reply