Projekte të pjesshme!

Edhe një herë për ABETAREN

Nxënësit shqiptarë të klasave të para në Shqipëri dhe Kosovë, duke filluar nga ky vit shkollor, do të mësojnë nga e njëjta abetare, një projekt ky që është më shumë se i logjikshëm, por që fatkeqësisht ka shtrirje vetëm të pjesshme.
Jashtë abetares së përbashkët mbetën nxënësit shqiptarë nga Maqedonia e Veriut dhe mesiguri edhe nxënësit e Luginës së Preshevës e Malit të Zi, sepse me gjasë, në këto shtete, akoma projektet e këtilla konsiderohen të rrezikshme.
Sidomos shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, nuk do t’i harrojnë kurrë pësimet e kohës kur komunistët jugosllav i kishin shpallur luftë, ndër të tjera, edhe librit shqip, të cilin e konsideronin si helmuesin më të rrezikshëm të shpirtit të “kombësisë” shqiptare.
Vetëm në këto hapësira akoma ka me bollëk struktura që nuk mund të pajtohen me faktin se shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë (indi shqiptar u copëtua për interesa të të tjerëve), janë një popull, kanë një gjuhë, një alfabet, një histori, një letërsi, kanë të njëjtë eposin, muzikën, traditat…
Janë pikërisht këto struktura që akoma frenojnë një të drejtë të natyrshme të fëmijëve shqiptarë, mësimin e shkronjave dhe gjuhës përmes abetares së njëjtë.
Kuptohet, përgjegjësia ekskluzive bie mbi klasën politike shqiptare, e cila, ndonëse publikisht herë pas herë dëshmojnë një unitet sipërfaqësor, në prapaskenë realiteti është krejt ndryshe, për të mos thënë ekzistojnë ndasi të thella.
Kur këto ndasi brenda klasës politike janë të dukshme, atëherë pse duhet të presim që, bie fjala, klasa politike maqedonase të shprehë gatishmërinë që nxënësve shqiptarë t’u krijojë kushte që ata të mësojnë nga e njëjta abetare që përgatitet në Tiranë apo Prishtinë, kur akoma nuk janë liruar nga recidivet e së kaluarës komuniste, kur shqiptarët konsideroheshin “element i rrezikshëm me ide nacionaliste e separatiste”.
Nëse klasa politike shqiptare është ajo që është, po ç’bëhet me inteligjencien shqiptare, me akademitë shqiptare, me komunitetin e madh të artistëve shqiptarë, me shoqatat e shkrimtarëve, me atë numër të madh të profesorëve shqiptarë, me katedrat e gjuhës dhe letërsisë shqiptare, me institutet e shumta? Përse të gjithë këta janë strukur në foletë e tyre e pothuaj nuk marrin frymë? Janë më të thirrur për ta treguar e faktuar të vërtetë e madhe shqiptare se identiteti kombëtar mbrohet dhe zhvillohet vetëm me projekte të përbashkëta që mbajnë epitetin shqiptare dhe se shqiptarët, pa i bërë detyrat e shtëpisë, nuk mund të kalojnë në kozmopolitizëm, doktrinë kjo që apriori e mohon idenë e identitetit kombëtar.
Abetarja e përbashkët është një qëllim human dhe një e drejtë e shqiptarëve, të cilën ua ka përcaktuar Zoti.
Abetarja është fillesa e ngritjes shpirtërore të çdo populli, ndaj vetëm në këtë mënyre edhe shqiptarët duhet ta koncipojnë. Mbase bashkimi shpirtëror i shqiptarëve nuk rrezikon asnjë popull, sepse pos nënqiellit të përbashkët, ata asgjë nuk kanë të përbashkët. Dallimi esencial është te gjuha, gjë që nuk lë për të dyshuar se rrezikohen vlerat shpirtërore të të tjerëve.
Projekti i abetares së përbashkët do të konsiderohet i jetësuar vetëm kur të gjithë nxënësit shqiptarë, pavarësisht se ku jetojnë, mësojnë nga e njëjta. Në të kundërtën, është vetëm projekt i pjesshëm, për të mos thënë i dështuar.
/HEJZA/

Leave a Reply