Raporti gjerman: Kush e cenon dhe frikëson median në Shqipëri

“Liria e medias konsiderohet e pjesshme në Shqipëri. Kjo për shkak të presionit të fortë nga politikanët dhe pronarët e medias që çojnë në vetëcensurim, frikësim dhe dhunë kundër gazetarëve”. Ky është përfundimi i një raporti të Friedrich Naumann Foundation, një fondacion gjerman për politikat liberale.

“Frika nga humbja e vendit të punës ka qenë një nxitës i rëndësishëm i vetëcensurës midis gazetarëve”. Fondacioni gjerman citon edhe Fondacionin Europian të Barometrit të Lirisë sipas të cilit frikësimi dhe dhuna kundër gazetarëve janë gjithashtu mjete që kufizojnë lirinë e medias në Shqipëri. “Një gazetar i njohur për hetimet e tij ndaj korrupsionit u rrah në mars” – thuhet në raport duke iu referuar rastit të gazetarit Elvi Fundo.

Raporti thotë se Shqipëria renditet e 18-ta nga 30 vendet e përfshira në studim, e cila merr parasysh periudhën nga korriku 2016 në qershor 2017. Studimi mat 10 faktorë që kanë të bëjnë me lirinë politike, sundimin e ligjit dhe lirinë ekonomike.

Sa i përket gjyqësorit, raporti thotë se ndryshimet kushtetuese të miratuara unanimisht nga parlamenti i vendit në korrik 2016 pritet të marrin disa vjet që të zbatohen plotësisht për të krijuar një sistem të sundimit të ligjit në përputhje me anëtarësimin e dëshiruar të Shqipërisë në BE .

Raporti vë në dukje zhvillimet pozitive në luftën kundër korrupsionit, pavarësisht nga një pikënisjeje e ulët.

“Prona private në Shqipëri nuk është e mbrojtur në mënyrë adekuate. Shqetësimi më i madh është pavarësia e ulët gjyqësore nga grupe të fuqishme politike dhe të interesit të biznesit. Zbatimi i kontratave përplaset me shumë probleme të tjera si: procedura të gjata, kosto të larta dhe korrupsion brenda gjyqësorit”, – thuhet në raport.

“Ndërmarrjet shtetërore në sektorin e energjisë si korporata e energjisë KESH dhe shpërndarësi i energjisë OSHEE ende paraqesin një rrezik të konsiderueshëm për financat publike për shkak të menaxhimit joefikas dhe politikave operacionale, megjithëse burimet e alokuara” – shkruan raporti.

“Procesi i privatizimit të kompanive shtetërore dhe aseteve të tyre, kur ato janë falimentuar, po ecën ngadalë. Privatizimi i Albpetrol, kompania shtetërore e naftës, është në pikëpyetje, pasi është shtyrë disa herë” – shton Fondacioni Friedrich Naumann.

Leave a Reply